Bilanci i aksidenteve gjatë vitit 2023 në Kosovë: Mbi 100 të vdekur dhe mijëra të lënduar
Të paktën 104 të vdekur dhe mijëra të lënduar, është bilanci i aksidenteve rrugore për vitin 2023.
Sipas të dhënave të Policisë, gjatë këtij viti janë shënuar mbi 22 mijë aksidente në total. Krahasuar me vitin e kaluar, numri i aksidenteve vitit 2023 është rritur mbi një mijë sosh.
Sipas statistikave të policisë, shihet se gjatë 2023-ës ka rritje edhe të aksidenteve me persona të lënduar.
Gjatë vitit 2023, 8 mijë e 833 persona u lënduan në aksidente komunikacioni, ndërsa në vitin 2022 kishte 7 mijë e 748 persona me lëndime trupore.
Ndërsa, aksidente me dëme gjatë këtij viti janë regjistruar 13 mijë e 294, kurse vitin e kaluar ishin 12 mijë e 951.
Në total, gjatë këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 22 mijë e 370 aksidente, ndërsa vitin e kaluar kishte 20 mijë e 794.
Nga aksidentet me fatalitet, të vdekur gjatë këtij viti kanë mbetur 46 shoferë, 28 këmbësorë, si dhe 28 pasagjerë, ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar 106 persona të vdekur.
Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës që publikohen pas aksidenteve, shkaqet më të shpeshta që çojnë në aksidente, janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja e ngasjes së makinave me kushtet në rrugë dhe kushtet atmosferike, si dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.
Përgjatë 21 viteve, në Kosovë janë shënuar 2 mijë e 573 aksidente dhe si pasojë e kësaj kanë vdekur 2 mijë e 930 persona.
Gara automobilistike që përfundoi me tragjedi
Dy javë më parë, në natën e 16 dhjetorit, mbetën të vdekur tre të rinj si pasojë e një aksidenti të shkaktuar në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Tre të vdekurit ishin pjesë e organizimit të garës automobilistike e cila nuk nxori fitues, por Kosova humbi tre qytetarë. Në momentin e aksidentit, viktimat kanë qenë duke e shikuar garën.
Pas aksidentit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuarit për shkaktim të aksidentit, të cilët aktualisht gjenden në paraburgim.
Lidhur me këtë aksident tragjik, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, gjatë konferencës së fundvitit tha se Njësia për Kontrollin e Autostradave gjatë këtij vitit ka parandaluar 50 gara ilegale në të gjithë rajonin e Kosovës si dhe kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrësit në gara.
Ai ka folur edhe për shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve.
“Shkaktarët me të shpeshtë sipas analizave të policisë janë mosmbajtja e distancës së sigurisë mes mjeteve, manipulimi i pasigurt me automjet, mospërshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, kyçja e pasigurt në rrugë, radhitja e parregullt apo ndërrimi i shiritave e kthimrrotullimi-lëvizja prapa”, ka deklaruar Hoxha.
Paralajmërohet ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave të trafikut.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë konferencës së fundvitit, ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.
Sveçla ka thënë se përmes masave që do të merren ndaj shkelësve, masa do të ketë edhe ndaj, siç ka thënë ai, neglizhencës së zyrtarëve policorë për trajtim me prioritet të garave të paligjshme.
Ai ka thënë se tashmë është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, Ligji për ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik dhe aktualisht është duke u shqyrtuar nëpër komisionet e përhershme, para se të miratohet në lexim të dytë.
Ministri ka thënë se Ligji i ri, nëse miratohet, parasheh dyfishim të gjobave, konfiskim të patentë-shofërëve dhe dyfishim të pikëve, dhe se barra kryesore do të rëndojë mbi pronarin e makinës.
“Përmes teknologjisë do të penalizojmë pronarët veturave, atyre veturave që bëjnë shkelje në trafik, e dënimet do të dërgohen në mënyrë të automatizuar te pronarët”, ka thënë Sveçla.
Trefishohet numri i automjeteve qarkulluese në Kosovë
Të dhënat e Policisë, tregojnë se këtë vit është trefishuar numri i automjeteve qarkulluese në Kosovë.
Në vitin 2011 kanë qenë të regjistruar 189 mijë e 143 automjete në qarkullim. Por, në vitin 2022 ky numër është rritur në 420 mijë e 960 mjete në qarkullim. Ndërsa, këtë vit kanë qenë në qarkullim 442 mijë automjete.
Ndërkaq, gjatë këtij viti sipas statistikave të Policisë 3 milionë e 500 mijë vetura kanë hyrë dhe dalë nga Kosova.
Gjykimi i rasteve të aksidenteve gjatë vitit 2023
Më 24 tetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit për akuzën lidhur me aksidentin ku goditi një fëmijë.
Aktgjykimi i Themelores po ashtu kishte obliguar Hajdarin që të paguajë shumën prej 100 euro për mendimin e ekspertit të komunikacionit dhe 900 euro për super-ekspertizë, ndërsa 50 euro për ekspertizë mjeko-ligjore
Me aktgjykimin e Themelores nuk ishte pajtuar ministrja Hajdari, e cila përmes avokatit të saj, kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës së kundërvajtjes, aplikimit të gabuar të ligjit material, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për shpenzimet e procedurës kundërvajtëse.
Por, Apeli sipas aktgjykimit të 15 dhjetorit 2023 të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, refuzoi si të pabazuar ankesën e ministres Hajdari të paraqitur ndaj vendimit të shkallës së parë.
Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohej me “mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”.
Po ashtu në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë 2023-ës ka vazhduar gjykimi në rastin ku B.H po akuzohet se në shtator të 2020-ës ka shkaktuar aksident duke goditur me veturën e tij motoçiklistin, i cili më pas ka ndërruar jetë.
Më 16 prill 2023, Gjykata Themelore në Pejë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, duke i dënuar me 15 vite burgim (së bashku), pasi pranuan fajësinë se si pasojë e aksidentit të trafikut që shkaktuan, vdiq kadeti policor F.Sh, dhe se të njëjtit nuk i ofruan ndihmë pas aksidentit.
Aktgjykimi i Themelores për këtë rast është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Gjatë këtij viti, në Gjykatën Themelore të Pejë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj të pandehurit Eraj Temaj, i cili akuzohet për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit të shkaktuar kishte vdekur 22-vjeçari. /betimi për drejtësi