Bislimi: Arsyeja e kthimit ka qenë cenimi i sigurisë, mendojmë se është e shpikur
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur pas kthimit nga Beogradi, të cilit iu tha se siguria është e cenuar, pasi i njëjti ka pasur të planifikuar të jetë pjesëmarrës në disa forume në kryeqytetin serb.
Bislimi tha se sot dhe nesër është dashur të jetë i pranishëm në Beograd, ku do të merrte pjesë në tryezën e Forumit për Marrëdhënie Etnike në një diskutim me korin diplomatik në Serbi dhe organizatat e shoqërisë civile, ku do të diskutohej për Kosovën dhe rrugën drejt Evropës të tërë regjionit.
“Për këtë ne kemi paraqitur kërkesë tek organet qysh javën e kaluar dhe e njëjta është aprovuar. Edhe sot gjithçka ka qenë në rregull derisa në një moment të caktuar kur na është thënë se Serbia nuk mund ofroj siguri, apo siguria ka qenë e cenuar që për ne është një sinjal që Serbia ende s’është e gatshme të punojë drejt normalizimit”.
“Është pak absurde që në një konferencë për siguri, Serbia publikisht të pranojë se ka elemente kriminale që duan ta cenojnë sigurinë dhe duhet ta pranojë që është e dobët që të ofrojë siguri për pjesëmarrësit”, është shprehur Bislimi, njofton Klankosova.tv..
Sipas të dytit të qeverisë, arsyeja e kthimit të tij nga Beogradi nuk është te cenimi i sigurisë, pasi qëllimi i ekipit kosovar, sipas tij, ka qenë që edhe Beogradit, korit diplomatik por edhe qytetarëve të Serbisë t’i ofrohet versioni i Kosovës mbi zhvillimet që janë edhe në Kosovë por edhe derjt normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve.
“Qytetarët serbë janë të ekspozuar ndaj një propagande shumë të tmerrshme nga qeveria e Serbisë dhe një të vërtete të shpikur rreth zhvillimeve në Kosovë por edhe në dialog dhe si duket që ka pasur një rezistencë të madhe që të mos mundësohet edhe paraqitja edhe e anës tjetër”, është shprehur Bislimi.
Ai tha se ndalesa e eskortës kosovare ka ndodhur diku rreth 85 kilometra përpara se të mbërrijnë në Beograd dhe se sipas tij, është e palogjikshme që cenimi i sigurisë të konstatohet menjëherë.
“Nuk na ka ndaluar askush por një veturë e policisë i është bashkuar eskorët, pastaj ka kërkuar nga eskorta që të zhvendoset në një pushimore të rrugës dhe pastaj i është komunikuar zyrës sonë ndërlidhëse që duhet të kthehemi për shkak të cenimit të sigurisë”.
“Qëllimi ka qenë pamundësimi i pjesëmarrjes së një zëvendëskryeministri të Kosovës në një forum të tillë në Beograd, meqë është forumi kryesor që mbahet këtë vit atje dhe mendoj se ka qenë një rezistencë e madhe që në një forum të tillë të prezantohet e vërteta e Kosovës”, është shprehur Bislimi.