Bisedë telefonike Zaev-Merkel: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, lajm i mirë për Evropën
Të mërkurën më 3 prill, kryeministri i Maqedosnisë së Veriut, Zoran Zaev, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Gjatë bisedës mes dy homologëve është konfirmuar se vizita e kryeministrit grek, Alexis Cipras që është realizuar të martën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe mbledhja e përbashkët e Qeverisë ishin momente historike.
Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është shembull pozitiv për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këto janë lajme të mira për Evropën.
Me këtë rast i pari i ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar se diplomacia po hap rrugët mes vendeve.
“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës konfirmon se dialogu dhe diplomacia krijojnë rezultate pozitive për tejkalimin e çështjeve të hapura, të cilët mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta ekonomike për qytetarët”, citohet të këtë thënë Zaevi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe e Greqisë kanë nënshkruar disa marrëveshje për përforcimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit. Përveç kësaj në Shkup është mbajtur Forumi i biznesit ku kanë marrë pjesë më shumë se 140 kompani nga Greqia dhe 250 kompani nga Maqedonia e Veriut.
Më tutje, Zaevi e ka informuar kancelaren Merkel edhe për zhvillimet tjera politike në shtet, siç është mbajtja e dialogut të hapur me opozitën në lidhje me reformat ku dhe janë arritur rezultate konkrete me miratimin e një ligji të ri kundër diskriminimit, themelimin e Komisionit kundër korrupsionit, si dhe reformat në shërbimet e sigurisë dhe administratën publike. Dialogu për të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike është në rrjedhë.
Zaevi e ka falënderuar Merkelin për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Maqedonisë në të gjitha proceset, duke përfshirë edhe tejkalimin e kontestit për emrin me Greqinë fqinje, reformat e brendshme, veçanërisht me këshilltarin ekonomik që Gjermania e ka siguruar, me qëllim që t’i ndihmojë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa, kancelarja Merkel e ka përshëndetur zhvillimin pozitiv të zbatimit të Marrëveshjes të Prespës, si dhe zbatimin e reformave të vendit përmes dialogut të hapur me opozitën, gjë që sipas saj do të sjell rezultate pozitive dhe konkrete. /Alsat-M/