Bisedimet Kosovë – Serbi: Tri kërkesa për t’u mbajtur parasysh nga Kosova
Prof. Lisen Bashkurti, ambasador
Kosova dhe Serbia po hyjnë në fazën finale të normalizimit të marrëdhënieve. Ky normalizim do të realizohet nëpërmjet arritjes së një marrëveshje të gjerë dypalëshe me mbështetje dhe garanci ndërkombëtare. Të dy palët duket të jenë të tendosura maksimalisht. Kjo tendosje është normale po të kemi parasysh se marrëveshja synon që të lërë pas një konflikt të gjatë dhe të komplikuar historik. Por tendosjen më të madhe e kanë sjell idetë konfuze për ‘ndryshim’, ‘korrigjim’ apo ‘shkëmbin territorial’ midis dy vendeve. Këto ide nuk janë të reja dhe të panjohura, sikundër pasojat e tyre janë të vjetra, të rrezikshme dhe fare mirë të njohura.
Ideatorët publikë, presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Vuçiq dhe Thaçi, por edhe ata që qëndrojnë prapa tyre nisen nga interesa krejt të ndryshme. Vuçiqi me performancë ‘moderne’ dhe ‘Perëndimore’ në thelb po mendon e vepron as më shumë e as me pak si një ‘neo-Garashanin’ i kohës sonë. Ai synon të rikthejë ‘Serbinë e madhe” duke përfshirë gjithë pakicat serbe brenda kufijve politik të shtetit amë, pa marrë parasysh se me këtë mendim dhe qëndrim i rikthehet shteteve në linja etnike, pra në thelb konflikteve dhe luftërave historike. Doktrinat e shteteve etnikisht të pastra historikisht kanë dështuar, por ama pas luftërave tejet të përgjakshme dypalëshe, rajonale dhe botërore.
Në këtë lojë Vuçiqi nuk është vetëm, ai mendon e vepron konstitucionalisht dhe institucionalisht, politikisht dhe opinionalisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.
Thaçi në shpalosjet e shpeshta publike u paraqit konfuz, i paqëndrueshëm, improvizues dhe i pasigurt, çka do të thotë se nuk ka kurrfarë doktrine dhe as strategjie përpara vetes. Ai herë deklaroi ‘korrigjim kufijsh’, herë ‘ndryshim kufijsh’, herë ‘shkëmbim territoresh’, herë ‘përjashtim të ndarjes së Kosovës’, herë ‘bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën’, pra herë kështu e herë ashtu. Ky konfuzion, kjo paqëndrueshmëri, ky improvizim është shprehje e qartë dhe e plotë se Thaçi është i papërgatitur për t’u përballur me idetë që vetë hedh në tregun politik dhe publik. Thaçi ka hedhur idetë pa pasur të qarta konceptet prapa tyre, ka hyrë në këtë lojë politike e publike me Serbinë pa parashikuar skenarët e mundshme, ka hyrë në një skenar që nuk sheh se çfarë humb dhe çfarë fiton Kosova, ka rënë në një kurth me pasoja të paparashikueshme për veten, për Kosovën dhe mbarë Ballkanin. Në këtë grackë diplomatike Thaçi është vetëm, pa baza kushtetuese dhe pa mbështetje institucionale, politike dhe opinionale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në ‘duelin diplomatik’ Kosovë – Serbi, Kosova është më e brishtë, më e papërgatitur, më e disfavorshme dhe më e kërcënuar. Në këtë disbalancë forcash negociatore, kushdo që të jetë përfaqësuesi i Kosovës, në tryezën e bisedimeve është e nevojshme të mbahen parasysh tri kërkesat e mëposhtme:
- Kuadri kushtetues
Kushtetuta e Kosovës është themeli juridik i shtetit të Kosovës. Mbi atë bazë Kosova u bë shtet i pavarur e sovran, demokratik e multietnik, me integritet territorial dhe aftësi për të hyrë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kushtetuta e Kosovës u bazua në paketën e propozuar nga Marti Ahtisari në fund të vitit 2007. Ajo përmban tri parimet themelore negociuese të arritura nga Grupi i Kontaktit për Kosovën, që ishin ‘Kosova nuk ndahet, Kosova nuk kthehet ne statusin e përpara viti 1999, Kosova nuk bashkohet me shtet tjetër’. Gjithashtu, paketa e Ahtisarit dizajnonte një Kosovë demokratike dhe multietnike, duke synuar mënjanimin e ‘shtetit etnik tradicional’.
Në tërësinë vet Pakoja e Ahtisarit e shndërruar në Kushtetutë arriti të krijonte Kosovën e sotme, me paqe të qëndrueshme të brendshme dhe me kontribut paqësor në Ballkan.
Pakoja e Ahtisarit rezultoi me Kushtetutë të suksesshme. Nëse sot Kosova përballet me sfida në marrëdhëniet me pakicat serbe kryesisht në veri dhe me Serbinë në tërësi, këto sfida burojnë kryekëput nga Beogradi, nga doktrinat nacionaliste serbe, nga Kushtetuta e Serbisë si dhe nga politikat e sotme të saj. Sikundër burojnë edhe nga aleatët e mëdhenj të Serbisë. Kushdo që të jetë negociator i Kosovës dhe kushdo që të përpilojë strategjinë negociuese të saj lypet të mbajë në themel Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Aty përcaktohen ‘vijat e kuqe’ përtej të cilave nuk mund të shkojë asnjë negociator dhe nuk mund të përpilohet asnjë strategji. Shkelja e kuadrit kushtetues në thelb sjell në mënyrë të pashmangshme dështimin e shtetit të Kosovës në tërësi. Kolonat kushtetuese janë akti publik i fuqisë, i qëndrueshmërisë, i funksionalitetit dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës.
- Bashkëpunimi i brendshëm ndërinstitucional
Politikëbërja dhe vendimmarrja në politikën e jashtme të Kosovës janë atribut i një sërë institucionesh të parashikuara qartësisht në Kushtetutën e saj. Sistemi politik i Kosovës dhe i Serbisë ka ndryshime të rëndësishme edhe në këtë aspekt. Edhe statuset kushtetuese të presidentëve të të dy vendeve ndryshojnë. Presidenti i Serbisë zgjedhet direkt nga populli. Si i tillë ai është përfaqësues direkt i sovranit ashtu sikundër edhe Parlamenti i Serbisë. Presidenti i Serbisë, si përfaqësues i sovranit ka tagër legjitim më të gjerë dhe të fuqishëm të përfaqësimit të Serbisë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndonëse, si në çdo sistem politik të tillë, parimi ‘check and balance’ e detyron edhe presidentin e Serbisë të gjejë bashkë vendimmarrje me Parlamentin e Serbisë, ku në fund të fundit ratifikohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të negociuara dhe të firmosura nga presidenti serb.
Presidenti i Kosovës zgjedhet nga parlamenti, në opsionin ultima me shumicë të thjeshtë. Ky president nuk është përfaqësues direkt i sovranit. Sovraniteti në Kosove bartet te Parlamenti i Kosovës. Kjo e bën Kosovën republikë parlamentare të qartë. Presidenti i Kosovës nuk ka tagër legjitimiteti – sovrani, kompetencat e tij janë të kufizuara, të dobëta dhe të limituara në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Në dimensionin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes në politikën e jashtme Kosova është ndërinstititucionale. Parlamenti dhe Komisioni i Politikës së Jashtme, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, presidenti dhe Gjykata Kushtetuese janë në tërësinë e tyre, në institucionet që përfshihen në politikëbërjen dhe në vendimmarrjen e politikës së jashtme të Kosovës. Kushdo qoftë negociatori i Kosovës dhe kushdo që ta përpilojë strategjinë e negocimit të saj lypet të konsiderojë këtë tërësi institucionesh politikëbërëse dhe vendimmarrëse në politikën e jashtme. Shpërfillja ose anashkalimi i ndërinstitucionalizmit prodhon politika jolegjitime, jo të qëndrueshme dhe jo të zbatueshme. Shpërfillja dhe anashkalimi ndërintitucional do ta fuste Kosovën në krizë të thellë politike që do gjeneronte pasoja edhe në marrëdhëniet me fqinjët dhe me mbarë Ballkanin.
- Bashkëpunimi me partnerët strategjikë, politikë e ndërkombëtarë
Projekti i shtetit të Kosovës qysh në fillesën e tij është produkt i partneritetit strategjik ndërkombëtar. Në këtë partneritet strategjik ndërkombëtar kanë spikatur veçanërisht shtetet e Quintit, ShBA, Gjermania, Britania, Franca dhe Italia. Shqipëria është gjithashtu pjesë e këtij partneriteti politik strategjik për Kosovën, por me peshë të limituar ndërkombëtare. Këta partnerë strategjikë vulosën Republikën e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Në këtë konstelacion partneriteti politik strategjik, kohët e fundit po lakohet edhe Bashkimi Evropian. Këtu ka një pasaktësi. Bashkimi Evropian, bazuar në Traktatin e tij, nuk ka një politikë të jashtme unike. Politika e jashtme e BE-së është atribut i shteteve anëtare individuale të saj. Ka aspekte që BE-ja arrin konsensus në politikën e jashtme, sikundër ka edhe aspekte ku shtetet anëtare vendosin mbi bazën e interesave të tyre individuale.
Në qëndrimin ndaj shtetit të Kosovës, Bashkimi Evropian nuk ka konsensus. Ka shtete që e kanë njohur Kosovën, sikundër ka edhe shtete që nuk e kanë njohur atë. Pra, ka shtete pro Kosovës, sikundër edhe pro Serbisë. Ndaj Kosovës Bashkimi Evropian si nivel organizate është i dyzuar në mënyrë kontradiktore. Për këtë arsye Bashkimi Evropian ka përcaktuar pozicion ‘neutral’ ndaj statusit politik të Kosovës. Bashkimi Evropian i arrin negociatat teknike sepse kaq ka mandat. Bashkimi Evropian nuk merret fare me statusin politik final të Kosovës. Por, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është kryekëput çështje politike. Në këtë aspekt Bashkimi Evropian si nivel organizate është i përçarë, i dobët dhe për këtë arsye nuk është dhe nuk ka se si të jetë partner politik strategjik i Kosovës. Kjo nuk cenon aspak rëndësinë e Bashkimit Evropian për Kosovën në aspekte të tjera të bazuara në Traktatin e Lisbonës, siç janë fusha ekonomiko – tregtare, katër lëvizjet e lira, rendi e ligji, aqquis communitaires dhe në bashkëpunimin ndërqeveritar në fusha politike, sigurie dhe diplomatike ku ka konsensus.
Partnerët politikë dhe strategjikë të Republikës së Kosovës kanë qenë dhe mbeten ShBA, Gjermania, Britania, Franca, Italia dhe specifikisht Shqipëria.
Shtetet e Quintit plus Shqipëria kanë mbajtur një qëndrim unik dhe në kontinuitet për Kosovën. Prandaj, konsultimi dhe bashkëpunimi me to është ‘condicio sine qua non’ për Kosovën në çdo fazë të saj për sot dhe për shumë kohë.
Republika e Kosovës dhe partnerët politikë dhe strategjikë të Quintit dhe Shqipëria kanë një agjendë të përbashkët. Kosova është sukses i kësaj agjende. Kosova nuk mund të jetë dështim pikërisht për shkak të kësaj agjende. Kushdo që të jetë negociatori për Kosovën dhe kushdo që ta përpilojë strategjinë e saj negociuese lypet të jetë në konsultim dhe bashkëpunim permanent me shtetet e Quintit dhe specifikisht me Shqipërinë. Në këtë mënyrë Kosova siguron mbështetjen dhe garanton një marrëveshje të arsyeshme, të drejtë dhe të dobishme për vete dhe për mbarë rajonin. Në nivel ndërkombëtar Quinti dhe në nivel rajonal edhe Shqipëria janë mbështetja dhe garancia më e madhe për Kosovën dhe për mbarë Ballkanin.