‘Bild’: Thomas Muller nuk do të luajë më për Gjermaninë
Thomas Muller nuk do të luajë më për kombëtaren gjermane, shkruan gazeta e njohur ‘Bild’. Në faqen e parë gazeta gjermane prezanton informacionin se sulmuesi 34-vjeçar i Bayernit ka vendosur përfundimisht që karrierën e tij ndërkombëtare ta mbyllë me Toni Kroos.
Kjo nuk është befasi, sepse vetë Muller, i zhgënjyer pas eliminimit nga Spanja në Shtutgart, e ka bërë të ditur. “Realisht, ka mundësi që kjo të jetë ndeshja ime e fundit ndërkombëtare. Pas UEFA Euro, do të ulem me trajnerin Julian Nagelsmann, me të cilin kam një marrëdhënie konfidenciale dhe do të marr një vendim. Por siç thashë, realisht unë e kam mbyllur”, ka thënë Muller.
Ai shënoi 45 gola në 131 ndeshje për Gjermaninë, fitoi Kupën e Botës në 2014. Ai donte edhe UEFA Euro-n, por “furia” dhe Mikel Merino i penguan me një gol në minutën e 119-të.