Bisedimet për Ukrainën, sinjalet për Kosovën

26 shkurt 2025 | 08:25

Realiteti i ri në gjeopolitikën globale i krijuar nga qasja e re e SHBA-së ndaj Ukrainës pas rikthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht pas bisedimeve të nisura fillimisht në Riad të Arabisë Saudite pa përfshirjen e palës europiane dhe Kievin, ka ngritur shqetësime që një politikë e tillë mund ta inkurajojë Serbinë për fituar avantazhe në raport me Kosovën.

Një takim gati pesëorësh i zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite, mes palës amerikane dhe asaj ruse, në lidhje me luftën në Ukrainë, pa i ftuar fare bllokun europian dhe Kievin ka nxitur pikëpyetje, për një realitet të ri të mundshëm në rrafshin global.

Për më shumë se kaq, një javë më pas edhe në Kombet e Bashkuara (OKB), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u rreshtuan në anën e Rusisë duke votuar kundër Rezolutës që riafirmon “angazhimin e OKB-së për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Ngjarjet madhore në botë kanë ndikim edhe në të ardhmen e shteteve të vogla si Kosova, e cila në një formë ose tjetër varet nga marrëdhëniet me aleatët dhe nga politikat që i vendosin fuqitë botërore. E, sidomos në raste të situatave të tensionuara mes të dy shteteve.

Dialogu Kosovë- Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian (BE), që nga viti 2011, është një nga pikat kryesore që parashihet se mund të ndikohet nga zhvillimet e reja botërore nën Administratën e republikanit Trump.

Sa herë që është përmendur Ukraina gjithmonë është krahasuar me rastin e Kosovës. Gjasat që bisedimet për Ukrainën, pa Ukrainën dhe Europën, t’i japin kurajo Serbisë në qasjen ndaj Kosovës ekzistojnë deri diku – vlerësojnë ekspertët të cilët prej që ka ardhur Trump në pushtet nuk e përjashtojnë asnjë mundësi. 78-vjeçari në krye të SHBA-së shihet si i paparashikueshëm.

Në njërën anë një ekspert amerikan vlerëson që Dialogu Kosovë-Serbi nuk është fort lart në agjendën e Trumpit, për shkak të zhvillimeve tjera të rëndësishme në botë. Në anën tjetër, një eksperte kosovare vlerëson se nëse Dialogu bëhet pjesë e agjendës, Serbia mund ta ketë në krah Administratën e re dhe Rusinë për të fituar zgjerim të pozicionit të saj në rajon. Kurse, një profesor gjerman thotë që edhe pse ende është herët “Kosova duhet të përgatitet për më të keqen”.

“I njëjti skenar mund të përsëritet sërish”

Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Europë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), njëherësh eksperte dhe hulumtuese e lartë e sigurisë, vlerëson se është ende herët për të nxjerrë përfundime për të krahasuar qasjen ndaj Ukrainës dhe mundësinë për një qasje të ngjashme ndaj Kosovës, pasi sipas saj ende nuk ka një përqendrim të qartë në Ballkan.

“Për momentin, mund të bëjmë vetëm spekulime duke tërhequr paralele midis qasjes ndaj Ukrainës dhe asaj ndaj Kosovës.” – tha ajo, për KALLXO.com, duke mos përjashtuar mundësinë që Serbia mund të përfitojë avantazhe nga kjo situatë.

Pas takimit në Riad, më 18.02.2025, Trump kishte shkruar në platformën e tij Truth Social se Zelensky është “diktator pa Zgjedhje” dhe ka paralajmëruar që ai “më mirë e ka të veprojë shpejt, apo do të mbetet pa shtet”. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishte thënë për Trumpin se “jeton në hapësirën e tij të dezinformatave”, të nxitur nga Moska.

Nisur nga mungesa e palës ukrainase dhe europiane në takimin në Riad, ajo vlerëson se kjo qasje është jashtëzakonisht e pazakontë, pasi që prej fillimit të luftës Europa ka pasur kontributet e saj të konsiderueshme në mbrojtjen, mbështetjen politike dhe përpjekjet për rindërtimin e Ukrainës. Pothuajse në të njëjtin nivel me ato të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, sipas saj ky zhvillim ishte “disi” i parashikueshëm, duke pasur parasysh që Trump prej kohësh ka sinjalizuar synimin e tij për të marrë kontrollin e situatës, madje duke pretenduar gjatë fushatës së tij se mund ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda një dite.

Në këndvështrimin e Eminit, një qasje e ngjashme u pa në Kosovë në vitin 2020, kur Administrata e Trumpit mori kontrollin e Dialogut nga Bashkimi Europian (BE), e cila kishte hasur vështirësi në arritjen e progresit në këtë proces.

“I njëjti skenar mund të përsëritet përsëri, veçanërisht me një Administratë që nuk ka qenë miqësore ndaj Kosovës – sidomos ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ky qëndrim reflektohet qartë në aktivitetet e Richard Grenellit në rrjetet sociale para Zgjedhjeve në Kosovë – duke treguar mungesën e mbështetjes.” – tha Emini për KALLXO.com.

Në krahun tjetër, profesori i Studimeve Europiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, David Kanin vlerëson se është e vështirë të thuhet nëse “kthesa e mprehtë e Uashingtonit”, siç e quan ai, drejt largimit nga Ukraina dhe në favor të Rusisë lë për të kuptuar ndonjë gjë që lidhet me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës.

Në botëkuptimin e Kaninit, presidenti serb Aleksandër Vuçiq është i fokusuar kryesisht në trajtimin e problemeve të tij serioze të brendshme dhe nuk tregon asnjë shenjë të ndryshimit të qasjes së tij ndaj mosmarrëveshjes së Statusit.

“Marrëdhëniet e mira që ai (Vuçiq) ka pasur me Trumpin mund ta bëjnë atë të shpresojë se Uashingtoni mund të jetë i gatshëm të dobësojë mbështetjen e tij për sovranitetin e Kosovës.” – tha ai për KALLXO.com.

Por, së pari sipas tij Vuçiq do të duhet të bindë SHBA-në që të shtojë fokusin në problemet e Ballkanit në një agjendë shumë të plotë sigurie, që përfshin Ukrainën, Gazën dhe Lindjen e Mesme; Kinën e Detin e Kinës Jugore, Grenlandën e gjeopolitikën e Arktikut, si dhe Kanalin e Panamasë.

Gjasat që Dialogu Kosovë-Serbi të mos jetë lart në agjendën e SHBA-së

Marrë parasysh zhvillimet e tjera në botë, Donika Emini nuk beson që Dialogu Kosovë-Serbi mund të jetë lart në agjendën e Administratës Trump.  Por, ajo nuk e përjashton faktin që Serbia e ka mirë edhe me Administratën Trump dhe me Rusinë, kështu që mund ta shfrytëzojë një gjë të tillë për të zgjeruar pozicionin e saj në rajon.

“Ndryshe nga viti 2020, kur kishte një zell politik nga vetë liderët e rajonit për të shtyrë procesin përpara, këtë herë një klimë e tillë nuk ekziston as në Kosovë dhe as në Serbi.” – tha ajo, duke shtuar se ndryshe nga viti 2020 në botë ka më shumë pika të nxehta të konfliktit, ku interesat e SHBA-së për ndërhyrje direkte janë më të mëdha.

Kur përmend pikat e nxehta, Emini nuk ka fjalën vetëm për Ukrainën, por edhe Gazën, Tajvanin, si dhe çështje të tjera që janë shfaqur me këtë Administratë në raport me Kanadanë, Meksikën dhe Danimarkën.

Sidoqoftë, Emini vlerëson se Administrata Trump nuk e ka konsideruar rajonin si prioritet, megjithëse Richard Grenell ka lënë shpesh të kuptohet për një rikthim të mundshëm, “duke postuar rregullisht në rrjetet sociale për Kosovën, ose për çështje që lidhen me Qeverinë e saj”.

Si rrjedhojë, Emini thotë se nëse Administrata aktuale amerikane vendos të angazhohet në Dialog ka shumë gjasa që të anojë më shumë nga Serbia, “duke pasur parasysh përpjekjet e mëdha diplomatike të Serbisë në SHBA dhe parashikimin strategjik të saj për një rikthim të mundshëm të Trumpit në Presidencë gjatë katër vjetëve të fundit”.

Duke pasur parasysh tensionet në rritje globale dhe tensionet e paprecedenta në marrëdhëniet SHBA-Europë, ajo mendon se është më strategjike të qëndrohet jashtë vëmendjes dhe jashtë agjendës së menjëhershme.

Ndërkohë, sa nuk është Dialogu pjesë e agjendës, ajo thotë se kjo periudhë duhet të shfrytëzohet strategjikisht për të rikalibruar përpjekjet, për të forcuar partneritetet dypalëshe brenda Europës dhe për t’u përgatitur për të naviguar çdo sfidë të mundshme që mund të shfaqet.

Pas asaj që është parë në Ukrainë, Emini beson është e qartë se Administrata aktuale e Trumpit ka ndryshuar dinamikën dhe e konsideron shumë më të dobishme për Kosovën që të përfitonte nga frika e destabilizimit në Europë – duke u angazhuar aktivisht në Dialog me SHBA-në dhe BE-në.

“Megjithatë, sot situata është përmbysur dhe Serbia mund ta shfrytëzojë destabilizimin në favor të saj. Si aleati më i afërt i Rusisë në rajon, Serbia mund të përshtatë lehtësisht agjendën e saj dhe të sigurojë që Ballkani të bëhet pjesë e ekuacionit më të gjerë gjeopolitik.” – tha ajo.

Në anën tjetër, eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Europës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing thotë se qëndrimet e presidentit Trump nuk ndjekin asnjë qasje tradicionale diplomatike apo strategjike në lidhje me Europën, Ukrainën, e ndoshta as me Ballkanin dhe Kosovën.

Prandaj, ai mendon që duhet pritur dhe parë se cili do të jetë qëndrimi i Administratës amerikane ndaj Kosovës dhe rajonit.

“Nëse do të jenë aq shkatërruese sa duket aktualisht kursi presidencial në Europë, Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për më të keqen (si dhe, për përmirësime të mundshme të marrëdhënieve dypalëshe me SHBA-në).” – tha ai, për KALLXO.com.

Mendimi i vetëm strategjik i Trumpit që duket se është i dallueshëm është logjika e “marrëveshjeve ekonomike dhe investimeve” – thotë ai, duke shtuar se nëse kjo është e vërtetë, pozita e Kosovës brenda mendimit strategjik të SHBA-së do të përkeqësohet më tepër.

“Pasi rëndësia strategjike e Kosovës në aspektin ekonomik është ndoshta pothuajse inekzistente brenda kësaj perspektive.” – tha ai.

Roli i SHBA-së në Dialogun Kosovë- Serbi

Shtetet e Bashkuara kanë qenë një aktor kryesor në Dialogun Kosovë-Serbi, duke mbështetur në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës dhe duke lehtësuar negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa BE-ja udhëheq kryesisht përpjekjet e ndërmjetësimit të Dialogut Beograd-Prishtinë, SHBA-ja ka qenë një partner me ndikim, duke ofruar mbështetje diplomatike dhe duke inkurajuar të dyja palët që të përfshihen në negociata konstruktive.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit Donald Trump, asokohe në mandatin e parë, u nënshkrua Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për palën e Kosovës kishte nënshkruar kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti, ndërsa për atë serbe, Aleksandër Vuçiq.

Megjithatë, Dialogu Kosovë-Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit.

Në mars të vitit 2025 shënohen dy vjet qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut Kryeministri kosovar dhe Presidenti serb ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 Nene, ndër të tjera, parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha Marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë Dialogut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka kritikuar komunën e…