BIJTË E ASKUJT

15 janar 2018 | 16:44

Nga Xhevdet Shehu

Një roman i pazakontë, një autopsi e sistemeve që kanë sunduar në Shqipëri dhe Kosovë gjatë shekullit të fundit. Portretet e akademikut për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Ahmet Zogun, Esad Pashë Toptanin, Sali Berishën, Ibrahim Rugovën e të tjerë.

Romani “Bijtë e askujt” (Vajazan, Prishtinë 2016) i autorit Rexhep Qosja është një vepër polifonike shumëdimensionale. Është një roman jetëshkrimor, historik, për fatin e intelektualit shqiptar në kohën e diktaturës në dy shtete komuniste: në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë. Ngjarjet zhvillohen në të dy vendet, më saktë në Shqipëri dhe mandej në Kosovë, që dikur ishte e përfshirë në Jugosllavi.

Kjo vepër është një sagë shqiptare e shekullit të njëzetë që shtrihet deri në fillimin e shekullit të njëzetenjëtë. Autori synon t’i bëjë autopsinë regjimit komunist tashmë i mbetur si një e kaluar historike por me gjurmë të fuqishme në jetën dhe kujtesën tonë kombëtare. Por edhe fatit të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Për të bërë këtë autopsi autori ka gjetur si pretekst jetën dhe persekutimin e Tarik Saraçit, një shkrimtari disident të përndjekur, arrestuar dhe burgosur, mandej i arratisur në ish- Republikën Federative të Jugosllavisë.

Kjo vepër është botuar fillimisht në vitin 2010 në Prishtinë në dy vëllime dhe është ribotuar e plotë në një libër në vitin 2016, pra në 80-vjetorin e lindjes së autorit. Është një vepër e vëllimshme, prej 700 faqesh dhe padyshim një nga veprat më përfaqësuese të këtij autori, duke shënuar dhe një rekord në letrat shqipe.

Rexhep Qosja, i njohur më së shumti si studiues i letërsisë shqipe dhe kritik i saj, ku ka kryer punë dhe studime sa të vëllimshme aq dhe cilësore si askush tjetër, ka lënë një vulë të pashlyeshme në historinë e kulturës sonë kombëtare. Por Qosja është dhe një shkrimtar i mirëfilltë dhe me individualitet të spikatur në letrat shqipe. Për këtë dëshmojnë dy veprat më të qenësishme të tij: romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” botuar në Prishtinë dhe Tiranë në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, drama dhe proza të tjera dhe tani së fundmi romani “Bijtë e askujt” që mendoj se është një nga veprat më të rëndësishme jo vetëm të këtij autori, por në gjithë letrat shqipe. Romani “Bijtë e askujt” qëndron natyrshëm dhe harmonishëm në korpusin e veprave të këtij autori, duke shënuar një kulm në krijimtarinë e tij.

Rexhep Qosja, ashtu si në gjinitë e tjera në të cilat ka shkruar një jetë të tërë, edhe në letërsi ka stilin e tij të patjetërsueshëm dhe të spikatur. Romani “Bijtë e askujt” në pamje të parë të kujton Jakov Xoxën apo Mitrush Kutelin, Dhimitër Shuteriqin, apo Sabri Godon, por gjithsesi ai është Rexhep Qosja lehtësisht i dallueshëm nga të tjerët, për stilin e tij, narracionin, përshkrimet, gjuhën dhe kompozicionin e veprës. Ai është sa tradicional, aq dhe modernist. Madje më shumë modernist.

Tarik Saraçi është një pretekst. Brenda emrit dhe fatit të tij janë edhe shumë emra të tjerë të historisë e kulturës kombëtare shqiptare, para dhe pas tij. Janë aty Vaso Pasha (Feja e shqiptarit është shqiptaria), Hoxha Tahsini, Naum Veqilharxhi, Thimi Mitkua, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka, Jani Vreto, Asdreni, Fan Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi. Të gjithë këta vdiqën në toka të huaja. Si bij të askujt! Prandaj dhe tek fati i Tarki Saraçit është i ngjizur fati i të gjithë këtyre emrave të ndritur të kulturës sonë në kohë të ndryshme. Madje dhe fati i vetë autorit Rexhep Qosja…

Ndaj dhe Rexhep Qosja i ka vënë këtë titull romanit të tij: “Bijtë e askujt”. Është fati i shqiptarëve të shquar në shekuj. Një fat tejet i trishtë. Autori gati sa nuk ulërin nga dhimbja prej një fakti të tillë. Pse? Pse ta kemi një fat të tillë? Duket sikur pyet ai në gjithë romanin e tij. Madje zbërthimi i këtij fati të kobshëm është shtysa për të shkruar një vepër të tillë.

Kur thashë se ky roman është një sagë shqiptare, kisha parasysh shtrirjen e kësaj historie në tre shekuj (më së paku në vitin 1892 a 1893 kur kish lindur i ati i Tarik Saraçit) e deri në ditët tona. Kemi të bëjmë me një vepër letrare, por po aq edhe historike pasi aty përshkruhen figura të historisë e të kulturës sonë, që nga Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu, Gjergj Fisha, Mit’hat Frashëri, ndërsa krej natyrshëm mpleksen dhe analizohen figurat e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e deri te politikanë shqiptarë të Tiranës dhe të Prishtinës pas vitit 1990. Duke qenë një vend i vogël, këtu është mjaft e vështirë të bësh letërsi fiction, me personazhe situata imagjinare, pasi ne banorët e këtij vendi e njohim thuajse të gjithë njëri-tjetrin, në mos e njohim, kemi dëgjuar historitë tona të vjetra e të reja, ndaj dhe në romanin e Rexhep Qosjes gërshetohen e komunikojnë sa personazhet realë, aq dhe ata irealë.

Autopsia e së kaluarës

Autori i referohet shtypit amerikan kur pohon se në Shqipëri komunizmin nuk kish kush ta përmbyste, por u përmbys vetvetiu mbasi u përmbys në vendet e tjera komuniste, në mënyrë të veçantë mbasi u përmbys në Bashkimin Sovjetik. Po të mos ishte përmbysur në Bashkimin Sovjetik, komunizmi në Shqipëri do të jetonte për jetë të jetëve. E përmbysi shembulli e jo vetëdija. E përmbysi historia e jo guximi.

Për të bërë autopsinë e regjimit komunist autori operon me një sërë mjetesh artistike. Ai gjen një shembull, Tarik Saraçin, shkrimtar disident, jetëshkrimin e të cilit do ta bëjë një shqiptaro amerikan, Miran Bushati, i cili ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Nju Jork dhe nuk ka qenë kurrë në Shqipëri. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri dhe në Kosovë ku është shtrirë jeta e personazhit, për të cilin i është kërkuar të shkruajë një roman historik. Ardhja në atdheun e prindërve të tij, për Miranin i ngjan vajtjes në një planet tjetër. Ai nuk di nga ta fillojë hulumtimin e jetës së personazhit të tij të vdekur, nuk di kë të takojë dhe kë të pyesë. Ai ka dëgjuar për komunizmin në Shqipëri, por nuk e ka jetuar atë. Dhe kjo është një vështirësi themelore për jetëshkruesin. Ai e sheh prapambetjen, ka dëgjuar për varfërinë në vitet e socializmit, sidomos në vitet e fundit të tij, por nuk e ka jetuar atë. Ai çuditet me prapambetjen e atdheut të prindërve të tij. Kush është shkaktar për këtë prapambetje të një vendi evropian? Europa? Njëri nga personazhet thotë: “Asnjë e keqe te ne nuk kishte ardhur para se të ndodhte më përpara në Evropë”. Apo shqiptarët? Njëri nga personazhet thotë “Te ne rregullisht vijnë të këqijat që e përfshijnë Evropën, por jo të mirat që i arrin Evropa. Si do të jetë në të ardhmen, pas një shekulli, nuk e di ashtu siç nuk mund të them se për këtë lojë me fatin tonë jemi fajtorë Ne apo Evropa”.

***

Miran Bushati e ndërton jetën e Tarik Saraçit nëpërmjet rrëfimeve të bashkëkohësve të tij, shkrimtarë, intelektualë, poetë, madje dhe ish oficerë të Sigurimit të Shtetit që e kanë njohur dhe, me apo padashje, janë bërë pjesë e historisë së tij. Janë edhe ata, denoncuesit cmirëzinj që i tërbonte fama dhe talenti i Tarikut. Pra kemi dy palë dëshmitarësh për jetën e heroit të romanit. Ata që kanë vuajtur vërtetë dhe ata që kanë bërë të vuajnë të tjerët.

Tarik Saraçi është një përgjithësim artistik, është një shumësi emrash të persekutuarish gjatë regjimit të kaluar brenda një emri.

Hulumtuesi shfrytëzon edhe arkivat me dosjet e së kaluarës. Ia krijojnë këtë mundësi, pasi është amerikan, shqiptaro-amerikan, sepse dosjet nuk janë hapur edhe sot e kësaj dite dhe nuk dihet se kur do të hapen. Njëri nga personazhet shprehet me skepticizëm të skajshëm: “Arkivat? Çfarë arkivash? Arkivat po pastrohen nga ata që janë në pushtet… po e pastrojnë të kaluarën e… e… Keni dëgjuar? Edhe bashkëpunëtorë të sigurimit po ritregohen sot me ‘dokumente’ si të ndjekur prej Sigurimit!Edhe deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë po tregohen si të ndjekur prej Sigurimit! Edhe kryetarë e nënkryetarë të partive, bashkëpunëtorë të Sigurimit si sekretarë të organizatave themelore të Partisë së Punës, po tregohen, me “dokumente”, si të ndjekur prej Sigurimit! Po të jesh në pushtet në Shqipëri, e bën jetëshkrimin tënd dhe të miqve të tu sipas qejfit, si të duash: jetëshkrim viktime edhe në qoftëse ke qenë denoncues i të tjerëve; jetëshkrim heroi edhe në qoftëse ke qenë horr me nëntë vula; jetëshkrim bamirësi e edhe në qoftë se ke qenë vrasës!”

Dhe përgjegjës kryesorë për vuajtjet dhe vdekjen e Tarik Saraçit sipas autorit janë dy: Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Madje Mehmeti më shumë se Enveri. Sepse Enveri dhe Mehmeti ishin arkitektët e atij sistemi, të mënyrës se si e ndërtuan shtetin dhe për pasojë janë ata përgjegjësit kryesorë për vuajtjet e njerëzve, për varfërinë, për arratisjet… Tarik Saraçi arratiset dikur dhe kalon në ish-Jugosllavi.

Kjo përshtypje i krijohet Miran Bushatit gjatë hulumtimeve. Gjithsesi hulumtuesit i vjen shpesh mendja vërdallë kur dëgjon pohime të kundërta.

Për Ahmet Zogun shkruan se ishte një politikan dinak, i gjetur për kushtet shqiptare, që kishte bashkuar shumëfytyrësinë e despotit oriental dhe të bajraktarit shqiptar. Ishte kapaku që i përgjigjej vjegshit!

Për Esad Toptanin shkruan se ishte substanca tradhtare e feudalit, e krijuar gjatë shumë shekujsh pushtime: nga Bizanti, nga Mbretëria e Car Dushanit, nga Perandoria Otomane.

Tol Ymer Ashiku, ish oficer i Sigurimit të Shtetit, i përjashtuar nga ai shërbim pas (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut thotë:

“Është e pamundur të besohet lehtë, pa e vënë nëntë herë gishtin në tëmtha, se mund ta vriste veten një revolucionar si ai, si Mehmet Shehu, që kishte qenë komandant i partizanëve në Luftën Nacional Çlirimtare, i cili kishte qenë luftëtar i Spanjës, natyrisht në anën e republikanëve, i cili kishte bërë aq shumë sakrifica për ndërtimin e socializmit në Shqipëri dhe për ngadhënjimin e internacionalizmit proletar në botë. Veten e vrasin reaksionarët e jo revolucionarët; qyqarët e jo heronjtë! Revolucionarët e vërtetë si Mehmet Shehu mund të vrasin veten vetëm në luftë për të mos i rënë në dorë armikut e Mehmet Shehu nuk ishte duke luftuar në kohë lufte, por në kohë paqe”.

Një tjetër personazh, Premt Dukagjini, ish u burgosur me kryeprotagonistin e romanit, thotë:

“Diktaturën nuk e vendosin diktatorët pse janë të lindur diktatorë, por pse janë të nxitur të bëhen diktatorë prej rrethanave dhe, sidomos, prej puthadorëve, shërbëtorëve të ndryshëm të niveleve të ndryshme. Cezari nuk ka lindur cezar, por kanë bërë cezar të tjerët. Kjo mund të thuhet edhe për Enverin.

Përsëri për Enverin dhe diktaturën e tij, një tjetër personazh: “Enveri e pastroi shqiptarin prej morrave, pleshtave, tartabiqeve, dregëzave, zgjebes; Enveri e shpëtoi Shqipërinë prej malaries, kurse këta të sotmit po e ndotin Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve me hedhurinat e llojllojshme dhe radioaktive, prej centraleve evropiane! Për euro! Enveri i bëri kënetat fusha pjellore, kurse këta të sotmit fushat po i bëjnë këneta dhe liqene!… Enveri ishte shumë, shumë më largpamës se këta hyzmeqarët e tij. Enveri donte të bënte një komb. Një komb me një identitet. Një komb me emra kombëtarë, me mbiemra, me gjuhë, me histori, me kulturë, me bindje, me shpirt, me vetëdije, me shtet. Po, me shtet të fortë kombëtar…”.

***

Në konceptin krijues të Rexhep Qosjes, regjimet janë thjesht konvencione, janë emërtime për të fshehur thelbin i cili ndryshon fare pak. Qoftë kjo monarki, republikë, diktaturë apo demokraci. Pas rënies së diktaturës, në Shqipëri, fjala vjen, u tha se erdhi demokracia. Por ç’demokraci ishte kjo? Kanë 27 vjet që e përjetojnë me dhimbje shqiptarët dhe më së shumti janë të zhgënjyer prej saj. Ai që doli në krye të punëve të shtetit, doli se ishte një demagog dhe përçarës i cili e çoi vendin në pragun e një lufte civile në vitin 1997. Në këtë periudhë u rikthye vrullshëm analfabetizmi (për zhdukjen e analfabetizmit besoj se nuk mund të qortohet diktatura), u kthye vrullshëm gjakmarrja dhe ngujimet (edhe për këtë nuk mund të akuzohet diktatura pse e zhduku); u thellua skajshëm dallimi midis të pasurve dhe të varfërve, u shfaq klasa e oligarkëve që bëjnë ligjin në politikë, në qeverisje dhe deri në krijimtari e shkencë. Diktatura mund të kritikohet për shumëçka me të drejtë, për burgosjet dhe internimet e një numri të konsiderueshëm kundërshtarë të regjimit, për izolimin dhe telat me gjemba në kufi, për varfërinë e skajshme që solli sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të saj. Por është fakt se veprat më të mira letrare dhe artistike u krijuan në atë kohë, shkrimtarët dhe artistët më të mirë u shquan në atë kohë. Është fakt se në atë periudhë pati një revolucion të tërë në jetën shoqërore dhe ndodhi një emancipim i paparë për shkak të elektrifikimit të vendit, të arsimit të detyrueshëm etj. Këto arritje dhe këto krahasime janë bërë me shumë besueshmëri nga autori Rexhep Qosja në një varg veprash të rëndësishme të tij. Është bërë dhe në romanin “Bijtë e askujt”.

Ja si flet prijësi i demokratëve të Shqipërisë në një kumtim të tij në këtë roman: “Dëgjomëni mirë ju mua! Të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, që shprehen ndryshe për frikën e cunameve ekonomike, financiare dhe natyrore prej sundit tonë, si sundimi më i mirë, më i shëndodhë në Evropë, në të vërtetë në Lindje dhe në Perëndim, me fuqinë e darës së ligjit ne do t’ua nxjerrim dhëmbët e dhëmballët, të 36-ët… Në qoftë se me fuqinë e darës së ligjit nuk do të mbushen mend, atëherë unë, sundimtari juaj, me mjete të tjera dhe në mënyra të tjera, do t’i mbush mend njëherë e përgjithmonë. Zoti e bekoftë Shqipërinë Demokratike!” Kush flet kështu sulltani, monarku, fashisti, despoti apo demokrati? Lehtësisht mund ta kuptoni se për kë bëhet fjalë, pavarësisht se emri i tij nuk përmendet. Dhe këto thirrje histerike të këtij njeriu përsëriten si një refren gjatë gjithë romanit. Lexuesi mediton dhe krahason. Faktet janë fakte.

Një shembull tjetër. Këtë radhë nga Kosova e fillimshekullit të 21-të. Një prozë poetike në gojën e një personazhi:

“Qitni sa më shumë dhé në atë varr, zotërinj varrtarë! Ju po e bëni përmendoren e përjetshme të Aminuesit të të gjitha pushteteve, i cili bekonte dënimin, dhunën, përndjekjen, skamjen, mjerimin, padrejtësinë, gënjeshtrën, mashtrimin, shpifjen, burgun!

Bëjeni sa më të madh atë varr, ngriheni sa më lart atë që po e varrosni në të!

Se ai ishte Krishti i të ultës.

Se ai ishte Buda i së pandershmes!

Se ai ishte Muhameti i së paardhmes!

Qitni sa më shumë dhe në atë varr, zotërinj varrtarë!

Le të jetë dheu, le të jenë gurët sa më të rëndë në të.

Atë që e bënte dje ai do ta bënte edhe sot edhe nesër.

Të mos dehemi prapë prej zërit të tij mashtrues!”

Besoj se e kuptoni për kë e ka fjalën autori, i cili sërish nuk ia përmend emrin njeriut që po varrosej. Ai ka punë me varrtarët, jo me të vdekurit.

Rexhep Qosja është një shkrimtar i angazhuar si rrallëkush tjetër me një zë të fuqishëm si intelektual, me një autoritet të padiskutueshëm. Me një përkushtim të deklaruar për t’i shërbyer kombit të tij, për ta ndriçuar dhe prosperuar atë, shpesh, shumë shpesh, Rexhep Qosjes letërsia dhe studimet e tij i duken të pamjaftueshme për këtë qëllim të lartë, ndaj dhe hidhet vrullshëm në publicistikë, jep intervista dhe bën polemika në shtyp dhe medie të tjera, pasi e ka kuptuar ndikimin që ka fjala e tij. Pikërisht në këtë aspekt mendimi i tij është më i drejtpërdrejt dhe më i asimilueshëm nga shqiptarët kudo që ndodhen.

Mirëpo pikërisht ky qëndrim i palëkundur dhe i qartë e ka bërë atë shpesh objekt kritikash dhe sulmesh të paskrupullta, sidomos nga forcat politike në Shqipëri e Kosovë, të cilat Qosja i ka kritikuar rreptë dhe ka shprehur një mospëlqim të hapur ndaj sjelljes së tyre në pushtet ose jo në raport me popullin, ka denoncuar demagogjinë, korrupsionin dhe deri antishqiptarizmin e tyre. Për shembull, Rexhep Qosja është pagëzuesi i gazetës së parë opozitare në Shqipëri në vitin 1991, “Rilindja Demokratike”. Por është pikërisht kjo gazetë dhe simotrat e saj që për më shumë se një çerek shekulli nuk kanë kursyer asnjë akuzë dhe kanë harxhuar tonelata bojë të zezë për të deniguar figurën dhe emrin e këtij personaliteti të madh të kulturës sonë kombëtare. Në njëfarë mënyrë, ata, politikanët dhe gazetarët që mbushin dhe nxijnë faqet e RD-së e kanë “ekzekutuar” Rexhep Qosjen sipas mënyrës së tyre.

Ndaj dhe në portretin e shkrimtarit dhe disidentit Tarik Saraçi nuk është e vështirë të gjenden elementë dhe përvoja personale të diskriminimit të autorit Rexhep Qosja në një kohë tjetër të ashtuquajtur demokratike, paskomuniste. Autorin natyrisht që e trishtojnë këto sulme të paskrupullta, e indinjon mosmirënjohja, e irriton harbutëria, e lënë pa gjumë provokatorët dhe keqdashësit. E mërzit sidomos injoranca e turmave pa tru. Ç’interesa ka prekur ai, çfarë plagësh ka lënduar që ta ndëshkojnë pamëshirshëm duke e “hedhur në erë” si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, bash si personazhin e tij Tarik Saraçin, pasi shkeli një minë në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe njëra gjysmë e trupit fluturoi andej e gjysma këtej?

Autorit i vjen keq për ata që e sulmojnë, madje duket se i mëshiron, pasi edhe ata janë shqiptarë, ndaj shpesh përsërit me dhimbje vargjet e Naimit:

Shqipëri, të qofsha falë,

Të kam nënë e më ke djalë!

***

Rexhep Qosja e ka pasuruar librin e tij me shprehje lapidare që përmbledhin një filozofi dhe një përvojë të gjatë jetësore:

Fol me të vdekurit për të kuptuar të gjallët!

Ose: Edhe kur ikën, mos ik duke kthyer kokën pas!

Ose: Po të mos kishte revolucione, nuk do të kishte përtëritje dhe rilindje.

Ose: Gënjejnë shkrimtarë, gënjejnë shkencëtarë dhe gënjejnë politikanë kur është fjala për amerikanët dhe Amerikën.

Ose: Industria dhe estetika janë në luftë të vazhdueshme, të cilën fatkeqësisht, po e fiton industria.

Ose: Fluturimeve nuk u dihet fundi: ata që fluturojnë ata edhe mund të rrëzohen.

Ose: Operacionet plastike të fytyrës nuk e ndërrojnë vetëm fytyrën: mjekët thonë se ato e ndërrojnë edhe shpirtin.

Ose: Tymi i gënjeshtrave e ka mbuluar qiellin e të vërtetave (Hegel) etj. etj.

***

“Nuk është dobësi të rrëzohesh, por të mbetesh i rrëzuar” citon autori mendimin e gjeniut gjerman Gëte. Këtë frazë ai na e sjell në roman nëpërmjet ligjëratës së një oratori të ri në Kosovë, ku bëhej një konkurs gojëtarie si në Greqinë antike. Gara e gojëtarëve të rinj sipas modelit të para dymijë e pesëqind vjetësh, kohë kur lindi demokracia sipas filozofisë së Sokratit, në kontekstin historik të kombit shqiptar në shekullin e njëzetenjëtë është mjaft domethënëse: E para, për ringritjen e demokracisë dhe ringritjen morale të kombit e vetmja rrugë është ajo e rikthimit te vlerat themelore të demokracisë së pastër dhe, e dyta, e vetmja shpresë për këtë ringritje janë të rinjtë, të rinjtë e mençur, idealistë dhe të guximshëm.

Kjo garë e oratorëve të rinj zhvillohet në Kosovën e shekullit të njëzetenjëtë. Është kjo një gjetje interesante me një nëntekst të fuqishëm që ngjall shpresë.

Por mbyllja e romanit është dëshpërues. Ky nuk është nga romanet me happy end. Nuk kishte si të ishte. Përkundrazi. Në një mbledhje përkujtimore që organizohet në Tiranë, me vonesë për krijuesin Tarik Saraçi, ku marrin pjesë ajka e inteligjencës dhe politikës së Tiranës, ndodh diçka e shëmtuar, ngjarja më e rëndë në gjithë romanin e Rexhep Qosjes: Delina Derti një nga personazhet më simpatikë në romanin në fjalë, vritet pa mëshirshëm në tubimin përkujtimor nga ish burri i saj. Emri i vrasësit: Sylejman Akjani, të cilin autori e ngatërron me Arkanin famëkeq të masakrave në Kosovë. E këtë vrasje nuk e justifikon as Kanuni i Lekë Dukagjinit e jo më kushtetuta e një shteti modern të shekullit të 21-të! Dikur, prijësi i demokratëve fliste në një fushatë referendare për Kushtetutën dhe ngrinte në qiell Kanunin: Kanuni është kushtetuta e universit, thoshte.

Kjo mbyllje romanit është domethënëse për të justifikuar situatën në të cilën ndodhemi. Na duhet shumë rrugë ende për të përshkuar për të dalë nga faza e barbarisë. Prandaj dhe ne nuk mund të nxjerrim ende në krye një elitë politike dhe qytetare, të përkushtuar dhe atdhetare që të punojë për mbrothësimin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Shukri Buja I nderuar z.Walker! Të nderuar bashkëluftëtarë, familje…