Bilanci i pandemisë së COVID-19 në botë, 9 milionë të infektuar, afro 500 mijë të vdekur
Orët e fundit kanë arritur në gati nëntë milionë njerëzit e infektuar në të gjithë botën, ndërsa mbi 468 mijë prej tyre kanë humbur jetën, raporton noa.al duke cituar të dhënat e OBSH.
24 orët e kaluara u regjistruan 156 mijë të infektuar dhe afro 5 mijë të vdekur. Këto shifra janë bërë të përditshme dhe duket sikur koronavirusi i ri nuk po i ndahet botës dhe po vazhdon të pushtojë vendet me ritme të shpejta.
Në të gjithë botën janë 216 shtete të infektuara kurse nuk ka zyrtarisht të dhëna nga Koreja e Veriut.
Nga totali 9 milionë të infektuar, 2.3 milionë janë në Europë, gati 2.4 milionë në SHBA.
Sipas një studimi të zhvilluar nga BBC, gjatë muajve të pandemisë është shënuar një rritje konsiderueshme e vdekjeve nga shkaqe të ndryshme.
Sipas të dhënave paraprake nga 27 vende, të paktën 130,000 persona në të gjithë botën e kanë humbur jetën gjatë muajve të fundit, mesatare kjo shumë më e lartë se e viteve të mëparshme.
Numri i vdekjeve mbi mesataren sugjeron se ndikimi i pandemisë i tejkalon shifrat zyrtare të raportuara nga qeveritë.
Sipas ekspertëve disa mund të jenë viktima të paregjistruara nga COVID-19, por të tjerët mund të jenë rezultat i vështirësive të shkaktuara nga mbingarkimi i sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe një sërë faktorësh të tjerë.
Krahasimi i drejtpërdrejtë i numrit të vdekjeve midis vendeve të ndryshme është i vështirë dhe saktësia e të dhënave në lidhje me COVID-19 varet nga studimet dhe testimet që zhvillojnë qeveritë përkatëse.