Biografi e padukshme
Arif Molliqi
Me përtesë hyra në dhomën e kujtimeve
që t´i shikoj të fshehtat e biografisë së ikur
gjithçka që gjeta aty ishin të vërteta
veç shënimet e ofiqarit mund të kenë qenë ndryshe
aty shkruan se kam lindur më 11 janar 1953
pa dashur ta retushoj lindjen
prindërve u besova
kur më thanë se lindja jote erdhi me shi dhe furtunë
në atë stinën e dimrit kur duhej të binte borë e bardhë
pat rënë bora e kuqe e gati vdiqëm për bukë
atë vit pat vdekur edhe Stalini
nëna ime nuk e dinte se kush ishte ai
veç më tregoi se në Kosovë e në Shqipëri
ato vite nga uria qenë dridhur muret e shtëpisë
kur na e morën miellin në magje dhe e dërguan në Rusi
e neve buka dhe Zoti na patën harruar
kur mbetëm pa gjë në magje, duhej ngrenë vetveten
pastaj me flamur piratësh e kafka deformuese
erdhën bajlozë të zi me yll të kuq në ballë
na e kërkonin armën, po s’e pate, duhet blerë diku e dhënë
e ti bredhje gjithë kohën nëpër gjak e plagë
në mbrëmje të merrnin nga shtëpia, në mëngjes gjendeshe në varr
me fjalën “vëllaznim-bashkim” do ta sillnin vdekjen
në një arkë arkivoli ngujuar