Biografi të të masakruarve në lagjen Deliu të Abrisë së Epërme 26 vjet më parë

26 shtator 2024 | 13:58

Biografi të shkurtra të pjesëtarëve të masakruar të lagjes Deliu në Abri të Epërme të Gllogovcit. Shënimet janë marrë nga anëtarët e familjeve të tyre nga Afrim Hysenaj.

HAMIDE ELSHANI-DELIU

2. 1938 – 26. 9. 1998

Hamide Elshani-Deliu ka lindur më 28 shkurt të vitit 1938 në fshatin Gllobar të Komunës së Drenasit. Ishte e bija e Liman e Gjyla Elshanit, fëmija i pestë nga gjithsejtë shtatë. Ishte e vetmja motër e gjashtë vëllezërve. Shkollim nuk bëri për shkak të rrethanave të kohës, por dëshira e madhe që të dinte shkrim-lexim e nxiti që përmes vëllezërve të vet ta mësonte shkrim-leximin. Fëmijëria e saj qe shumë e vështirë, sepse ishte rritur në kohë të luftërave dhe me skamje të mëdha, si gjithë gjenerata e asaj kohe. Pas Luftës së Dytë Botërore, në moshë të re, ishte vetëm 20-vjeçare, fejohet me Salih Deliun nga fshati Abri e Epërme dhe, në vitin 1958, martohet me Salihun. Nga kjo martesë lindin pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza.

Pasuria e tyre qe shumë e kufizuar. Me sakrifica shumë të mëdha i rritën dhe i shkolluan të pesë fëmijët. Jetonin me të ardhurat kryesisht nga bujqësia, blegtoria dhe drunjtë e malit që, herë pas here, për nevoja të ndryshme, i shitnin. Pavarësisht prej këtyre rrethanave të vështira, asnjëri prej fëmijëve nuk e ndërpreu shkollimin. Hamidja shquhej si një nënë e urtë dhe punëtore por, para së gjithash, ishte edhe edukatore e mirë e familjes. Ajo gjatë jetës së saj arriti t’u gëzohej martesave të pesë fëmijëve, t’i gëzohej sadopak përmirësimit të kushteve ekonomike të familjes, por gëzimin më të madh e ndiente se të pesë fëmijët e saj ishin bërë me pasardhës. Vdekja e gjeti në moshën 60-vjeçare.

HAVA DELIU-ELSHANI

1935 – 1998

Hava Deliu-Elshani ka lindur në vitin 1935 në fshatin Abri e Epërme të Komunës së Drenasit. Qe bijë e prindërve Imer e Halime Deliu, fëmija i dytë nga të tre sa i patën prindërit e saj. Fëmijëria e Havës qe plot vuajtje. Që në moshën katërvjeçare i vdes babai (më 1939). Pa iu fashitur ende vuajtjet për humbjen e tij, i vdes edhe nëna në vitin 1941. Të dy motrat, Hava, gjashtëvjeçare, Fata, tetëvjeçare dhe vëllai, Salihu, trevjeçar, mbesin jetimë. Sado që ishin familje më vete, pas vdekjes së prindërve për ta kujdesej babagjyshi, Ademi, rreth 80-vjeçar. Për shkak të rrethanave të krijuara detyrohen të ribashkohen me xhaxhallarët e babës, meqë xhaxha të vetin nuk kishin. Pra, ribashkohen me familjen e mixhës Rrustem dhe mixhës Mehmet. Babagjyshi, Ademi, qysh në moshë të re i kishte fejuar të tre fëmijët e djalit të vetëm. Ai kishte lidhur miqësi me Liman Elshanin nga Gllobari. Të dy vajzat (Fata dhe Hava) martohen me djemtë e Liman Elshanit dhe, njëkohësisht, vajza e vetme e Limanit, Hamidja, martohet me Salihun, vëllanë e tyre. Plaku Adem e kishte menduar mirë këtë miqësi të ndërsjellë. Salihu, si jetim, të kishte një miqësi ku i kishte të dy motrat. Hava nuk la trashëgimtarë. Jetoi me burrin, Selmanin dhe me kunetër e kunata në një familje të gjerë deri në dyzetë anëtarë. Njihej si një grua e urtë, punëtore dhe shumë e dashur. Në Gllobar dhe Abri të gjithë e kujtojnë për të mirë.

SELMAN LIMAN ELSHANI NGA GLLOBARI

Burri i Havës, Selmani, është ende gjallë. Është 88-vjeçar. Ka lindur në vitin 1930. Ai e kujton me shumë mall ish-bashkëshorten, me të cilën kishte kaluar 44 vjet:

…Në vitin 1954 jena martu me Havën. Kena kalu shumë mirë tanë ato vite që jena kanë bashkë. Sa herë që të përmenet emni saj veç lavdi muj me i thanë. Asi njeri në troje tona s’ka me zhdryp ma. Puntore, njeri i bekun me tana të mirat. 40 rob jena kanë bashkë, të gjithve ju ka nejt gati dhe të gjithë janë lidh për emnin e saj. U kanë tepër njeri i mirë me tanë, tanë i ka respektu e tanë e kanë dashtë, edhe fmija e kanë dashtë. Ajo m’ka dalë hakësh për ato 44 vjet qe i kena kalu bashkë. Fati na qilloi e fmijë s’kemi pas. E munojke kjo pune… Me gojë t’vet m’ka thanë: Selman, lirisht merre edhe një gru tjetër, unë t’nimoj ty edhe asaj, veç le t’na fal Zoti naj fmi… Jo, – i kam thanë, jam i knaqt me ty, veç ishalla ki ymer t’gat’. Para lufte, kur u nis me shkue për Abri… kurrë s’ju kam perzie n’punë t’saj. Pasha Zotën, pa u avit me marr ibrigun e me i la sytë nji copë herë me fërku ftyrën nuk u nis me shkue. Në luftën e mbramë e mbaj mend kur janë ardhë familja e Bajramit nga Likoci dhe familja e Ademit, nipit tonë, kanë nejt dy javë këtu. Pastaj jena detyru me dal në Fushëmollë. Atje kemi nejt bashkë prapë. Kur ka vendos Ademi me shku për Abri, jena mundu me ndal unë e vllavi jem. Ama dorën, – i tha Ademi – daja Sadik! – edhe janë përshëndet. Tana i kom thanë edhe unë, edhe motrës Hamide, i kam thanë udha mbarë. U ardh Hava, i kom thanë ama qat dorë! Ma dha, i pastë shpirti rahmet, ishalla Zoti m’pajton n’xhenet me ta sikur me familjen e ngushtë temën. M’tha: Selman, du me shku me k’ta të familjes tem, se gruja e Enverit asht shtatzanë e gratë e reja e s’po du me lanë vetun. S’ja kam prish. I thashë shko lirisht! Jemi hallashtis nermjet veti qaty, pastaj me të tanë që vendosen me ec jemi përshëndet. Kur kam nie çka ka ndodh n’Abri, m’u ka dhimt Hava boll. Të tanë m’u kan dhimtë se e kisha motrën aty e nipa e f’mit e nipave e gra të nipave. Motra jem, Hamidja, u kanë burrnore, veç punë të hallallit ka pas qef. Hava edhe Hamidja janë kanë aq të dashtuna e të lidhna me njana-tjetrën që kurrë idhnim mes veti s’kanë pas. Çdo ditë e kujtoj Havën edhe e ndij mungesën e saj. Zoti na bashkoftë në xhenet![1]

Havën, në moshën 63-vjeçare, e gjen vdekja së bashku me familjen e vëllait, Salih Deliut, më 26 shtator 1998 në vendlindjen e saj, në Abri të Epërme, ku masakrohet nga forcat serbe.

ADEM SALIH DELIU

1. 1965 – 26. 9. 1998

Adem Salih Deliu ka lindur më 14 janar të vitit 1965 në fshatin Abri e Epërme, në një familje me tradita mikpritëse. Ishte fëmija i tretë nga të pestit, i prindërve Sali e Hamide Deliu. Shkollën fillore e ka përfunduar në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen në Drenas dhe është kualifikuar në drejtimin Teknik i Metalurgjisë. Në pamundësi për ta vazhduar fakultetin për shkak të kushteve të rënda ekonomike, detyrohet të migrojë në Kroaci për t’i dalë në ndihmë familjes. Atje qëndroi deri në vitin 1990, kur edhe filluan luftimet në mes të Kroacisë dhe Serbisë.

Pas kthimit në Kosovë, Ademi ka bërë punë të bujqësisë dhe të blegtorisë. Njëkohësisht është kujdesur për familjen meqë, ndërkohë, të dy vëllezërit, Imeri dhe Enveri, shkuan për punë të përkohshme në Slloveni. Në gushtin e vitit 1994 Ademi martohet me Mihane Gashanin nga fshati Tërstenik, Komuna e Drenasit. Më 21 shtator 1996 lind djali, Valmiri. Ademi dhe bashkëshortja e tij, Mihanja, jetuan në bashkësi familjare me prindër dhe vëllezër. Krijuan një ekonomi solide falë punës në kurbet dhe kishin një harmoni familjare. Vdekja e gjen në moshën 33-vjeçare së bashku me familjen e ngushtë, gruan, djalin dhe me familjen e gjerë, më 26 shtator 1998, ku masakrohet nga forcat serbe.

Ademi dhe Mihanja janë prindërit e Valmir Deliut, 24-muajsh, masakruar bashkë me ta.

MIHANE GASHANI-DELIU

9. 1970 – 26. 9. 1998

Mihane Gashani-Deliu ka lindur më 25 shtator të vitit 1970 në fshatin Tërstenik. Është e bija prindërve Arif dhe Naile Gashanit, fëmija i parë i tyre. Shkollën fillore e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në shkollën e fshatit të lindjes. Shkollën e mesme me sukses të lartë, Gjimnazin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas. Është kualifikuar në drejtimin Kimi-Teknologji. Familja e saj është një familje e arsimuar dhe përparimtare. Babai i saj, Arifi, ishte mësues (tani veteran i arsimit). Në gushtin e vitit 1994 Mihanja lidh kurorë me Adem Deliun nga Abria e Epërme. Jeta e tyre bashkëshortore ishte e shkëlqyeshme dhe për lakmi. E rritur në frymën e një familjeje me tradita atdhetare, ajo shquhej si shembull për të tjerët. Virtyteve të saj në vitin 1996 i shtohet edhe e mira e radhës në ditën kur i lindi i biri, Valmiri. Me të gjitha punët dhe obligimet që kishte në familje, Mihanja ishte shumë e pasionuar edhe pas librit. Kështu ajo gjithmonë gjente kohë për lexim të shtypit ditor që vinte në familje, por edhe për vepra letrare. Asnjëherë nuk i mungoi përkrahja nga Ademi dhe nga familja në këtë drejtim. Mihanën e zuri vdekja në moshën 28-vjeçare me burrë e me djalë, më 26 shtator të vitit 1998, nga policia dhe ushtria serbe. Ata e vranë mizorisht së bashku me anëtarët e tjerë të familjes.
Dhe kë vranë? Një talente e shpresë diturie. Këtë na e dëshmon edhe shoku i saj i klasës, Milaim Musliu. Ja ç’thotë ai:

Në vitin shkollor 1985-’86, Mihane Gashani, tani martire (e masakruar me familjen e Deliajve), ka qenë nxënëse e shkëlqyer e me sjellje shumë të mira. Bashkëpunuese dhe e hareshme. Një nga nxënëset më të mira në hartimet e Gjuhës angleze dhe të Gjuhës shqipe. Shumë e përkushtuar për nxënien e dijes, por edhe për shpërndarjen e saj ndër shokë dhe shoqe të klasës.[2]

VALMIR ADEM DELIU

9. 1996 – 26. 9. 1998

Valmir Adem Deliu ka lindur më 21 shtator të vitit 1996 në fshatin Abri e Epërme të Drenasit. Ishte fëmija i vetëm i dy prindërve të rinj, Ademit dhe Mihanës. Vetëm pesë ditë nga dita kur e kishte festuar dyvjetorin e lindjes, ia kishte hapur portat bota e amshuar. Pesë ditë më parë, në fshatin Tërstenik, te babagjyshi dhe dajallarët e kishte festuar ditëlindjen e dytë në kohë e rrethana lufte. Të nesërmen kishin marrë rrugën për në “Fushëmollë”, më pas për në vendlindje në Abri. Kishin marrë rrugën e moskthimit, rrugën e vdekjes… “…po ç’të kujtoj për ty, i miri i bacit, përpos buzëqeshjeve dhe haresë tënde? Energjik në përqafim, lozonjar që të bënte për vete… Edhe plaku dorëzohej para tij. Ëhë, Vali i bacit! Thirr: O bacë! S’ka më klithma, s’ka më zëra sepse edhe Valin (Valmirin) me babë, me nënë e familje, më datë 26 shtator 1998, e masakruan bishat sllave të ardhura nga Karpatet” (I. Deliu).

Poetesha Naxhije Gashani, tezja e tij, shumë vite më vonë, do të na e “rikthejë” Valmirin me vargjet baladike:

NJË FËMIJË I VOGËL ME VDEKJE TË MADHE

(VALI )

 

Ishte aq i vogël e vdekja aq e madhe

Një trohë fëmije të bëhej fli lirie

Pa ditur e pa ëndërruar se ç’është ajo

Ishte aq i vogël e plaga aq e madhe

Një fëmijë i strukur gjoksit të nënës së tij

I pangopur me jetën pa e jetuar atë

Ishte aq i vogël e dhimbja aq e madhe

Zëri i tij u ndi larg brigjeve të etura

Mbi qiellin e Tokës së tij valonin re gri.

LULJETA HAZIRAJ-DELIU

1. 1971 – 26. 9. 1998

Luljeta Haziraj-Deliu ka lindur më 18 janar të vitit 1971 në fshatin Tërdevc të Komunës së Drenasit. Ishte e bija e Sadri e Hava Hazirajt, fëmija i parë nga të tetët. Ajo la pas vetes tre vëllezër dhe katër motra. Kishte kryer shkollën fillore në fshatin Abri e Epërme. Vinte nga një familje punëtore dhe atdhetare që në përpjekjet e mëhershme dhe në luftën e fundit u shquan për kontribut në çlirimin e atdheut. Në korrikun e vitit 1991 Luljeta martohet me Enver Salih Deliun nga fshati Abri e Epërme. Ata sjellin në jetë tre fëmijë: Besnikun (1994), Liridonën (1995) dhe Arlindën (1997). Në vitin 1998, kur filloi lufta, Luljeta ishte shtatzënë në muajin e nëntë. Halla e burrit të saj, Hava Deliu-Elshani, e kishte pagëzuar foshnjën, pa ardhur në jetë, me emrin Malësor ose Malësore, me motivin se shtatzënia e saj ishte zhvilluar më shumë duke jetuar në male për shkak të luftës. Më 26 shtator të vitit 1998 edhe Luljeta (në moshën 29-vjeçare) ishte së bashku me familjen në “Zabelin e rrajëve” dhe as ajo nuk i shpëton masakrës, pavarësisht se qe shtatzënë. Megjithatë, i shpëtojnë të tre fëmijët, sado që me plagë. Ata edhe sot i vuajnë thellë pasojat e plagëve dhe të tmerrit që përjetuan.

LUMNIJE SEFERI-DELIU

2. 1969-26. 9. 1998

Lumnije Seferi-Deliu lindi më 3 shkurt 1969 në fshatin Likoc, Komuna e Skenderajt. Ishte fëmija i parë i Bajram e Zoja Seferit nga gjashtë sa qenë gjithsejtë. Ka kryer shkollën fillore në fshatin e lindjes dhe, meqë ishte fëmija i parë në familje, e ka ndihmuar atë në punët e shtëpisë dhe të bujqësisë. I përkiste një familjeje punëtore dhe atdhetare. Dy nga tre vëllezërit e saj (Blerimi dhe Milaimi) ishin të rreshtuar në radhët e ushtarëve të UÇK-së.

Në gusht të vitit 1987 Lumnija martohet me Imer Salih Deliun nga Abria e Epërme e Drenasit dhe patën gjashtë fëmijë: Jetonin (1988), Egzonën (1990), Egzonin (1992), Menduhijën (1994), Albertin (1996) dhe Diturinë (1998). Egzona dhe Egzoni vdesin nga vdekje natyrale si pasojë e temperaturave të larta. Në vitin 1991 Egzona, në vitin 1993 Egzoni. Në kohën e luftës Lumnija kishte pranë vetes katër fëmijë: Jetonin, dhjetë vjeç, Menduhijen, katër vjeçe, Albertin, dy dhe Diturinë, gjashtëjavëshe. Lumnija qe shumë punëtore dhe e përkushtuar për fëmijët. Dallohej për punime dore, ku thurte veshje për vete dhe fëmijët. Falë punës së saj fëmijët dalloheshin për veshmbathje. Ajo shfrytëzonte maksimalisht makinën e qepjes. Më 26 shtator të vitit 1998 edhe Lumnija, tashmë në moshën 31-vjeçare, ishte me fëmijë e me familje, strehuar bashkë me të tjerët kur u masakruan nga falangat serbe. Luljeta pas vetes la vetëm djalin, Albertin, të plagosur, i cili ende vuan nga pasojat e plagëve dhe të tmerrit që përjetoi si dyvjeçar.

JETON IMER DELIU

9. 1988 – 26. 9. 1998

Jeton Imer Deliu lindi më 20 shtator të vitit 1988 në Abri të Epërme. Qe fëmija i parë i Imer dhe Lumnije Deliut. Jetoni, deri në moshën gjashtëvjeçare, ishte fëmija i vetëm në familje. Si i përkëdhelur i familjes së gjerë dallohej për urtësi dhe inteligjencë. Ishte nxënës i klasës së katërt në shkollën fillore, (tani “Fehmi Rama”) të fshatit Likoc. Nxënës i shkëlqyeshëm me sjellje e mësime. Nga klasa e parë e pati mësues Miftar Kadriun nga Likoci, tani 75-vjeçar.

Më kujtohet viti 1999, (shënim imi, A. H.) me rastin e rivarrimit të anëtarëve të familjes Deliu, kur mësues Miftari kishte organizuar klasën dhe me kurorë e lule kishin ardhur për t’i thënë lamtumirën e fundit Jetonit dhe familjes Deliu. Së bashku me ta ishin të gjithë punëtorët e Shkollës Fillore “Fehmi Rama” të Likocit.

Ja sesi e kujton Jetonin mësuesi Miftar Kadriu:

Nxënësin Jeton Deliun e kam pasur ndër nxënësit më të mirë në klasë. Do të thotë, ky nxënës ka qenë i përgatitur fort mirë. Sidomos lëndën e matematikës e ka zotëruar shumë… I pastër si molla e me virtyte njerëzore prej një familjeje atdhetare. Ky nxënës më ka mbetur në zemër dhe s’do ta harroj kurrë…[3]

MENDUHIJE IMER DELIU

5.1994 – 26. 9. 1998

Menduhije Imer Deliu lindi më 16 maj 1994 në Abri të Epërme. Ishte fëmija i katërt i Imer dhe Lumije Deliu. Ishte e përkëdhelura e babit dhe gjyshes Hamide. Ishte llafazania e familjes së gjerë. Kërkesat e saj ishin të pafundme, e sidomos kërkesat për zbukurimin e flokëve të saj bionde e të gjata. Eh! Biografitë e fëmijëve janë të shkurtra sepse jeta e tyre u shkëput ende pa u shkëputur nga lodrat, e ata që ua shuan jetën fëmijëve, në vend të fëmijëve paçin lodra (I. Deliu). Edhe Menduhijen, që kishte katër vjet e katër muaj më 26 shtator 1998, serbët e vrasin së bashku me anëtarët e tjerë të familjes.

DITURIJE IMER DELIU

8. 1998 – 19. 11. 1998

Diturije Imer Deliu, vajza e Imer dhe Lumnije Deliut, lindi më 17 gusht 1998 në Abri të Epërme. Diturija qe foshnja që, në gjirin e së ëmës mbijetoi masakrën e familjes Deliu. Ngaqë qëndroi për rreth 35 orë në vendin e krimit, pa ushqim e përkujdesje, bënë që ajo të mos e marrë vetën kurrë si duhet. Për të u kujdesesh gjyshja, Zoja dhe halla, Bedrija. Në mëngjesin e 19 nëntorit të vitit 1998 u zgjua me temperaturë të lartë. Gjyshi Bajrami me hallë Bedrijen e nisin për te mjeku, dr. Gani Halilaj në Tërdec. Pa dalë nga fshati, pikërisht ku ndodhen sot varret e familjes Deliu, rreth orës 09:30 ajo ndërron jetë. Tani trupi i saj prehet e qetë në Kompleksin e Varrezave të Familjes Deliu, pranë së ëmës, vëllait, motrës dhe anëtarëve të tjerë të familjes.[4]

…Është tepër e vështirë të shkruash biografi për personazhet e mira… kur në kokë e ke të ngulitur fundin e fatit tragjik të tyre sepse, ja, papritmas vijnë kriminelët dhe prishin gjithçka… (I. Deliu).

FAZLI RAMË DELIU

3. 1908 – 26. 9. 1998

Fazli Ramë Deliu ka lindur më 10 mars të vitit 1908 në Abri të Epërme. Fazliu ishte fëmija më i madh i Ramë Musli Deliut dhe Hata Rukolli-Deliut. Në fëmijëri i vdes e ëma dhe rritet jetim së bashku me vëllanë dhe tri motrat, nën përkujdesjen e njerkës, Hyka (Rukolli) Deliu. Familja ishte me kushte të mira ekonomike për atë kohë. Ai u martua me Fazile Syla-Deliun nga Aqareva (Skenderaj) dhe patën dhjetë fëmijë, katër djem dhe gjashtë vajza. Fazliu kishte bërë tri vjet shkollë punë në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Likoc. Në fillim si mirëmbajtës i shkollës. Ajo qe shkolla e parë dhe e vetme në atë kohë (në vitin 1927) në Drenicë. Për shkak të cilësisë dhe aftësive që i dëshmoi në punën e tij, Fazliu ngarkohet edhe me detyra të tjera, si teknik, kuzhinier, ndihmës i stafit të shkollës dhe ndihmës i drejtorit të shkollës. Ishte njeri i çmuar shumë nga gjithë rajoni i Drenicës për begatinë e tij morale dhe njerëzore. Me zgjuarsinë e tij mbajti gjallë e jetësoi gjuhën shqipe, shkollimin e femrave dhe kontribuoi për rritjen e arsimimit të kësaj treve deri në pensionim, në vitin 1963. Pas pensionimit bënte një jetë mesatare duke mbajtur familjen dhe fëmijët deri në vitet ’90. Pushtuesit serbë dhe regjimi i tyre që herët e kishin vënë në shënjestër dhe përndjekje si familje nacionaliste.

Fazliu bie në sy sidomos pas Luftës së  Dytë Botërore. Ai ishte aktivizuar për ta mbajtur gjallë jetësimin e gjuhës shqipe dhe çlirimin e Kosovës në krye me Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën. Vendstrehim dhe shtab i tyre qe Oda e Ramë Deliut.

Më 26 shtator të vitit 1998, në mesin e të masakruarve ishte edhe Fazliu. Atë, të paralizuar dhe me peshën e 90 vjetëve mbi supe, e dogjën për së gjalli në shtëpinë e tij. Në këtë masakër e pësuan edhe djali, Hajrizi, 34-vjeçar, e reja, Zahidja, 30-vjeçare, si dhe dy mbesat: Gentiana, 8 dhe Donjeta, 7 vjeçe.

HAJRIZ FAZLI DELIU

4. 1964 – 26. 9. 1998

Hajriz Fazli Deliu lindi më 14 prill të vitit 1964 në Abri të Epërme. Qe fëmija i parë i Fazli dhe Fazile Deliut, të cilët patën gjithsejtë dhjetë fëmijë, katër djem dhe gjashtë vajza. Hajrizi ishte i martuar me Zahide Bajraktarin-Deliun nga fshati Resnik i Komunës së Klinës. Me Zahiden nuk pati fëmijë, ndërsa nga martesa tjetër Hajrizi pati dy vajza, Gentianën dhe Donjetën. Shkollën fillore e ka kryer në fshat, ndërsa të mesmen, Gjimnazin “Skenderbeu’’, në Drenas në vitin 1982. Si nxënës i shkollës së mesme ka marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981 dhe është ndaluar dhe arrestuar nga forcat pushtuese jugosllave.

Në qershor të vitit 1982 ka bërë shërbimin ushtarak të APJ-së. Në vitin 1983 punësohet në ndërmarrjen “Ferronikeli” në Drenas, derisa pushtuesi serb në vitin 1993 i largoi nga puna me masa të dhunshme të gjithë shqiptarët të cilët (sipas tyre) ishin të papërshtatshëm. Pas largimit nga puna dhe përndjekjeve detyrohet të largohet jashtë vendit. Në gusht të 1993-s shkon në Gjermani. Në dhjetor të vitit 1997 kthehet në Kosovë dhe, pas tre muajve, fillon lufta për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.

Hajrizin, në moshën 34-vjeçare, më 26 shtator të vitit 1998 forcat serbe e masakrojnë së bashku me familjen e tij (gruan Zahiden, 30-vjeçare, vajzat: Gentianën 8-vjeçare, Donjetën 7-vjeçare dhe babanë, Fazliun, mbi 90-vjeçar) duke e hedhur në një pus (bunar) afër Lagjes Deliu.

ZAHIDE BAJRAKTARI-DELIU

6. 1967 – 26. 9. 1998

Zahide Bajraktari-Deliu ka lindur më 25 qershor të vitit 1967 në Resnik të Komunës së Klinës. Ishte e bija e Adem dhe Anife Bajraktari, të cilët kanë ndërruar jetë pas luftës. Zahidja kishte tre vëllezër dhe dy motra. Në fund të korrikut të vitit 1998 ishte martuar me Hajriz Deliun. Jeta e saj bashkëshortore qe shumë e shkurtër, as dy muaj të plotë. Atë e gjen vdekja në moshën 28-vjeçare, pikërisht më 26 shtator të vitit 1998, ku masakrohet dhe vritet nga forcat serbe, së bashku me vjehrrin, Fazliun, burrin Hajrizin dhe fëmijët e burrit, Gentianën dhe Donjetën.

GENTIJANA HAJRIZ DELIU

5. 1990 – 26. 9. 1998

Gentijana Hajriz Deliu ka lindur më 7 maj 1990 në Abri të Epërme. Ishte e bija e Hajriz dhe Shehide Deliut, të cilët gjatë jetës bashkëshortore patën dy vajza. Pas vdekjes së nënës, vajzat mbesin nën përkujdesjen e gjyshes së tyre, Fazile Deliut (tani e ndjerë), e cila i rriti me shumë dashuri. Gentiana qe fëmija i parë. Që në moshën e fëmijërisë binte në sy për zgjuarsi dhe talent. Ajo nuk arriti ta fillonte shkollimin ngaqë plasi lufta në Kosovë. Në moshën 8-vjeçare xhelatët dhe kriminelët serbë ia këpusin ëndrrat dhe fëmijërinë. Më 26 shtator të vitit 1998 u vra në masakrën e familjes Deliu bashkë me babanë, Hajrizin, motrën Donjetën, gjyshin Fazliun, njerkën Zahiden dhe anëtarët e tjerë të familjes së gjerë Deliu.

DONJETA HAJRIZ DELIU

8. 1991 – 26. 9. 1998

Donjeta Hajriz Deliu lindi më 12 gusht të vitit 1991 po në Abri të Epërme. Ishte vajza e dytë e Hajriz dhe Shehide Deliut. Ajo bashkë me motrën, Gentijanën, mbeti nën kujdesin e gjyshes. Nuk arriti ta fillonte shkollimin për shkak të luftës. Në moshën shtatëvjeçare, më 26 shtator 1998, policë, ushtarë dhe paramilitarë serbë e vrasin në po të njëjtën masakër me familjen e gjerë Deliu.[5]

HABIB IDRIZ DELIU

4. 1944 – 26. 9. 1998

Habib Idriz Deliu lindi më 20 prill 1944 në një familje bujare, të respektuar në fshat e gjetiu. Shkollën fillore e kreu në Likoc, ndërsa dy klasë të Shkollës Normale në Skenderaj. Pastaj, për shkaqe ekonomike, u detyrua ta ndërpriste shkollimin përkohësisht. U detyrua të punonte në Slloveni. Dy vjet më vonë sërish e vazhdoi shkollimin dhe, në vitin 1969, diplomoi në Shkollën Normale në Mitrovicë. Pikërisht atje u shqua për aktivitet kombëtar, duke marrë pjesë aktive në demonstratat e vitit 1968. Detyrën e mësuesit e filloi në shkollën e fshatit në vitin 1970. Edhe në procesin edukativ-arsimor ra në sy për punë shembullore dhe mori mirënjohjen “Mësues i dalluar”. Në vitin 1981, pas demonstratave të studentëve për liri kombëtare, Habibi u përjashtua nga puna me motivin e papërshtatshmërisë politike. Pas gjashtë muajve, Gjykata e Lartë e ktheu në punë.

Në vitin shkollor 1982-’83 u regjistrua në ShLP – Mësimi Klasor, në Gjakovë. E kreu në afat rekord dhe mori titullin “Arsimtar i ciklit klasor”. Në periudhën e viteve të nëntëdhjeta, kur arsimit shqip iu ndërpre financimi, Habib Deliu dha kontribut të madh për ta mbajtur arsimin dhe shkollën shqipe edhe pa pagesë. Në moshën 53-vjeçare, më 26 shtator të vitit 1998, policia dhe ushtria serbe e masakroi së bashku me 23 anëtarë të tjerë të Deliajve.

HYSEN IDRIZ DELIU

7. 1946 – 26. 9. 1998

Hysen Idriz Deliu lindi më 24 korrik 1946 në Abri të Epërme. Qe fëmija i dytë i Idrizit, vëllai i mësuesit Habib. Hyseni ishte i martuar me Florie Bujupin-Deliun nga Arllati. Patën pesë fëmijë, tri vajza dhe dy djem. Hyseni dhe Floria që nga lindja ishin me aftësi të kufizuara (të hendikepuar). Për ta vazhdimisht kujdesej vëllai, Habibi dhe familja e gjerë. Pavarësisht prej disa pengesave zhvillimore në trupin e tij, ai asnjëherë s’u ndal së punuari tokën dhe s’e la kujdesin për bagëtinë. Atij para luftës i vdiq njëri djalë, po i mbetën edhe katër të tjerë. Në ofensivën e forcave serbe, më 26 shtator të vitit 1998, iu vranë dhe masakruan dy vajzat, Mihanja, 16-vjeçare dhe Antigona, 14, po i shpëtuan bashkëshortja, i biri Mentori dhe vajza Arjeta. Njësoj si i vëllai, Habibi, edhe Hyseni në moshën 51-vjeçare masakrohet në po të njëjtën ditë, në po të njëjtën plojë.

MIHANE HYSEN DELIU

2. 1982 – 26. 9. 1998

Mihane Hysen Deliu lindi më 5 shkurt 1982 në Abri të Epërme. Qe fëmija i parë i Hysenit dhe Florie Deliut. Fëmijëria e saj qe e rëndë për shkak të kushteve të rënda ekonomike, meqë prindërit i kishte me aftësi të kufizuara. Për rritjen e saj në aspektin ekonomik u kujdes xhaxhai, Habibi. Në vitin 1988 ajo e filloi mësimin në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Likoc. Ishte nxënëse e dalluar dhe shumë e sjellshme, e dashur për shoqet dhe shokët e gjeneratës së saj. Punëtorët edukativo-arsimorë të kësaj shkolle flasin me pietet për të. Në moshën 16-vjeçare, më 26 shtator të vitit 1998, bashkë me të motrën, i masakroi policia serbe po aty.

ANTIGONA HYSEN DELIU

6. 1984 – 26. 9. 1998

Antigona Hysen Deliu lindi më 2 qershor të vitit 1984 në Abri të Epërme. Qe vajza e dytë e Hysen dhe Florie Deliut. Njësoj si motra e saj, pati fëmijëri të vështirë. Në vitin 1990 Antigona nisi hapat e parë të shkollimit në Shkollën Fillore “Shotë Galica”. Po rriteshin, loznin dhe shkolloheshin me të motrën, Mihanën, si të ishin binjake, edhe pse kishin dy vjet në mes. I ngjanin aq shumë njëra-tjetrës dhe vdekja i rrëmbeu së bashku në moshën më të bukur të jetës. Portreti i saj sot mbetet i paharruar nga brezat e shkollarëve ku edhe është vendosur në pllakën përkujtimore në ShFMU “Shotë Galica” në Abri të Epërme, bashkë me nxënësit e tjerë të vrarë nga kriminelët serbë. Ajo u masakrua po aty, në moshën 14-vjeçare, më 26 shtator të vitit 1998.[6]

ZEQIR JONUZ DELIU

4. 1954 – 26. 9. 1998

Zeqir Jonuz Deliu lindi më 20 prill të vitit 1954. Qe djali i madh i Jonuz dhe Fata Deliut, të cilët patën dy djem dhe një vajzë. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e lindjes. Në vitin 1973 Zeqiri u martua me Hasime Asllan Aliun nga Likoshani i Drenicës. Patën pesë djem dhe dy vajza.

Pas mbarimit të shkollës fillore, për shkaqe ekonomike, që në moshën 18-vjeçare detyrohet të dalë në kurbet. Në Slloveni jetoi dhe punoi plot 26 vjet, duke iu bërë krah i fortë familjes. Shquhej për dashamirësi, afërsi dhe mikpritje. Një familjar shumë i përkushtuar. Në dhjetor të vitit 1997 vjen në pushim dimëror dhe më nuk mund të kthehet në Slloveni, pasi plas lufta.

Djali i madh i tij tashti punon në Kosovë, ndërkohë që bashkëshortja e tij me katër djemtë, që nga paslufta, jeton dhe vepron në Danimarkë. Në moshën 44-vjeçare, pikërisht më 26 shtator 1998, policia dhe ushtria serbe e vrau Zeqirin së bashku me 23 anëtarët e tjerë të Deliajve. [7]

PAJAZIT RRUSTEM DELIU

1929 – 1998

Pajazit Rrustem Deliu lindi në vitin 1929 në Abri të Epërme në një familje bujare me tradita mikpritëse e atdhetarie. Babai i Pajazitit, Rrustemi, qe bashkëpunëtor i ngushtë i Xhemajl Abrisë. Pajaziti ishte vëllai i madh, kështu që i ra barra kryesore e përkujdesjes për të tjerët. Familja ku lindi ai ishte familje shumë e gjerë dhe, sipas traditës, kishin një rreth miqësie gjithandej Drenicës. Kulla e familjes së tij ishte pikëtakimi për burrat e trevave të ndryshme. Në të bëheshin plane të organizimit të popullatës për përballimin e të papriturave të kohës. Pajaziti, së bashku me vëllanë, Sherifin, që në fazat e hershme ishin shquar për zgjuarsi, trashëguar nga babai. Megjithatë, për shkaqe të rrethanave të kohës dhe kushteve të rënda ekonomike nuk patën mundësi ta vazhdonin shkollimin përveç mësimit fillor. Si shumicën e popullatës së kësaj ane, edhe Pajazitin e kishte ndjekur fati që një pjesë të jetës ta kalonte nëpër vende të ndryshme në kurbet.

Shquhej si një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe humanitare, i dashur nga të gjithë. Me afërsinë dhe humorin e tij pritej e pranohej kudo. U martua me Shehiden, një grua e cila qëndroi stoikisht përballë vështirësive të jetës. Ngritën së bashku një familje të shëndoshë me dhjetë fëmijë. Dy prej tyre u vdiqën në moshë të re, ndërsa tetë prej tyre, katër vajza dhe katër djem, janë gjallë. Pajaziti asnjëherë nuk hezitoi t’i përkrahte fëmijët për arsimim dhe edukim.

Në moshën 69-vjeçare, më 26 shtator të vitit 1998, u masakrua nga dora gjakatare e forcave paramilitare të Serbisë së bashku me anëtarët e tjerë të familjes Deliu.[8]

SHERIF RRUSTEM DELIU

1931 – 1998

Sherif Rrustem Deliu lindi më 1931 në Abri të Epërme. Ishte i biri i Rrustem Hysen Deliut, i njohur në lagje dhe fshat si bashkëpunëtor i afërt i pleqnarit të Kosovës, Xhemajl Abrisë. Fëmijëria e tij qe tepër e rëndë nën kushte rrënuese ekonomike. Sherifi nuk kishte ndonjë përgatitje arsimore, por ishte shumë mendjemprehtë, i respektuar dhe i nderuar nga lagjja dhe fshati. Merrej kryesisht me profesionin e muratorit, mjeshtër ndërtimi me gurë. Kishte dy motra dhe një vëlla: Xhemilen, Zejnien dhe Pajazitin. Xhemilja kishte vdekur në luftë. Nga të katërt sa qenë, sot jeton vetëm Zejnia. Ajo tashmë ka prekur të 80-tat dhe jeton në fshatin Turiqefc të Skenderajt.

Sherifi ishte martuar me Naile Gashin nga Kopiliqi. Patën dy djem e tri vajza. Nailja iku në amshim në vitin 2001, ndërsa djemtë dhe vajzat e Sherifit, që nga paslufta, jetojnë në Prishtinë. Ai ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare në malin e Kosmaqit, ndërmjet 26 e 27 shtatorit të vitit 1998. Më 29 mars 1999, pas gjashtë muajve e tri ditë, gjendet kufoma e tij dhe varroset në Varrezat e Deliajve. [9]

ALI DELI DELIU

1930 – 1998

Ali Deli Deliu ka lindur në vitin 1930 në Abri të Epërme. Është martuar në vitin 1952 me Zarife Statofcin nga Kijeva e Komunës së Malishevës. Patën tetë fëmijë, pesë djem dhe tri vajza. Kryesisht është marrë me bujqësi dhe blegtori për ta siguruar ekonominë e nevojshme familjare. Ka qenë mjeshtër ndërtimi dhe këtë zanat e ka praktikuar në lagje, në fshat dhe përtej. E kishte hobi gjuetinë. Ka gëzuar respekt nga rrethi familjar, por edhe ka pasur respekt për secilin që e ka njohur. Ishte i dashur për familjen, fqinjët dhe miqtë. Në moshën 68-vjeçare, më 26 shtator 1998, policia dhe ushtria serbe e vrau dhe e masakroi së bashku me 22 anëtarë të tjerë të Deliajve. [10]

[1] Rrëfim i Selman Liman Elshanit. Shkurt 2018

[2] Dëshmi e Milaim Musliut nga fshati Likoc, mars 2018

[3] Kujtimi i mësuesit Miftar Kadriu nga Likoci, janar 2018.

[4] Imer Deliu – Biografi e shkurtër e anëtarëve të familjes – Shënime (dorëshkrim).

[5] Feriz F. Deliu – Biografi e shkurtër e anëtarëve të familjes, dorëshkrim.

[6] Dr. Sami Deliu – “Biografi e shkurtë e anëtarëve të familjes” (Dorëshkrim)

[7] Avni Z. Deliu – Biografia e babes, dorëshkrim.

[8] Naim Deliu – Biografia e Pajazit Deliut (Dorëshkrim)

[9] Elmi Deliu – Biografia e Sherif Deliut (Dorëshkrim)

[10] Alush A. Deliu, Biografia e babes, Dorëshkrim. /AFRIM HYSENAJ/EPOKA E RE/N. Sh. ARMAGEDONI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
...Dita e 26 shtatorit 1998 fillon me riga shiu dhe…