Bill Gates: Kriptovalutat shkaktojnë vdekje
Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, beson se kriptovalutat si Bitcoin shkaktojnë drejtpërdrejt vdekjen, duke potencuar se monedha digjitale në mënyrë të konsiderueshme lehtëson blerjen e drogave.
Miliarderi amerikan duke iu përgjigjur pyetjeve të përdoruesve të Reddit në kolumnën “Më pyesni çfarë do qoftë” tha se anonimiteti i monedhave digjitale nënkupton se janë të lidhura me financimin e terrorizmit dhe pastrimit të parave.
“Karakteristika kryesore e kriptovalutave është anonimiteti i tyre. Nuk besoj se kjo është një gjë e mirë. Aftësia e qeverisë për të zbuluar pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe financimin e terrorizmit është një gjë e mirë”, ka thënë Gates, shkruan Anadolu Agency.
Gates beson se kriptovalutat shërbejnë për blerjen e fentanilit, analgjetikun e fuqishëm sintetik narkotik dhe droga të tjera.
“Kështu, kjo është një teknologji e rrallë që ka shkaktuar vdekjen në një mënyrë kaq të drejtpërdrejt”, tha Gates.
Disa njerëz e kritikuan atë për këtë mendim, duke theksuar se nuk ishte i informuar sa duhet për teknologjinë.
BBC rikujton se Gates më parë nuk ka patur një qëndrim të tillë për paratë dixhitale. Në vitin 2014, në një intervistë, ai pati deklaruar se Bitcoint është më e mirë se monedhat.
Rritja e vlerës së kriptovalutës ka nxitur qeveritë në mbarë botën që të shqyrtojnë me kujdes ndikimin e saj në ekonomi dhe tek qytetarët.