“Bild”: Vladimir Putin, agjent sekret i STASI-t!
Gazeta gjermane “Bild” shkruan se në arkivat e STASI (Shërbimi i Sigurisë Shtetërore) është gjetur një kartë identiteti e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, e cila thuhet se i përket presidentit rus Vladimir Putin. Ai thuhet se ishte agjent i KGB-së në Dresden në vitet 1985-1990.
“Bild” ka publikuar një fotografi të kartës së identiteti të lëshuar për “Maj. Vladimir Putin”, e nënshkruar dhe vërtetuar me pulla.
Sipas medies gjermane, dokumenti është gjetur në dosjet e zyrës së STASI të Dresdenit për “kuadro dhe arsim”.
Konrad Felber, i cili kryeson degën e Dresdenit të autoritetit që mbikëqyr arkivat e STASI i ka thënë “Bild” se dokumenti në fjalë do t’i lejonte Putinit të hynte dhe të largohej lehtësisht nga zyrat e STASI.
Ai shtoi se kjo do të kishte bërë rekrutimin e agjentëve më të lehtë, sepse Putin nuk duhet t’i tregonte askujt se punonte për KGB-në./gazetashqoptare/