Bien shitjet e armëve në botë
Dërgesat ndërkombëtare të armëve kanë qenë më të sheshta në periudhën 2016-2020, në krahasim me periudhën paraprake pesëvjeçare, mirëpo sërish janë afër nivelit më të lartë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka thënë Instituti Ndërkombëtar i Paqes (SIPRI), në raportin e publikuar më 15 mars.
Tri nga eksportueset më të mëdha të armëve – Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania – kanë rritur sasinë e dërgesave gjatë periudhës 2016-20, mirëpo rënia e eksporteve nga Kina dhe Rusia kompenson rritjen, ka thënë instituti me bazë në Stokholm.
Kjo ka qenë hera e parë prej periudhës 2001-2005, që shkalla e dërgesave të armëve mes shteteve nuk është rritur në krahasim me periudhën paraprake.
Shtetet e Bashkuara përbëjnë eksportueset më të mëdha, përkatësisht 37 për qind të shitjeve të armëve globale gjatë periudhës së fundit, ka thënë SIPRI.
Gjysma e armëve amerikane janë dërguar në Lindje të Mesme.
Rusia, eksportuesja e dytë më e madhe në botë, është përgjegjëse për një të pestën e shitjes së armëve, ndonëse shitjet i kanë rënë për 22 për qind në krahasim me periudhën 2011-2015, kryesisht për shkak të rënies së importit nga India.
Hulumtuesi i lartë në SIPRI Pieter Wezeman ka thënë se ende është shumë herët të shihet nëse rënia e transferit të armëve do të vazhdojë.
“Ndikimi ekonomik i pandemisë mund të ndikojë me rivlerësim të importeve të armëve në disa shtete në të ardhmen”, ka thënë Wezeman.
“Megjithatë, në të njëjtën kohë, edhe pse në periudhë të pandemisë më 2020, shumë shtete kanë nënshkruar kontrata të mëdha për armë”.
Shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerje të 50 aeroplanëve F-35 dhe të mbi 18 dronëve, në kuadër të një pakete prej 23 miliardë dollarëve.
Shtetet e Lindjes së Mesme është thënë se kanë regjistruar rritjen më të madhe në import të armëve, me 25 për qind rritje./rel/