Bilall Sherifi: PZAP-i ktheu ligjshmërinë, Nisma është pjesë e Kuvendit
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se me vendimet e sotme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ktheu ligjshmërinë dhe konfirmoi atë që vazhdimisht e kanë thënë, se me votat e ligjshme Nisma është pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Urime dhe falënderime të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të Koalicionit tonë! Gjithashtu, mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që ngritën zërin kundër tendencave për të pranuar si të ligjshme zarfet e ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia”, ka shkruar Sherifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
PZAP-i ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën e koalicionit Nisma-AKR-PD dhe ka urdhëruar KQZ-në që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.
/Epoka e re/