BIK-u i shpall zgjedhjet për Kuvend dhe për myfti
Kryesia e Bashkërisë Islame të Kosovës (BIK) bazuar në kompetencat e saj ka marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe për kryetar të Kryesisë së BIK-ut (Myfti) për periudhën e ardhshme pesëvjeçare (2018-2023).
Përmes një komunikate për medie, BIK-u ka njoftuar se zgjedhjet për anëtar të Kuvendit të BIK-ut dhe propozimet për myfti do të mbahen gjatë muajit tetor 2018.
“Zgjedhjet do të mbikëqyren nga Komisioni Kryesor i Zgjedhjeve që e emëroi Kryesia. Në këtë mbledhje, Kryesia e BIK-ut pas shqyrtimit të rezultateve të konkursit për dekan të FSI-së ka emëruar edhe për një mandat prof. dr. Farush Rexhepin dekan të FSI-së. Në këtë mbledhje, Kryesia e BIK-ut pas shqyrtimit dhe analizimit ka miratuar edhe raportin për organizimin e Haxhit 2018 si dhe raportin për aksionin e grumbullimit, therjes dhe shpërndarjes së mishit të kurbanëve. Po ashtu, Kryesia konform kompetencave të saj, ka shqyrtuar dhe i vendosi për një sërë lëndësh të arritura në Kryesi ndërmjet dy mbledhjeve”, është thënë në komunikatën për medie të BIK-ut.