Binçe: Dëshiroj të luaj për Kosovën
Basketbollisti Norik Binçe, edhe pse është vetëm 15-vjeçar, ka depërtuar shumë shpejt dhe luan me sukses në Kroaci. “Jam pjesë e Cibonës në Kroaci, ku luaj për U17.
Më herët kam qenë pjesë e skuadrës Joker, ku jam stërvitur me trajnerin Jadran Vujaçiq. Por, në fillim të janarit pres t’i bashkohem skuadrës KK Zadar. Deri më tani jam shumë i kënaqur, por sigurisht se pres shumë në të ardhmen”, ka thënë Noriku për faqen zyrtare të FBK-së.
Basketbollisti 195 cm ka katër vjet që ka filluar të luajë basketboll. “Në Mal të Zi jam rritur shumë, ku pastaj kam depërtuar në Cibonë dhe më pas në Zadar. Kam luajtur në M Junior, pastaj te Prishtina e Re, nga mosha 11-vjeçare”, është shprehur ai. Dëshira e tij është që një ditë të luajë për “dardanët”.
“Kam pasaportë të Kosovës dhe të Kroacisë dhe jam duke shikuar për të ardhmen. Në të ardhmen sigurisht se do të doja të luaja për Kosovën, por për momentin ende nuk kam vendosur. Jam i fokusuar në skuadrën kroate”, ka shtuar Binçe.
“Të luaj në Eurocupe ose në Euroligë, e më pas në Champions League. Por, më pret një punë e madhe për ta realizuar ëndrrën. Jam vetëm 15-vjeçar dhe duhet shumë punë për suksese”, ka përfunduar Norik Binçe.