Bill Clinton i telefonoi Hashim Thaçit në ditën e tërheqjes së ushtarit të fundit serb nga Kosova
E admiroj lidershipin tënd dhe pres me padurim të takohemi, i ka thënë presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, liderit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, gjatë një bisede telefonike, më 20 qershor 1999, në ditën kur pjesëtari i fundit i forcave të mposhtura serbe prej 47 mijë trupash dhe 800 tankesh u tërhoqën nga territori i Kosovës.
Ai ka falënderuar Thaçin për bashkëpunim duke i thënë se do të punojnë së bashku edhe më tutje për vendosjen e paqes në vendin e çliruar, thuhet në dokumentin amerikan, që deri në vitin 2012 ka qenë jopublik.
Presidenti Clinton është shprehur i lumtur që forcat e Millosheviqit u larguan nga Kosova dhe që pas kësaj UÇK ka pranuar të transformohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
“Urime për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Jam shumë i kënaqur që kjo ndodhi në të njëjtën ditë kur forcat serbe kompletuan tërheqjen nga Kosova”, ka thënë Clinton, gjatë kësaj bisede, e regjistruar nga Shtëpia e Bardhë.
“Faleminderit! Është një nder për neve që ju na uroni për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Ky është edhe suksesi juaj. Për neve ky është një kompromis për të punuar së bashku drejt paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon”, i ka thënë Thaçi, thuhet në dokument.
Atë ditë Clinton ndodhej për vizitë në Gjermani dhe Thaçit i ka telefonuar nga qyteti Keln, nga hoteli Hyatt, në ora 18:30.
“E di. Dhe të jam mirënjohës për këtë. Unë të siguroj se do të bashkëpunojmë plotësisht për të sjellë siguri, një forcë policore vendore, si dhe vetëqeverisjes të mirëfilltë për popullin e Kosovës. Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën. Jam shumë i lumtur që ia dolëm të ndalim spastrimin etnik të Kosovës”, citohet t’ i ketë thënë tutje Thaçit, presidenti amerikan.
Në vazhdim të bisedës Thaçi i thotë presidentit amerikan se ndalimi i spastrimit etnik është rezultat edhe i përpjekjeve të Clintonit dhe se përkushtimi për të punuar së bashku për paqe do të mbetet i njëjtë edhe në të ardhmen.
“Ne mund të garantojmë se do t’i respektojmë të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve në Kosovë. Jemi të përkushtuar për liri, paqe dhe demokraci për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Ne po ashtu do të punojmë për ekonomi të lirë dhe të hapur. Biseda jonë e sotme do të jetë po ashtu një nxitje drejt këtyre qëllimeve”, i ka thënë Thaçi presidentit të shtetit që udhëhoqi sulmet e NATO’s mbi Serbinë.
Në vazhdim të bisedës Clinton vlerëson lartë përkushtimin e Thaçit për një Kosovë ku të gjithë do të jenë të barabartë pa dallim etnie dhe shpreh admirim për udhëheqjen e Thaçit.
“Do të kemi një të ardhme të mirë. Pres me padurim të takohemi dhe e admiroj lidershipin tuaj”, ka thënë Clinton, thuhet në dokument.
“Faleminderit, zoti President! Beteja e re që na pret tani është kthimi i refugjatëve, rindërtimi, vendosja e shoqërisë civile, mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe pluraliste. Ne do ta bëjmë këtë përmes mekanizmave tonë por gjithashtu me ndihmën dhe përkrahjen tuaj. Uroj të keni shëndet të mirë dhe sukses si në jetë ashtu edhe në punë”, i ka thënë Thaçi në përmbyllje të bisedës.
Hashim Thaçi ka vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me presidentin Clinton, pastaj me presidentët Bush dhe Obama, si dhe me zevendes presidentin Joe Biden i cili e ka quajtur edhe George Washington i Kosoves.
Raportet e mira me administratën amerikane, si kryeministër dhe president, Thaçi i vazhdoi edhe gjatë mandatit të presidentit Trump, deri ne shkuarjen e tij vullnetare në Gjykatën e Hagës, në vjeshtë të vitit 2020, pas akuzave, bazuar në raportin e Dick Martyt.
Procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe krerëve tjerë të UÇK-së Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, vazhdon më 10 maj.
Më poshtë e gjeni dokumentin amerikan me transkriptimin e bisedës Clinton-Thaçi.