Bisedohet për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë
Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, u prit në Budapest nga ministri për Çështje të Bashkimit Evropian, Janos Boka, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi të arriturat e qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat sociale dhe në ekonomi, si dhe konfirmoi angazhimin e plotë të qeverisë për gjithëpërfshirje dhe përkrahje të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike.
Tutje, zëvendëskryeministrja Rexhepi theksoi nevojën për largimin e masave të BE-së të cilat mbeten në fuqi padrejtësisht.
Po ashtu, zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi edhe rëndësinë e përkrahjes ndaj vendit tonë në avancimin në rrugëtimin e procesit drejt integrimit në BE përmes marrjes së statusit të vendit kandidat.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi e falënderoi ministrin Boka për kontributin e Hungarisë ndër vite si dhe mbështetjen e saj edhe për ofrimin e bursave për studentët nga Republika e Kosovës pa dallim në kuadër të platformës Hungaricum Stipendium.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi ftoi ministrin Boka për vizitë në Republikën e Kosovës për të parë së afërmi progresin e arritur dhe për të mësuar më shumë për dinamikat e përgjithshme që ndërlidhen edhe me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë në Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Rexhepi po qëndron në një vizitë zyrtare në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e nivelit të lartë për çështje të politikave sociale dhe demografisë që mbahet në kuadër të presidencës hungareze të BE-së e që do të zhvillohet në Budapest.