Binomi histori, letërsi në veprimtarinë e prof. dr. Sabile Keçmezit-Basha
Prof. dr. Izber Hoti
Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “40 vjet veprimtari shkencore e krijuese të prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha”
Ani pse shprehja binom është shprehje algjebrike, unë nuk gjeta nocion më të afërt për të cilësuar në mënyrë më të shkurtër, më të saktë dhe më të mirë për veprën jetësore të Sabile Keçmezit-Bashës. Në të vërtetë, mendoj se me plot të drejtë mund të thuhet se puna publike e Sabile Keçmezit-Bashës, përkatësisht shkrimet e saj, sepse ajo, siç dihet nga biografia e saj, kreu Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe një kohë u mor edhe me politikë, por më shumë iu përkushtua historisë dhe letërsisë.
Mbështetur në njohuritë e fituara gjatë shkollimit, por edhe të atyre të mëvonshme, Sabile Keçmezi-Basha vërtetoi gjithanshëm zbatimin e këtij binomi edhe në shkencat shoqërore dhe art, më saktë në histori e letërsi, duke vërtetuar se edhe në këto fusha ky binom përbëhet prej dy termash të bashkuara me shenjën plus ose minus, që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme, herë duke plotësuar njërën fushë e herë duke lënë në mangësi fushën tjetër, por pa humbur kurrë binomi histori – letërsi, shoqëruar nganjëherë edhe me politikë, ashtu siç është, dashur dhe padashur, edhe kjo jetë, të cilën që herët Sabilja e provoi edhe me gëzimet dhe hidhërimet, edhe me lehtësitë e vështirësitë, edhe me varfëritë dhe pasuritë e saj…
Binomi histori, letërsi shihet edhe nga diakronia e publikimeve të kontributeve dhe të veprave të shumta të Sabile Keçmezit-Basha. Lista e botimeve të kësaj autoreje herë është më e pasur me letërsi e herë me histori, mirëpo prurjet janë të theksuara në të dy fushat, sikur kjo bëhet me qëllim për të mohuar apo edhe të vërtetuar thëniet kundërthënëse të Platonit, të parafrazuara shkurtimisht në pohimet se “Poezia është më afër së vërtetës jetësore se historia, ndërsa poetët shqiptojnë gjera të mëdha dhe të mençura, të cilat as vetë nuk i kuptojnë”.
Sot do të ndalesha vetëm sa për të dëshmuar se sa ka ndikuar Historia në shkrimet letrare dhe anasjelltas.
(Sabile Keçmezi-Basha, Kodi i pritjes, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2010, faqe 98)
Nëse mbështetemi në postulatin se historia është vetë jeta dhe jeta histori, atëherë pothuajse të gjitha poezitë e Sabile Keçmezit-Bashës në veprën “KODI I PRITJES” mund të lexohen si poezi që i kushtohen historisë apo vetë jetës. Në të vërtetë, edhe vetë titulli i kësaj vepre ka këtë kuptim: gjatë gjithë historisë kombi shqiptar, si komb i pushtuar me shekuj, u përpoq të gjejë kodin e pritjes së lirisë, përkatësisht kodin e mbijetesës.
Natyrisht, në pritje për ditë më të mira, pra në pritje të ditëve të lirisë dhe në rrethanat e ndera jetësore, jo njëherë njeriu do të gjendet në pozitën “Pa çka (po çka – I. H)/Që qan Rozafa” (faqe 8) dhe madje do të pres edhe në kthetrat e shqiponjës: “Pritnim … Të na ngrohte / Ngrohtësia globale / Në majë stalagmiti”. Kuptohet në “pritjen dhe ngrohjen” në majë stalagmiti vështirë mësohet matematika dhe nëse vargohen shekuj të tërë, aq më parë kur është fjala për “Yllin Polar” dhe “Rrugën diellore” (9). Në rrethana të tilla pritja plaket dhe vidhet, sepse “Nga pritja / duke pritur / në pritje” (13) jepet dhe griset gjithçka, por jo edhe pritja, që në fakt është ëndrra shekullore e lirisë, e cila kur të vijë “do të shkëputen yjet nga qielli”, ndërsa “Në gjuhën e gjarprit / Do të shkulet jatagani”, duke mundësuar kështu “qepjen e lëkurës së plagosur të Atdheut, si dhe marrjen e këngës malësorçe, pra të një lirie të mirëfilltë kombëtare “Se liria pa lirinë/ Nuk do të ketë emër / As mbiemër” (14).
Për lirinë me emër dhe mbiemër
Liria me emër dhe mbiemër e shqiptarëve të pushtuar ishte lektisje e vërtetë dhe kjo në mënyrë artistike shprehet edhe nga poetja Sabile Keçmezi-Basha. Ajo pohon se kjo lektisje ishte aq e madhe sa nuk mund të skicohej në fletë papirusi e as në kohë, prandaj “Atë që kishim trumbetuar / Në tryezat e botës / E kërkuam në shekullin e ri”. Kuptohet, si “pelegrin i lodhur” dhe “Duke lëpirë / Ajkën nga buzët” (15) e kërkon atë, sepse “Në Arbëri edhe sot / bie shi … dhe rragaten stinët” (16), ndërsa “Humbëtira humbur kishte / Nisjen për t’u nisur / Në udhët që ktheheshin / Në udhëtarët që shkonin përtej harrimit” (17). Mirëpo, as në këto rrethana autorja nuk pranon “ta ndërpres lojën”, të “përmbyt ëndrrat” dhe të kërkojë “gjërat që nuk falen dhe gjerat që nuk blihen” (19), edhe përkundër faktit se “dhembjet janë kërpnajë” e “lumturia magjepse mbetet oqean” (20).
Shpirtin e poetit, përkundër gjithë këtyre dhembjeve të pashkëputshme dhe dëshirave për një liri me emër dhe mbiemër, më së shumti e shqetësonin përqeshja në “zamanin çyryk” (21), akuzat për “nusen e fjetur pa pikë taksirati” (22), duke formuar kështu zigzage të “fatit e të fatkeqësisë” në kohën kur “Lëkura e atdheut digjej… digjej / Bashkë me memorien” (23). Pra, për autoren, Sabile Keçmezi-Basha, krahas mynxyrave të tjera që goditën popullin shqiptar gjatë ecejakeve (historisë) “me miliona copa të thyera” (24), në të cilën kishte mbetur “pak vend për lumturi dhe shumë vend për dhembje” (25), është tejet shqetësues “djegia e memories”, përkatësisht harrimi i së kaluarës, duke “u abortua edhe molla e kuqe” (26).
Harrimi i Mollës së Kuqe, që siç dihet nga historia ishte vend thellë në Sanxhakun e Nishit, si dhe kërkimi i zgjidhjes së çështjes së lirisë shqiptare, mund të thuhet se janë materie kryesore historike që Sabile Keçmezi-Basha i trajton artistikisht në pjesën e parë të kësaj vepre të titulluar Kodi i pritjes, prej nga edhe e mori emrin e gjithë vepra.
Vështirësitë e frymëmarrjes
Cili ishte kodi i pritjes autorja nuk shpjegon drejtpërdrejt, por lë të nënkuptohet. Si do që të jetë autorja e veprës Kodi i pritjes, Sabile Keçmezi-Basha, në vazhdim elaboron me elokuencë kohën e cila shkurt do të vlerësohej e një pjesë e kësaj vepre edhe do të titullohet: Sa pak oksigjen, që s’ka dyshim është veçori përshkruese e rrethanave mbizotëruese të kohë së robërisë, apo të kohës kur bëhen “shumë sorollatje për pak oksigjen”, bile sa për një “ecje vertikale” dhe “një proces – katalizator” (29). Është koha kur nuk mund të tregohet si jetohet dhe si mund të nxirret “tharmi i jetës” (30), kur flitet “Për kthimin biblik / Në tokën e djegur”, si dhe kur bëhet fjalë për “ritakimin dhe rindarjen” (31) dhe për dhembjen që godet tokën, shpirtin e shtetin, madje edhe vetë dhembjen. Është kohë e pa kohë, kur “grisen këmishët e dalmatet e bardha, të shoqëruara me shkulje flokësh e me lot syri si kokrra rrushi, si dhe kur “Penelopat janë mplakur / Nga pritja e pritur / Në udhëkryq motesh” (32-33). Por, as në këtë kohë katrahurash, thekson autorja, nuk u ndërrua fytyra: “Kurrë nuk lakmova / Një fytyrë / Një tjetër botë / Dhe një fat tjetër”. Kini kujdes: as tjetër fat. Shqiptari në këtë kohë nuk dëshiron të ndërrojë as vend, por kërkon “Vetëm pak diell / Pak ngrohtësi / Pak liri” (34), sepse vetëm kështu do të kapërcehet “universi ku zhvillohen betejat dhe ku ushtarët nga të dy anët mbeten pa fitimtarë”, si dhe vjeshta e lotuar, duke arritur në “udhëtimin e tej muzgut të kohës së sëmur” (35).
Në(n) samarin e historisë
Udhëtimi artistik në kohë dhe çështje të ndryshme nga e kaluar dalëngadalë do ta sjell autoren, SabileKeçmezi–Basha, në një formë më të drejtpërdrejtë të shprehjes së ndjenjave të grumbulluara si një pjesëtare e një populli me histori të pasur – në samarin e historisë, unë do të thosha edhe nën samarin e historisë. Autorja është e bindur, pa dyshim më tepër se duhet, por që i lejohet poezisë, se pasi “nuk e mësuam historinë … duhet kuvenduar me varre të atdheut, me ADN-të e mbetur dhe gjeografinë e dhembjes”. Ndodhi kështu ngase skedarët e pluhurosur arkivorë… nuk patën dritë: “E dhembja migroneze e harrimit / Shteron kroin e pafund të kujtesës”, ndërsa si pasojë “Historinë duhet mësuar me mur e muranë”… (36).
Në(n) samarin e historisë vikendet janë të lodhura, ngushëllimet dhe dhembjet do të përsëriten me udhëkryqe, ura të Siratit, dhembje largësie dhe pritje apokaliptike (38-39). Që të luftohen të gjitha këto duhet “kërkuar nëpër mote”, ndoshta edhe duhet bërë Doruntinë e Konstadin (40), duhet kujtuar (duhet parë ëndërr) Itakën, Formulën e Pagëzimit, gjarprin e shtëpisë, arkën e gjyshes, të cilat ndoshta do të na çojnë në hotelin “Nirvana” (43), ku do të gjejmë kuptimin e jetës dhe të qetësisë shpirtërore të mënyrës dhe të formës së Lindjes së Largët. Vetëm atëherë “kafka e lodhur” e shekullit do të mendonte për premtimet dhe për trajtën e lirisë (44-45).
Kthimi (i serishëm) në histori
Përpjekjet e gjetjes së qetësisë së historianes poete do të zgjasin shumë. E kaluara do të vazhdojë ta shqetësojë atë mu sikur pritja dhe ajo nëpër arkiva do të hulumtojë “vegjët historike”, me të cilat do të mësojë, për të mos thënë do të krijojë “anatominë e tkurrjes” gjeografike të atdheut falë “burrave të botës”, të cilët “sharronin globin” (48-49). Mirëpo, për këtë gjendje tonë abisi nuk ishin fajtorë vetëm të huajt, sepse “Lirë shitëm / Edhe ato që nuk shiten dot” (50-51), ndërsa “Ende pa filluar mirë dita (lexo liria – I. H.) / Plasi sherri” dhe “ Tri herë kalova / Rrugës kryesore të Prishtinës / Askënd nuk njoha”, aq shumë jemi të huajsuar dhe armiqësuar sa nuk ka si të mos “dhemb fort apokalipsi që do të ndodh” (52).
Situata rëndohet edhe më shumë kur vajtohet “përmallshëm për fëmijërinë dhe koka dhemb nga dëftimi i robërisë së pasosur”, aq më parë kur “Është vonë për një përgjërim / Për ditët që shkuan” (54-55), “kur s’ka rrugë me dy kahe” dhe kur premtimet janë djegur (59).
Gjysmat si qeshje të ngrira
Kur mbetesh i pakënaqur me të kaluarën dhe të tashmen nuk mbetet asgjë tjetër veç në fytyrë të paraqitet një Qeshje e ngrirë. Kështu edhe është titulluar pjesa e fundit e poezive të veprës Kodi i pritjes të Sabile Keçmezit-Basha. Nënqeshja, apo qeshja e ngrirë është pasojë e vrapit për zënien e kohës dhe të diellit, prandaj “qeshja është e çarë kudo në dysh”, edhe kur është fjala për shpirtin mitik (63). S’ka si të ndodh ndryshe kur kombi shqiptar ka edhe shumë ëndrra që barten nga brezi në brez, të shoqëruara me dhembje të padiagnozuara (64). Në një situatë të tillë s’mbetet tjetër veç të “fluturojmë në Mahtatan e Pekin për të ringjallur mëmëdhenë, për të ndezur qiriun, për të mësuar mesazhet e paqes të JanPalahut e Dalaj Lamës, ani pse muret (e Berlinit dhe ai kinez) kërcënohen “Për ndarje / Në ndarje” (66-67), prandaj pritet “Përsëri furtunë / Acar e frikë / Nga dita e panjohur”, pasi u gënjyem sepse nuk ishin mbytur çakejtë e kuçedrat, ani pse kështu ishte deklaruar (68). Edhe në këto rrethana s’mbete gjë veç lutjeve të Dalaj Lamës në Tibet me fytyrë nga dielli si antipod i “mëngjesit polar” në Ballkanin me stinë të vonuar (68-70). Ndodh kështu ngase “Përsëri nuk na doli / Ashtu siç ëndërruam” dhe derisa dje përshëndeteshim me dy gishta: “Sot shi ra kërpnajë / Dhe harruam të përshëndetemi / Edhe me kipcat tanë (72-73).
Edhe në rrethanat e lartpërshkruar autorja nuk bie në pozita pesimiste dhe për të vazhduar jetën thërret sërish në ndihmë ëndrrat dhe pritjen (74), kurse e forcuar nga këto shpresa ajo edhe falë: “Nuk gjykoj/ As për dije / As për sot / As për nesër … “ (75), megjithatë dilemat në mes Mic Sokolit, Adem Jasharit e Dalaj Lamës mbeten se mbeten me ndryshime si pas “natës së parë të nuses së nusëruar” (76-78), që nuk duhet lënë vetëm se bëhet pre e ujqve, hienave dhe lugetërve. Me këtë rast stuhia në Ilirinë e stërgjyshave është e pakapërcyeshme e të këqijat do të vargohen palë-palë me qeshje të hidhura, përgjërime ecejakesh e mjegullnajash (82-85), që me vrap maratonik e metaforash, apo me qarje dhe qeshje nuk do të mund t’u dilet përpara dhe të pengohen këto rrjedha (85-89).
Në kohën e fitimit dhe mbizotërimit të këtyre rrjedhave dhe në kohën e llahtarshme dhembjet do të jenë aq të mëdha “Sa shumë dhemb / Kur ç’kapet / Mishi nga thoi”, por ne atëherë do të topitem aq shumë sa as atëherë nuk do të qajmë (91). Është pra koha kur kërkohet harta e grisur e shoqëruar me qitjen e gjuhës nga ana e mesjetës (92), por edhe e kohës kur Atdheut i kërkohet falje për rrëfimin e ëndrrës dhe drithërimën e fundit në prag të ikjes (93), si dhe kur jemi të detyrueshëm të kërkojmë falje pse qeshim dhe pse qajmë, për të bërat dhe të pabërat, që përfunduan në natën-skëterrë. Atëherë, fatkeqësisht, duhet kthyer dhe kërkuar sërish “Kodin e pritjes”.
Kjo qasje dhe ky qëndrim sikur është i natyrshëm për Sabilen. Ajo shpirtërisht shkruan për dashurinë e përjetuar për njerkën, në kundërshtim me letërsinë e filozofinë popullore, por edhe letërsinë e shkruar. Në anën tjetër, Sabile Keçmezi-Basha natyrshëm i sheh, i kupton dhe i trajton nacionalistët dhe komunistët, që është veçori e kërkuar jo vetëm nga historiografia shqiptare, por edhe ajo botërore, çështje kjo që kërkon më shumë kohë dhe mund për shqyrtim.
Më vjen mirë që e njoha Sabile Keçmezi – Bashën si poete, historiane e politikane dhe që së bashku vepruam dhe kontribuuam një kohë kur vërtetë ishte e nevojshme.