Bisedimet për paqe në Ukrainë rinisin më 11 qershor
Të dërguarit e Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë do të mblidhen në Berlin më 11 qershor, në përpjekje për të rinisur procesin e paqes në lindje të Ukrainës, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.
“Gjatë javëve të kaluara, në bisedimet tona me ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Francës dhe Rusisë, kemi synuar të organizojmë një takim të ri”, ka thënë Maas gjatë vizitës në qytetin Mariupol në lindje të Ukrainës.
Maasi ka thënë se është i kënaqur që ministrat e Jashtëm të katër vendeve do të mblidhen “për të diskutuar të ardhmen e zhvillimeve në Ukrainë”.
Ai këto komente i ka bërë në kohën kur kanë ngecur përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë.
Ky konflikt, që ka nisur qysh në vitin 2014, ka lënë mbi 10 000 njerëz të vrarë.
Udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë kanë negociuar një paketë masash në shkurt të vitit 2015 në Minsk, për t’i dhënë fund konfliktit, por, që atëherë, Kievi dhe separatistët kanë akuzuar vazhdimisht njëri-tjetrën për shkeljen e tyre.