Binali Yildirim qëndron pas kandidatit të opozitës në sondazhe për kryetar të Stambollit
Para raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Stambollit, kandidati i AKP-së, Binali Yildirim në sondazhe qëndron pas kandidatit të opozitës. Shpresat e AKP-së mbeten në duelin televiziv të së dielës.
Të dielën, një javë para përsëritjes së zgjedhjeve në Stamboll, kandidati i partisë konservatore-islame AKP, Binali Yildirim dhe kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu dalin përballë në një duel televiziv në Turqi. Një duel i tillë, një gjë e vetëkuptueshme në shumë vende demokratike, është një rast i jashtëzakonshëm në Turqi. Prej 17 vitesh nuk ka pasur më duele televizive para zgjedhjeve. Që nga koha, kur presidenti turk, Erdogan dhe partia e tij, AKP erdhën në pushtet, ai i bojkotoi formate të tilla televizive.
Në një kohë që vetë Erdogani si politikan lokal i Stambollit përfitoi jashtëzakonisht në vitet 90-të nga duelet televizive. Si politikan i partisë islamiste paraardhëse të AKP-së, partisë së drejtësisë dhe bamirësisë, ai ndiqte qëndrime konservatore që nuk i përgjigjeshin rrymës kryesore politike në Turqi. Në duelet televizive, bashkë me mentorin e tij politik, Nexhmetin Erbakan ai kishte një platformë për të luftuar kundër imazhit negativ të partisë së tij. Në vitin 2002, në zgjedhjet parlamentare pasoi pastaj triumfi i madh: AKP e Erdoganit fitoi qartë zgjedhjet. Që nga ajo kohë, Erdogani nuk u pa më në duele televizive me kandidatë opozitarë.
Arif Beki, këshilltar për media i presidentit turk në vitet 2005-2009 e shpjegon kështu këtë ndryshim të strategjisë.
“Raunde të tilla bisedimesh, që i sollën avantazhe Erdoganit në të shkuarën, sot ai i konsideron të pavlefshme. Konkurrentët, që ai nuk i sheh si të barabartë nuk duhet të përfitojnë nga popullariteti i tij. Nga ana tjetër ai nuk do që të prezantohet në duele të tilla si i prapambetur, si ka ndodhur në këtë shkuarën”, thotë Beki.
Prandaj për shumë vetë është e pashpjegueshme, pse AKP, pas 17 vitesh para raundit të dytë të zgjedhjeve në Stamboll, lejon një duel televiziv me kandidatin e opozitës dhe këtë në kushte të balancuara. Moderatori i televizionit, Ismail Kücükkaya nuk njihet si i afërt me AKP, edhe televizioni Fox News që transmenton duelin njihet si kritik ndaj AKP-së. Nga ana tjetër, kandidati i opozitës Imamoglu është në avantazh në një duel të tillë. Ai njihet si folës elokuent, ndërsa Yildirimi duket në daljet publike si i papërpunuar dhe pa ide kreative. Immamoglu e njeh mirë artin e të shfrytëzuarit të pikave të dobëta të konkurrentit. Sondazhet tregojnë një avantazh prej 2-6 për qind të kandidatit të opozitës që nga vendimi për përsëritjen e votimeve.
Stambolli është qendra ekonomike e Turqisë dhe ka një arkë bashkie të mbushur plot, që nga partia qeverisëse AKP u shfrytëzua me vite për të mbajtur në këmbë kontaktet e rëndësishme me biznesin. Nga ana tjetër, vetë Erdogani ka qenë kryetar bashkie i Stambollit, dhe si i tillë ngriti një rrjet të fortë, prej nga pushtoi të gjithë Republikën.
Erdogan e di. Humbja e Stambollit do të ishte një humbje e madhe e pushtetit për të. Prandaj partia qeverisëse AKP ka ndërmarrë një sërë masash për të mënjanuar humbjen. Përsëritjen e zgjedhjeve nga Komisioni i Lartë Zgjedhor, që u arrit vetëm me presionin e AKP-së; një ofensivë marrjeje me të mirë e elektoratit kurd; përpjekje për ta diskredituar kandidatin opozitar duke pretenduar, se ai është i ndikuar nga “fuqi të huaja”. Por asgjë nuk pati sukses, Imamoglu doli gjithmonë i pandikuar në fushatë.
Opozitarët besojnë, se dueli televiziv është një lëvizje shahu e partisë AKP për t’u paraqitur si transparente dhe demokratike.
“Debati Imamoglu-Yildirim duhet të krijojë përshtypjen, se gara për postin e kryebashkiakut zhvillohet në kushte demokratike”, thotë politologu turk, Ülkü Doganay.
Shumë vetë e shohin këtë duel si një akt dëshpërimi. Kështu mendon edhe ish-këshilltari për media i Erdoganit, Arif Beki.
“Nuk mund të mendohet, se Erdogani e ka ndryshuar qëndrimin e tij papritur për duelet televizive. Arsyeja e vetme, pse ai ka dhënë dritën jeshile është është se fushata e Yildirimit deri më tani nuk ka pasur sukses”, thotë Beki.
Presidenti turk, i cili që nga viti 2002 gjithmonë është treguar aktiv në fushatën zgjedhore, këto ditë nuk ka dalë më në fushatë. Ka edhe nga ata që besojnë, se ai e ka lënë në mëshirë të fatit Yildirimin, për t’ia lenë pastaj më 23 qershor atij fajin, në rast të një humbjeje. /Deutsche Welle/