![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/12/valbona.jpg)
BIJAVE TË MIA
Valbona Hysenaj Miftari
BIJAVE TË MIA
Bija ime,
Kur të vendosën në gjoksin tim për herë të parë qielli u hap.
Pashë edhe engjëjt sesi festonin lindjen tënde.
Sytë e babait tënd lëshonin lot lumturie.
Gushti përflakej aq natyrshëm dhe dielli ngrohte
edhe skutat më të thella të shpirtit.
Ulpiana, atë ditë kur ti linde
Veshët e mi përjetuan melodinë më të ëmbël,
të padëgjuar ndonjëherë.
* * *
E atë ditë të bukur maji
Kur ti Diana erdhe në këtë botë
Dielli u bë i tëri imi
dhe unë nuk ecja por fluturoja…
Dy bija, dy motra, dy zemra, katër duar,
katër sy, shumë dashuri…
Bijat e mia,
Mami ka një porosi:
Në çdo hap mbillni mirësi
Që jeta t’ju buzëqesh.
Mami e di,
Bota nuk do të jetë çdoherë e mirë,
por askush nuk do mund t’jua këpusë
sythat e degëve tuaja të shëndosha.
Mos braktisni rrugën e ëndrrave
edhe atëherë kur ëndrrat ju thyhen
para këmbëve tuaja.
Mblidhni copëzat e tyre dhe ngjitni përsëri,
Sepse stuhitë e jetës edhe pushojnë një ditë.
E di mami, e di
sado që shekulli i ri,
marrëzitë dhe grackat nuk janë zhdukur,
ndaj bëni kujdes
dinjiteti është virtyt i bukur!
Bijat e mia,
Trëndafilat e mi, vazhdoni të lulëzoni pa pra
se edhe unë rritem çdo ditë me ju.
Ju nuk keni më nevojë t’ju mbaj për dore,
po dashuria ime nuk ju braktis kurrë.
________________
(Dhjetor 2020)
ELEGJI
(Mbesës sime Servetit, e cila vdiq
në moshën 23 vjeçe,
tri javë pasi që u bë nënë)
Engjëjt kishin ndërruar rrugë
atë ditë të zezë.
qyqja mbi kulm kishte ngrehur folenë̈.
Tetë duar u ngritën lart,
një foshnjë e vogël qante për gji:
Nënë, s’të pashë kurrë me sy!
Varrin tashti ta bleron pranvera
me lule Shëngjergji përsëri,
kurorë për duvak
për të djegurën nusëri.
Të pret Alketa të kthehesh një ditë
me afshin e përkdheljeve prej nëne
t’ia gëzosh atë rritë.
Kur perdja e errësirës shfaq vegime
dhe kur dielli nis të dalë,
nanëzeza ofshan:
Bashkomë, o Zot, me bijën time!
___________________
(Shtator 1998)
NJË DITË
Prapë do t’i kërkosh
sytë e mi të mekur
por, më kot.
Ndoshta do të dëshirosh
të jemi prapë tok
si deri dje!
Stinët do të ndërrohen
dhe do të vijë një ditë me shi,
dhe ti do të vish përsëri.
Në do të më gjesh
Jo, nuk e di.
________________
(Shkurt 2005)