Bislim Zyrapi, dëshmitari i radhës në rastin e liderëve të UÇK-së në Hagë
Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bislim Zyrapi është dëshmitari i 75 i ZPS-së në çështjen kundër katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Zyrapi, si asnjë dëshmitar më parë, është planifikuar të dëshmojë për plot 7 ditë, pasi Prokuroria ka kërkuar 8 orë për ta marrë në pyetje ndërkaq ekipet e mbrojtjes 25 orë.
Po ashtu, Bislim Zyrapi është paraqitur në gjykatoren e Gjykatës Speciale me avokat mbrojtës, belgun Rik Vanreusel, meqë sipas kryegjyqtarit Charles Smith ekziston rreziku i vetëinkriminimit nga ana e Zyrapit, gjatë kohës sa ky do të flas për veprimtarinë, strukturën, qasjen dhe bashkëpunimet e UÇK-së gjatë periudhës së aktakuzës.
Për ta dëgjuar dëshminë e ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në sallë janë të pranishëm që të katër të akuzuarit, përfshirë Jakup Krasniqin që gjatë javëve të fundit ishte paraqitur vetëm me video-lidhje.