Biri i Zotit?
Shekulli i IV ishte një periudhë vendimtare për krishtërimin, teksa duhej të jepte përgjigje për një pyetje thelbësore: Çfarë ishte Jezusi? Të krishterët e dinin kush ishte Jezusi—jeta, vdekja dhe ringjallja e tij ishin themelet e besimit të tyre. Por Perandoria Romake ishte thellësisht e ndarë rreth asaj, çfarë ishte Jezusi. Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të përcaktonte jo vetëm teologjinë, por edhe unitetin e Kishës dhe vendin e saj në perandori.
Jezusi si Zot dhe njeri
Jezusi e quajti veten Biri i Njeriut dhe Biri i Zotit. Kisha e hershme e shpalli atë njëkohësisht Zot dhe njeri, një figurë hyjnore që krijoi qiejt dhe tokën, por që gjithashtu jetoi dhe vuajti si një qenie njerëzore. Ky pretendim e veçonte nga praktika e zakonshme romake ku perandorët dhe figura të tjera shpalleshin perëndi. Ndryshe nga këto pretendime tokësore për hyjnizim, Jezusi përshkruhej si I vetmi Zot i vërtetë që u bë njeri.
Kjo ngjalli një pyetje qendrore: A mundet Krijuesi i gjithpushtetshëm të marrë me të vërtetë mbi vete dobësitë njerëzore, të jetojë në varfëri dhe të vdesë në një kryq? Për shumë, kjo ishte e vështirë për t’u pranuar. Një alternativë më e arsyeshme për disa ishte ideja që Zoti të dërgonte një përfaqësues për të kryer këtë mision – një krijesë e krijuar nga Zoti për këtë qëllim.
Sfida e Arianizmit
Kjo ishte pikërisht teza e propozuar nga prifti Arius (256–336 pas Krishtit). Ai argumentoi se Jezusi nuk ishte Zot në kuptimin e plotë, por një qenie e krijuar nga Zoti për të përmbushur një mision hyjnor. Kjo ide u përhap shpejt, veçanërisht midis njerëzve që nuk kishin reflektuar thellë mbi detajet e besimit të tyre.
Megjithatë, për peshkopët e Kishës, këto “detaje” ishin themeli i besimit. Në vitin 325, Perandori Konstandini thirri Këshillin e Nikeas për të zgjidhur këto çështje doktrinore. Ndër pjesëmarrësit ishte edhe Peshkopi i Myrës, Nikolla – i njëjti Shën Nikollë që sot lidhet me dhuratat e Krishtlindjes. Nikolla ishte i ashpër ndaj besimeve heretike të arianëve, dhe një tregim thotë se ai madje goditi një nga heretikët gjatë diskutimeve.
Formula e besimit të Nikeas
Çështja ishte jetike: Nëse Jezusi nuk ishte Zot në kuptimin e plotë, atëherë shpengimi i tij nuk ishte gjithëpërfshirës. Për më tepër, lindja e tij njerëzore, e festuar në Krishtlindje, nuk do të kishte të njëjtën rëndësi. Pas shpërthimit të tij, Nikolla u burgos dhe iu hoqën titujt e peshkopit. Por, sipas një legjende, ai pati një vizion të Jezusit dhe Marisë, të cilët i dhanë një libër ungjijsh dhe një rrobë priftërore.
Të nesërmen, rojet e gjetën Nikollën të veshur mrekullisht si peshkop dhe duke lexuar Shkrimet. Pas kësaj ngjarjeje, Këshilli vendosi të merrte anën e tij dhe shpalli se Jezusi ishte vërtet Zot. Ata formuluan Kredon Nikeane për të shprehur këtë besim, duke vulosur doktrinën e Trinisë së Shenjtë.
Trashëgimia dhe Krishtlindja
Arianizmi vazhdoi të ekzistonte për dy shekuj ndër fiset gjermanike që kishin pushtuar Evropën Veriore, duke bërë që Krishtlindja të mos kish rëndësi të madhe atje. Por kur Karli i Madh u kurorëzua si Perandor i Shenjtë Romak në Romë, në Ditën e Krishtlindjes të vitit 800, fiset gjermanike përqafuan Kishën Katolike dhe u përkushtuan si mbrojtës të saj.
Krishtlindja, Perandoria dhe Roma u bashkuan në perandorinë që Frankët po ringjallnin, duke vulosur rëndësinë e Jezusit si Zot dhe njeri në traditën e krishterë. / bota.al