Bijë dhe bija shqiptare, jepni për nënën!
Berat Armagedoni
Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, për ta shpëtuar shtetin nga kolapsi ekonomik, ia ka shtrirë duart diasporës shqiptare. Një dorë të skamjes dhe një të përkëdheljes. Ia ka shtrirë dorën asaj diaspore nga e cila, para se të marrë edhe para prej saj, vitin e kaluar ka marrë besimin e saj në zgjedhjet për Kuvend të Republikës së Kosovës. Është e vërtetë se asnjë partie në Kosovë, në zgjedhjet para një viti, diaspora shqiptare nuk i ka besuar më shumë se Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo fjali dëshmohet me letra. Me votat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti. Diaspora shqiptare nuk i beson as sot asnjë lideri më shumë se Kurtit, ani pse tash qeverisë së tij i është marrë besimi, me mocion, nga 84 deputetë, në radhë të parë për shkak të prishjes së raporteve me amerikanët, të cilët Kurti i ka lënë pak si mënjanë shkaku i raportit të mirë me evropianët. Ai besim i diasporës, ka shpresë Kurti, se, pos që i është dhënë me votëbesim dhe do t’i jepet edhe më shumë, do t’i jepet edhe me para, duke e mbushur fondin emergjent të themeluar prej qeverisë në detyrë. Dhe ajo xhirollogari ka nisur të mbushet nga kursimet e shqiptarëve anembanë botës, të cilët ia duan të mirën shtetit dhe ia besojnë udhëheqjen Kurtit, të cilin e konsiderojnë të pakorruptuar, për shkak, në radhë të parë, se nuk ka qeverisur asnjëherë qeveri dhe nuk ka dëshmuar se mund ta keqpërdorë paranë publike. Hë për hë, mund të them se nuk i është dhënë rasti. Smira e korit burrin. Edhe Albinin, ndoshta!
Kërkesa e Albin Kurtit dje, bërë diasporës për mbështetje financiare, është e moçme. E pati bërë, kur qe zgjedhur kryeministër, më shumë me zor sesa me dëshirë, poeti rebel Fan Stilian Noli, i cili fjalimet dhe vjershat politike i ngarkonte me “armë”, njëjtë si Kurti fjalimet sot!
Apeli i Nolit Jepni për nënën, botuar në gazetë, pastaj në libër, s’është lutje e zakonshme por, siç e quan profesor Nasho Jorgaqi, një apel atdhetar në vargje[1], me përplot figura të mendimit e të bukurtingëllimit, që shoqërojnë pyetjet retorike, të cilat paraqesin gjendjen e saktë ekonomike të Shqipërisë. Edhe apeli i Kurtit, ani pse i thënë me fjalë, i prezantuar me video dhe i shkruar me rreshta, është i kësaj natyre dhe nëpërmjet fjalëve të zgjedhura paraqet gjendjen ekonomike të Kosovës. Të keqe. Të mjeruar. Padyshim se kjo lutje e Kurtit është e njëllojtë me atë të Nolit që ua bënte djemve të Shqipërisë, atyre që punonin në Amerikë, për ta ndihmuar vendlindjen e tyre me të holla meqë, sipas Nolit, Shqipëria ka kohë që ka gjendje të rëndë ekonomike, se atë e kanë lëshuar të rinjtë dhe të rejat dhe e kanë lënë shkretë, kurse pjesa e mbetur në të mezi jeton për shkak të mungesës së parave.
Edhe shqiptarët e Kosovës, më shumë se shteti, i mban gjallë diaspora, për të cilën nuk kemi qenë të kujdesshëm sa duhet, as nuk kemi treguar respekt për të sa është dashur. Ndonjëherë, ndokush, edhe e ka fyer kudo që i është dhënë mundësia. Dikush ata damarë tanët të pashtershëm në Perëndim i ka quajtur shaca, dikush të pagdhendur. I kanë quajtur kështu ata që s’kanë pasur as teze e as dajë në diasporë. Këtyre shacave dhe të pagdhendurve, bijve dhe bijave të tyre të shkapërderdhur anekënd botës, kryeministri në detyrë, në emër të qeverisë dhe të popullit, u bënë thirrje për ta ruajtur shtetin nga katastrofa ekonomike, të cilën s’ka mundësi ta ndalë vendi, përpos diaspora. Prandaj, nëse dëshironi ta shpëtoni Kosovën edhe nga katastrofa ekonomike, jepni për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përgjigjuni thirrjes së kryeministrit në detyrë. Jepni për nënën tuaj, Kosovën dhe jepni për kombin tuaj siç patën dhënë përkrahësit e Fan Stilian Nolit, me të cilin Albin Kurti ka një fat të përbashkët, pikëtakimet e të cilëve mund t’i gjeni më poshtë.
Jepni për nënën
Poezia Jepni për nënën buron nga ngjarjet e vitit 1917 kur, sipas dëshmive, është shkruar dhe kur pothuajse e gjitha bota ishte në vitin e katërt të Luftës së Parë Botërore dhe kur të gjitha kombet po përgatiteshin t’i ulnin tytat e pushkëve e të tankeve e të aeroplanëve. Në këtë kohë, Shqipëria, duke qenë e varur nga të hyrat e mërgimtarëve, të cilët i kishte të shpërndarë nëpër gjithë botën dhe ndihma nga të cilët nuk i jepej më si më parë shkaku i luftës së gjatë, të madhe dhe të ashpër, përjetoi ditët më të rënda të shtetndërtimit. Por, Shqipëria i kishte disa djem të zotë larg vetes të cilët nuk kursenin asgjë për të. E, për ta shpëtuar, u përkujdesën “djemtë e saj” në Amerikë. Kështu i quante Noli bashkëkombësit që jetonin dhe punonin në Amerikë, të cilëve, më 3 qershor të vitit 1917, në kohën sa Noli ishte kontrollor në Komisionin e Federatës Vatra, kur nisi organizimin dhe aksionin Dita e Shpëtimit të Shqipërisë, thirrjes i bashkëngjiti edhe këtë tekst: Asnjë i huaj s’mund të na i japë lirinë dhe indipedencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tona, me djersën tonë, me gjakun tonë. Ndihmoni pa u kursyer që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe ta trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë dhenë e lavdëruar të Skënderbeut… Cili shqiptar i mirë… nuk e do çlirimin, zgjerimin dhe sigurimin e Shqipërisë? E vetmja pyetje që do të bëjnë atdhetarët e mirë dhe fisnikë të Amerikës është kur dhe sa? Kur? Më 3 qershor, Ditën e shpëtimit të Shqipërisë. Sa? Sa të mundni më tepër. Qesen të tërë, me shpirtin bashkë. Shqipëria ka shpresë te ne: Kam djemtë në Amerikë. Ata do të më shpëtojnë…[2] dhe dha fjalën se, po qe se nuk do të arrinte t’i mblidhte 40 000 dollarë, do të jepte dorëheqje nga kandidatura e dytë për kryetar të Federatës Vatra.
Po në këtë kohë, pak para 3 qershorit, nën frymën e fushatës së Federatës Vatra Për shpëtimin e Shqipërisë, afër bashkëveprimtarëve (në Amerikë) shkroi poezinë Jepni për nënën, të cilën për herë të parë e botoi në kalendarin e Vatrës në Boston më 1918, në faqe 66, në të cilën duket fytyra e zbehtë e Shqipërisë dhe vrapi i shqiptarëve për t’i dhënë ndihmë materiale kush më i pari pasi që ishte dëmtuar nga ushtritë e ndryshme që kishin zënë vend atëkohë në krahinat e Shqipërisë. E njëjta poezi, pak muaj më vonë, për shkak të jehonës, u kompozua nga Th. Nashi dhe, më 3 qershor, në shumë qytete dhe sheshe të Amerikës e vende të tjera ku kishte koloni shqiptare, u këndua dhe u bë motivi kryesor për bashkim të shqiptarëve, për t’u mbledhur ata 40 000 dollarë që kërkonte Noli për t’i dalë ndihmë Shqipërisë, të cilën, për shkak të dashurisë, ndjeshmërisë dhe lidhjes emocionale me atdheun, e quan nënë. Thirrjes së tij dhe kauzës së përbashkët i përgjigjen pozitivisht i madh dhe i vogël, i ri dhe i vjetër. Noli dhe Vatra mbledhin paratë që synonin dhe, më 1-12 korrik 1917, pas mbledhjes së Kuvendit të Gjashtë të Vatrës, i përfaqësuar nga 61 delegatë, Noli zgjedhet për herë të dytë kryetar.
Jepni për nënën ka vite që është realizuar këngë edhe në Kosovë dhe është kënduar nga këngëtarja e muzikës popullore shqipe, Shkurte Fejza.[3]
[1] Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, I, Ombra GVG, Tiranë, 2005, f. 334
[2] Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, I, Ombra GVG, Tiranë, 2005, f. 335
[3] https://www.youtube.com/watch?v=s766CNfYTD0 (dëgjuar më: 8.8.2016)