BIK-u reagon lidhur me deklaratën e myftiut nga Beogradi
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka reaguar në lidhje me deklaratën e myftiut të Beogradit, Jusuf Spahiq, i cili kishte thënë se Kosova është djep i Serbisë.
Në një reagim të BIK-ut, thuhet se një veprim i tillë është treguesi më i mirë për politizimin e fesë për interesa të ulëta e meskine të një njeriu që është në shërbim të politikës serbe.
Reagimi i plotë i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës:
I bëjmë me dije të ashtuquajturit Myfti të Beogradit se Kosova kurrë s’ka qenë pjesë e Serbisë e aq më pak djep i Serbisë. Ç’është e drejta, Kosova një kohë jo të shkurtë ka qenë e okupuar nga Serbia, por populli dhe paria e Kosovës kurrë nuk u pajtuan me okupimin serb dhe në vazhdimësi janë angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Po ashtu i themi të ashtuquajtur Myfti të Beogradit, të bashkërenditurve me të dhe mentorëve të tij se Kosova tash e 19 vjet është e lirë, ndërsa tash e një dekadë shtet i pavarur e demokratik, i pranuar ndërkombëtarisht nga mbi 116 vende, andaj angazhimi juaj për të “ruajtur” Kosovën në kuadër të Serbisë i përket së kaluarës, të cilën ne tashmë e kemi lënë prapa.
“Myftiu” i Beogradit edhe mund t’ia bëjë ndonjë argat politikës zyrtare serbe siç edhe e thotë në rastin e Gambias, por një duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë arritje që nuk bëjnë kurrë prapakthim.
Po ashtu i bëjmë me dije se Kosova ka institucionet e saj fetare, të organizuara në kuadër të Bashkësisë
Islame te Kosovës e që kujdesen për besimtarët e saj, andaj Spahiqi s’ka pse të brengoset asgjë për myslimanët e Kosovës.
Deklaratat e Spahiqit nuk janë qëndrime të besimtarëve të Sanxhakut e assesi të Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës), madje jemi të bindur që nuk janë as qëndrime të atyre myslimanëve që jetojnë në Beograd.
“Myftiu” Jusufspasiq është myfti i politikës zyrtare serbe dhe paraqet vetëm qëndrimet e mentorëve të tij e assesi të besimtarëve myslimanë.