Bislim Zyrapi vazhdon dëshminë në Hagë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe këtë të martë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të hënën, më 1 korrik, ka filluar dëshminë Bislim Zyrapi, i cili gjatë dëshmisë së tij në Speciale ka thënë se gjatë periudhës nga nëntori i vitit 1998 deri në mars të vitit 1999 pjesën më të madhe të kohës Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë i vendosur në fshatin Divjakë në Malet e Berishës.
Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë gjatë sesionit të paradites në seancën e sotme.
Zyrapi është planifikuar të dëshmojë për katër ditë, pasi Prokuroria ka kërkuar 8 orë për ta marrë në pyetje ndërkaq ekipet e mbrojtjes 25 orë.
“Sipas informacioneve të Panelit, ky dëshmitar nuk është në dispozicion për të dëshmuar të martën dhe të enjten pasdite. Prandaj, dëshmia e tij për këtë javë do të ndodhë për ditë të plota sot dhe të mërkurën, dhe për gjysmë ditë të martën dhe të enjten”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët më 2 korrik pritet të mbahet nga ora 09:00 deri në orën 13:00.