Bilall Sherifi: Në fund nuk do t’i kujtomë fjalët e armiqve, por heshtjet e miqve tanë
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për të mos përfshirë në rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve, rreth 3 mijë vota nga Serbia.
Sherifi në llogarinë e vet në “Facebook” ka përdorur thënien e famshme të Martin Luther-King: “Në fund, nuk do t’i kujtomë fjalët e armiqve, por heshtjet e miqve tanë”.
“Sidoqoftë, nuk harrojmë as ata që në këto momente të rënda na qëndruan afër dhe kishin besim që ligjshmëria do të ngadhënjejë në Kosovë”, ka shkruar Sherifi.
Postimi i plotë:
Në fund, nuk do t’i kujtomë fjalët e armiqve, por heshtjet e miqve tanë!
Situata që kemi kaluar kohëve të fundit, sidomos gjatë përpjekjeve që me ndihmën e 3104 votave të ardhura në mënyrë ilegale nga Serbia t’i eliminojnë nga përfaqësimi më shumë se 42 mijë qytetarë të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, ishte tejet e vështirë.
Ajo që më së shumti më ka rënduar në periudhën që kemi kaluar sintetizohet në mënyrë brilante në thënien e famshme të Martin Luther-King: “Në fund, nuk do t’i kujtomë fjalët e armiqve, por heshtjet e miqve tanë”.
Sidoqoftë, nuk harrojmë as ata që në këto momente të rënda na qëndruan afër dhe kishin besim që ligjshmëria do të ngadhënjejë në Kosovë!