BIK-u: Komunikata e Speciales për Thaçin e Veselin, veprim politik
Bashkësia Islame e Kosovës e ka vlerësuar si politike komunikatën e Gjykatës Speciale, parmes të cilës është bërë publike ngritja e akuzës për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.
Përmes një deklarate, BIK-u ka theksuar ky veprim politik dëmton vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës Speciale.
“Me shqetësim të thellë kemi ndjekur veprimet e drejtësisë ndërkombëtare ndaj presidentit të vendit, z. Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Komunikatën e prokurorëve ndërkombëtarë për presidentin Thaçi, duke u bazuar në momentin e bërjes së saj publike, e konsiderojmë veprim politik që dëmton së pari vetë kredibilitetin dhe besueshmërinë e Gjykatës, dhe së dyti, konsiderojmë se, në emër të drejtësisë, po mëtohet të atakohen e përdhosen kauza dhe misioni UÇK-së për lirinë e vendit”, është thënë në deklaratën e BIK-ut.
Sipas BIK-ut, atakimi i vlerave të UÇK-së po bëhet në emër të drejtësisë me veprime të padrejta dhe në kundërshtim me parimet dhe praktikat e drejtësisë ndërkombëtare. “Tentimi për ta paraqitur kriminale luftën e drejtë të UÇK-së është tentim për ta barazuar kriminelin me viktimën. Ne i bashkohemi fuqishëm zërit të popullit që kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, duke e vlerësuar të paprecedent qasjen e drejtësisë ndërkombëtare, që kohë më parë publikuan edhe një njoftim për një aktakuzë të pakonfirmuar ndaj dy prej liderëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Hashim Thaçit dhe z. Kadri Veselit”, është thënë në deklaratë.
BIK-u ka vlerësuar se ky veprim përbën shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkel parimin bazë të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë. “Ne, si edhe tërë populli, UÇK-në e konsiderojmë vlerën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë më të re të popullit tonë dhe të cilën e ruajmë me shumë mburrje. E ritheksojmë edhe një herë se lufta mbrojtëse e UÇK-së, e cila është bërë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, ka qenë e drejtë dhe do të mbetet përgjithmonë e tillë. Ne besojmë dhe angazhohemi për drejtësi, por konsiderojmë se me veprime të padrejta, selektive e të njëanshme nuk mund të vendoset drejtësia”, ka përfunduar deklarata për medie e BIK-ut.