Biseda e Demaçit me Albrightin: Nëse për lirinë duhet të vdesin 30 mijë shqiptarë, le të vdesin
Nëpër histori: si e përshkruan Madeleine Albright, sekretarja e atëhershme amerikane e punëve të jashtme, bisedën telefonike me Adem Demaçin gjatë negociatave të delegacionit kosovar në Rambouillet, në dimër të vitit 1999. Detajet janë shkëputur nga libri i Albright “Madam Secretary: a memoir”, Miramax Books, 2003.
Gjatë gjithë pasdites vrava mendjen si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK-së, ndaj më në fund vendosa ta provoja edhe Adem Demaçin.
Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni ku ndodhej dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që ta mbështeste qëndrimin tonë.
Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me mua; më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë: “Ka dy javë që palët po bisedojnë. Edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit.”
Mund të takohem me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten.
Demaçi tha: “Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.
Iu përgjigja: “Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. I thoni Thaçit se e mbështetni atë.
Demaçi ma priti: “Është e pamundshme”.
E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedat më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time. Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë më në fund pati sukses.