Bill Clintoni ia dha fjalën Ekrem Bardhës se do ta ndalte gjenocidin në Kosovë
Shkruan: Ferdinand Samarxhi
Fitues i Antenës së Artë/Mjeshtër i Madh
Ekrem Bardha, shqiptaro-amerikani që loboi aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (3)
– Shqiptari që takoi gjashtë presidentë amerikanë, sekretarë shteti, senatorë, kongresmenë, ambasadorë… U arratis nga Shqipëria, por kurrë dheun, vendin e vet, nuk e tradhtoi. Kosova ishte zemra e tij.
Vazhdon përgjigjja e pyetjes: Çfarë ishte NAAC-u? Përse e themeluat ju?
Ekrem Bardha: Kështu i propozova ambasadorit Ryerson që të ishte ai kryetari i lobit shqiptaro-amerikan, në ndihmë të çështjes kosovare, mirëpo ai nuk pranoi. Ai tha se kryetari i këtij lobi duhej të ishte një shqiptar, ndërsa më premtoi se ndihma e tij do të ishte e pakursyer. Kështu ndodhi, ambasadori Ryerson e mbështeti me të gjitha mundësitë e tij këtë nismë dhe luajti rol të madh në krijimin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Për krijimin e kësaj organizate shkova në Nju Jork dhe bisedova me Gary Kokalarin, Bruno Selimajn, Harry Bajraktarin, Sejdi Biticin, Dino Erbelin, vëllezërit Fundo, Sami Repishtin dhe në vitin 1996 krijuam Këshillin Shqiptaro-Amerikan (NAAC). Vlen të përmendet që NAAC-i ishte një organizatë vullnetare dhe mbetet në historinë e diasporës së Amerikës si këshilli më i njohur për veprimtarinë e tij në mbështetje të kauzave shqiptare dhe që zhvilloi në vitet që do të pasonin, një punë të çmuar me takime, udhëtime, mbledhje, demonstrata paqësore në mbështetje të çështjes kosovare. Gjatë angazhimeve shumëvjeçare ky këshill pati veprimtari të ngjeshur. Gjatë luftës së Kosovës spikati takimi i një përfaqësie të NAAC-ut me presidentin amerikan Bill Clinton, takimi me zëvendëspresidentin Al Gor, Zonjën e Parë, Hillari Clinton, ambasadorin Richard Holbrook dhe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Sandy Berger. Gjithashtu, Këshilli ka mbajtur takime të rregullta me Departamentin e Shtetit dhe anëtarë të Kongresit. Takimi me delegacionet gjatë bisedimeve në Rambuje, apo asistimi si vëzhgues në zgjedhjet e para në Kosovë pas luftës, ishin disa prej angazhimeve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
Fotografi nga takimi i Ekrem Bardhës me Madeleine Albrightin dhe Hillary Clintonin
Në fillimet e para të UÇK-së, Uashingtoni kishte një mendim të gabuar, që UÇK-ja ishte një organizatë terroriste. Si ndikoi NAAC-ja në ndryshimin e këtij mendimi?
Ekrem Bardha: Aktiviteti ushtarak i UÇK-së rritej dita-ditës, ndërsa qendra e saj ishte lugina e Drenicës, zonë që kontrollohej nga komandanti i saj Adem Jashari. Disa ditë pasi Robert Gelbard e quajti UÇK-në grup terrorist, policia serbe sulmoi UÇK-në në zonën e Likoshanit dhe ndoqën disa prej luftëtarëve deri në Qirez, duke vrarë 16 luftëtarë shqiptarë, por mbetën të vrarë dhe katër policë serbë.
Policia serbe ndoqi komandantin e parë të UÇK-së, Adem Jasharin, dhe bashkëluftëtarët e tij deri në fshatin Prekaz i Poshtëm. Pas një lufte të ashpër treditore, ku ushtria jugosllave përdori mjete të blinduara dhe artileri mbi shtëpinë e Adem Jasharit, mbetën të vrarë 56 anëtarë të familjes Jashari, nga të cilët 15 ishin gra dhe 10 fëmijë. Masakra e 5 marsit 1998 shkaktoi rritim të thellë në kryeqytetet perëndimore. Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright tha se tashmë “kjo krizë nuk është një çështje e brendshme e Republikës Federative të Jugosllavisë”. Në këtë situatë, Këshilli Shqiptaro-Amerikan, organizoi një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, me zëvendësministrin e Jashtëm, ambasador Robert Gelbard. Në atë takim morën pjesë drejtori i NAAC-ut, Ilir Zherka, Gary Kokalari, Dino Erbeli dhe Lou Fundos. Arsyeja e këtij takimi ishte situata e rënduar në Kosovë dhe shqetësimi që ishte krijuar nga disa deklarata negative për luftëtarët e UÇK-së. Unë kisha mbetur i habitur dhe njëkohësisht i shqetësuar për deklaratën e ambasadorit Gelbard se “ushtarët e UÇK-së janë terroristë”. Gelbard na priti në zyrën e tij dhe nisi të na fliste për atë që po bënte administrata amerikane për çështjen e Kosovës. Papritur, Gelbard nxori nga sirtari i tavolinës së tij emblemën e UÇK-së dhe ishte hera e parë që unë e shihja atë emblemë. “E dini ju se çfarë janë këta të UÇK-së?! Këta janë terroristë!”, tha Gelbard, prerë dhe me ton të lartë.
Në atë moment më zuri gjaku i shqiptarit, nuk e përmbajta dot veten dhe iu ktheva me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe aspak diplomatike. I thashë: “Shame on you! (Turp të kesh!) UÇK-ja nuk është terroriste, por ata djem dhe vajza luftojnë kundër një gjenocidi të pashembullt në qendër të Evropës dhe për të drejtat e tyre njerëzore”. Ambasadori nuk e priste një reagim të tillë. U befasua. U pa qartë një tronditje e tij nga reagimi im. Pas meje folën edhe Gary Kokalari, i cili edhe ai pati një reagim të ashpër ndaj kësaj deklarate të Gelbard. Në zyrën e Departamentit të Shtetit u krijua një gjendje e ndjerë dhe aspak miqësore.
Pas këtij takimi, Gelbart u largua nga detyra që mbante, ndërsa Departamenti i Shtetit filloi të pranojë UÇK-në, jo më si organizatë terroriste. Kjo ka qenë një këmbëngulje e Këshillit Shqiptaro-Amerikan. Jam i sigurt se nëse nuk do të kishte qenë ky reagim i ashpër yni, jo vetëm në atë takim, por në vijim, duke dënuar këtë qëndrim ndaj luftës heroike të UÇK-së për një kauzë të drejtë, çështja e Kosovës mund të ishte “groposur”. Interesi i Amerikës ndaj saj nuk do të kishte qenë aq i fortë dhe vendimtar për shkak të qëndrimeve të zyrtarëve të tillë si Gelbard.
Ambasadori Richard Holbrooke së bashku me Gelbart dhe ambasadorin Cristopher Hill shkuan në zonën e nxehtë të Kosovës, në Drenicë, takuan dy drejtues lokalë të UÇK-së, njëri jurist dhe tjetri gazetar. Një ditë më vonë, Departamenti i Shtetit deklaroi përmes zëdhënësit James Rubin, se amerikanët as nuk e kishin konsideruar dhe as e konsideronin UÇK-në si terroriste. Kjo deklaratë u pasua menjëherë nga një takim tjetër i fshehtë midis Gelbart-it dhe drejtuesve të UÇK-së në emigracion, në Zvicër. Koha vërtetoi se nëse UÇK-ja nuk do të kishte nisur veprimet e saj luftarake, as NATO-ja nuk do të ndërhynte në Kosovë. Por ndërhyrja e NATO-s dhe qëndrimi i politikës amerikane pro shqiptarëve për një Kosovë të pavarur, ishte vendimtare. Qëndrimin tim në mbështetje të UÇK-së si një formacion djemsh dhe burrash që luftonin për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të familjeve të tyre ndaj gjenocidit serb, ia kam përsëritur edhe ambasadorit amerikan Jim Dobbins, më 21 mars 2001, në një takim që patëm ne, anëtarët e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, në Departamentin e Shtetit Amerikan. Theksova se ishte gabim nga pala amerikane cilësimi i ushtarëve të lirisë në Maqedoni si terroristë. Nuk kaloi shumë kohë dhe qeveria amerikane e përkrahu luftën e shqiptarëve në Maqedoni, njësoj si në rastin me UÇK-në në Kosovë. Qeveria amerikane si gjithmonë u ka qëndruar pranë shqiptarëve dhe, në situata kritike, ka ndërhyrë në favor të tyre. Shqiptarët dhe brezat që do të vijnë do t’u jenë përherë mirënjohës Amerikës, politikanëve, diplomatëve, por dhe popullit të saj.
Si arritët ju bashkë me Këshillin Shqiptaro-Amerikanë, që ta bindnit presidentin amerikan Bill Clinton dhe zyrtarët e lartë ta ndaloni këtë gjenocid?
Ekrem Bardha: Zhvillimet në Kosovë ishin të dhembshme, ndërsa diaspora në ShBA bënte ç’ishte e mundur që t’i përcillte politikës amerikane këtë realitet dhe të kërkonte ndërhyrjen energjike të ShBA-së për t’i dhënë fund luftës. Në këtë situatë, kur çështja e Kosovës ishte kthyer në lajmin e parë të medieve ndërkombëtare dhe vëmendjes së opinionit publik, në mars 1999, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan i kërkoi një takim presidentit Clinton në Shtëpinë e Bardhë për ta informuar dhe për t’i prezantuar atij fakte se çfarë po ndodhte në Kosovë nga gjenocidi serb.
Gjithashtu qëllimi i takimit ishte që të inkurajonim diplomacinë amerikane dhe presidentin Clinton për të shpejtuar ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, për shkak se krimi shtetëror serb kishte marrë përmasa masive. Ftesa u pranua menjëherë nga Shtëpia e Bardhë dhe nga zëdhënësi i saj u caktua dita dhe ora e takimit. Nga Këshilli Kombëtar shkuan, përveç meje edhe Ilir Zherka, drejtori ekzekutiv i Këshillit, Avni Mustafa, si dhe anëtarë të bordit drejtues të Këshillit, Hajdar Bajraktari, Dino Erbeli, Bruno Selimaj, Musa Daka dhe Afërdita Rakipi, drejtoreshë e Komunikimit e Këshillit, por dhe përfaqësues të tjerë nga komuniteti, të ftuar nga Këshilli Kombëtar, si Luigj Gjokaj, Agron Gashi, Lavdim Cani dhe Agim Karagjozi.
Pasi zumë vend, hapet dera dhe në sallë hyri presidenti Clinton, i cili shoqërohej nga këshilltarët e sigurisë kombëtare, zotërinjtë Sandy Berger, Jim Steinberg, gjenerali George Casey e të tjerë. Që në fillim të bisedës, presidenti tregoi se e kishte mirëpritur këtë takim dhe më shumë interes për temën kërkoi hollësira dhe fakte konkrete që të informohej rreth gjenocidit serb. Ai u shpreh se kishte bërë takime me persona të cilët kanë një pjesë të familjeve në Kosovë dhe kishte dëgjuar prej tyre raste rrëqethëse, që për mbarë botën ishin të papranueshme se si në zemër të Evropës bëheshin tortura të tilla çnjerëzore ndaj popullatës civile.
Presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, në takim me drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan
Nga ana e Këshillit Kombëtar folën të gjithë anëtarët e tij, ku secili tregoi me fakte dhe prova se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe të gjithë iu lutën presidentit që sa më shpejt të bëhej e mundur një ndërhyrje në Kosovë. Gjithashtu ne paraqitëm shqetësimin lidhur me faktin se serbët po ua digjnin dokumentet e identiteteve shqiptarëve dhe po i detyronin të kalonin kufirin shtetëror. “Vetëm Amerika mund ta ndalte gjenocidin e çmendur serb ndaj shqiptarëve të Kosovës”, ishte mesazhi ynë për presidentin Clinton. Ishte një rast i rrallë, mund të thuash, ditë historike për kombin shqiptar, që në zyrën e sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë në Uashington, përfaqësues të diasporës, anëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan të diskutojnë me presidentin amerikan për çështjen shqiptare, të zbardhin para njeriut më të fuqishëm të botës masakrat serbe ndaj popullsisë shqiptarë në Kosovë. Takimi përfundoi me sukses. Ne morëm garanci nga vetë presidenti Clinton se gjenocidi serb do të ndalej, ndërsa theksoi angazhimin e tij personal për ndalimin e vrasjeve masive, si dhe lejimin e kthimit të kosovarëve në trojet e tyre. Beogradi do të bombardohej dhe se vetë Millosheviqi do të ndëshkohej nga gjykata speciale për krimet e tij të luftës.
Familja Bardha në takim privat me presidentin amerikan Bill Clinton
Përse u realizua darka në Paris-Rambuje me ambasadorin Chris Hill?
Ekrem Bardha: E ardhmja e Kosovës po shkruhej në Paris, pikërisht në kështjellën e Rambujesë. E gjithë vëmendja jonë, por dhe e mbarë botës ishte fokusuar në këto takime mes faktorit ndërkombëtar, politikanëve të Serbisë dhe Kosovës. Vendosa të shkoja në Paris. Miku im, ambasadori Chris Hill, ishte përfaqësuesi kryesor i diplomacisë amerikane në konferencën e Rambujesë. Ai përcillte në konferencë direkt propozimet e presidentit Clinton. Ai e vlerësonte luftën e UÇK-së, gjithashtu e njihte mirë edhe rolin e diasporës. Qëllimi im ishte të flisja me ambasadorin Hill dhe të ndikoja me të gjitha mundësitë e mia që çështja e Kosovës të merrte një rrugë pozitive për shqiptarët. Ishte momenti i shumëpritur, prej vitesh përpjekjeje dhe lobimi deri në nivelet më të larta të politikës amerikane, që ta shihnim dhe ta jetonim më në fund Kosovën të lirë dhe të pavarur.
Sapo arrita në Paris menjëherë rashë ne kontakt me Chris Hillin, te cilin e ftova për darkë në restorantin “Maxim’s”. Si mik imi dhe i shqiptarëve, ambasadori Hill e pranoi ftesën me kënaqësi. Pak më vonë telefonova shkrimtarin Ismail Kadare, i cili kishte qenë mjaft aktiv dhe kishte ndikuar pozitivisht të pala shqiptare, që bisedimet të përfundonin me sukses e të nënshkruhej marrëveshja. Në bisedë e sipër, Ismaili më thotë se kishte dëshirë të takohej me ambasadorin Hill, meqenëse ai ishte njeriu kyç që mund të ndikonte pozitivisht në bisedimet e Rambujesë. Të gjithë mundoheshim në ato ditë të bënim çfarë të ishte e mundur. Ishte një angazhim frontal i faktorit shqiptar, përveç atij ndërkombëtar në favor të shqiptarëve, që nga këto bisedime të mos dilej me deklarata të paqarta dhe me vendime gjysmake. I thashë Ismailit se e kisha ftuar për darkë ambasadorin Chris Hill dhe nuk mbeti gjë tjetër veçse të caktonim orën. Takimi u la në tetë të mbrëmjes. Në hotelin ku ndodhesha unë, ishte edhe drejtori i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafa, të cilin e ftova për darkë.
Ismaili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Helena. Zumë vend në restorant dhe duke pritur ambasadorin, bisedat tona ishin gjithnjë rreth çështjes së Kosovës dhe të ardhmes së saj.
Ekrem Bardha dhe Ismail Kadare në takim me Cristopher Hillin në Rambuje
Ismail Kadare më tha se marrëveshjet e mëdha janë shkruar gjithmonë në Paris, si Konferenca e Versajës, e Janarit 1919 pas Luftës së Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes, tetor 1946 pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe fati i Kosovës do të nënshkruhet aty ku janë nënshkruar fatet e të gjitha kombeve në Evropë dhe më gjerë. Nuk mund ta fsheh se vonesa e ambasadorit Hill po na shqetësonte, shqetësim që lidhej me zhvillimet orë pas ore që ndodhnin në Rambuje. Vonesat në fakt nuk janë shenja të mira. Këtë e shprehu edhe Ismaili. “Vonesa, zoti Bardha, nuk është shenjë e mirë”, më tha Ismaili, por unë e qetësova, duke i thënë se po të mos vinte, ambasadori Hill do të më kishte lajmëruar me telefon. Në orën tetë e dyzet minuta, Chris Hill u shfaq në hyrje të restorantit së bashku me bashkëshorten. Na kërkoi të falur për vonesën, pastaj na tregoi se po atë natë kishte qenë i ftuar për një koktej nga delegacioni zyrtar kosovar. “E di që do t’u mbetet hatri që u largova, por tryeza e miqve që më presin është shumë më e rëndësishme për mua”, u kishte thënë Hill organizatorëve të koktejit dhe ishte larguar për të ardhur në takimin që kishim bashkë. U përshëndetëm si miq të vjetër, ndërsa ngjarjet në Kosovë ishin në qendër të bisedës sonë. Ne pyetëm se cili ishte qëndrimi i palës amerikane për të gjetur zgjidhje ndaj situatës në Kosovës. Deri ku do të shkonte këmbëngulja amerikane për të zmbrapsur serbët nga Kosova?! Si Kadareja, ashtu edhe unë, i kërkuam ambasadorit ndërhyrjen sa më parë të Qeverisë amerikane në Kosovë, pasi situata ishte tepër e rëndë dhe konflikti mund të përhapej në Ballkan. Shqetësimi ynë ishte se mbledhja në Rambuje nuk do të përfundonte me një marrëveshje midis palëve, pasi Jugosllavia nuk do t’i pranonte kushtet e vendosura nga shtetet perëndimore.
Ambasadori Hill na njohu, brenda kornizave që i lejonte misioni diplomatik që kishte, se serbët po synonin vetëm të zvarritnin negociatat pa qëndrime të qarta, ndërsa ShBA-ja ishte e vendosur të mos e pranonte më këtë shtyrje të bisedimeve pa një rezultat. Ambasadori Hill na siguroi se, “nëse Jugosllavia nuk e nënshkruante marrëveshjen, NATO-ja do të fillonte menjëherë bombardimet”. Sytë tanë shkëlqyen nga ngazëllimi kur dëgjuam me veshët tanë këtë deklaratë. Ishte një burim i sigurt që duhej besuar dhe ne, personat në tavolinë ishim të parët që e mësuam këtë sihariq për çdo shqiptar. Kadareja më tha: “More Ekrem, a mund ta besosh një gjë të tillë?! Për mua është e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme!”.
Tashmë pritej vetëm vendimi dhe vërtet ashtu ndodhi. Marrëveshja u nënshkrua vetëm nga delegacioni shqiptar. Vetëm nëntë ditë më vonë nga ajo darkë, më 24 mars 1999, bombat e para të NATO-s ranë mbi Beograd. Shqiptarët kudo ndodheshin në botë e pritën lajmin me gëzim të madh. Aleanca më e madhe politike dhe ushtarake në botë, NATO dhe aleati më i madh i shqiptarëve, Amerika, ishin në krah të shqiptarëve për t’i dhënë fund pushtimit serb dhe gjenocidit të tmerrshëm ndaj shqiptarëve. (Vijon)