Biserko: Nëse Vuçiqi qëndron prapa sulmit, qasja e Perëndimit në dialog mund të ndryshojë
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas një grupi paraushtarak që i zu pritë një patrulle policie, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të dielën në Banjskë të Zveçanit.
Nëse kjo vërtetohet, siç shkruan The Guardian të enjten, pritet ta ndryshojë qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo e fundit pritet edhe të sanksionohet.
“Nëse Vuçiç zbulohet se ka qenë i përfshirë, kjo mund të ndryshojë qasjen e ndërmarrë nga SHBA dhe BE ndaj negociatave, të cilat janë kritikuar nga ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut si të njëanshme ndaj Beogradit . Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë”.
“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar në punë për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe pastaj të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Sonja Biserko.
Ajo ka thënë se ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë.
“Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, ka thënë ajo.