Bislimi: Deri më tani kemi 30 mijë aplikime për pakon emergjente

23 prill 2020 | 14:33

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka bërë me dije se deri sot kanë aplikuar 15 mijë biznese për kompensim të pagave për punëtorët dhe mbi 15 mijë nga ana e familjeve pa të ardhurat alternative.

“Deri më sot në ora 11:00, që do të thotë për 11 ditë kemi pranuar mbi 15.000 aplikime nga ana e bizneseve dhe mbi 15.000 nga ana e familjeve pa të ardhura alternative”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Bislimit:

Të nderuar qytetarë të Republikës,

Më lejoni që të ndaj me ju informatat lidhur me progresin e deritanishëm me aplikimet për masat e pakos emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës, më specifikisht për aplikimet që përfshijnë kompensimin e punëtorëve (masa 1.3), punëmarrësit e rinj (masa 1.14), punëmarrësit e sektorit privat të ekspozuar (masa 1.7), punëmarrësit e larguar nga puna (masa 1.8); kompensimin e qerasë (masa 1.3), pagesa shtesë për ekspozim në sektorin e shëndetësisë, sigurisë dhe inspektimi (masa 1.6) si dhe për mbështetje për familjet pa asnjë të ardhur alternative (masa 1.15).

Deri më sot në ora 11:00, që do të thotë për 11 ditë kemi pranuar mbi 15.000 aplikime nga ana e bizneseve dhe mbi 15.000 nga ana e familjeve pa të ardhura alternative.

Më saktësisht, nisur nga aplikimet e deritanishme kemi kërkesa për:
1. Kompensim të pagës në masën e 170 euro për gjithsej 62.550 punëtorë,
2. Kompensim të pagës për punëtorë të rinj për gjithsej 4.092 punëtorë të regjistruar për herë të parë.
3. Kompensim për punëtorët e larguar nga puna për gjithsej 671 punëtorë
4. Kompensim për shtesën prej 100 euro për shitësit në markete, furra e barnatore për gjithsej 2.781 punëtorë
5. Kompensim për gjysmën e shumës së qerasë për gjithsej 3.779 qeramarrës.
6. Kemi pranuar 15.322 kërkesa për mbështetje familjare për ato amvisëri që momentalisht nuk kanë asnjë të ardhur as nga sektori publik e as ai privat (10.122 aplikime online dhe 5.200 aplikime fizike). Ne këtë masë ka pasur keqkuptime dhe me gjasë ka edhe shumë aplikime të gabueshme.
7. Kemi pranuar deri më tani kërkesa për pagesën e shtesës prej 300 euro nga masa 1.6 për diku 23.000 zyrtarë nga sektori i shëndetësisë, sigurisë dhe inspektimeve.

Nga këto informata dalin dy mesazhe shumë të fuqishme:
a. Si komuniteti i biznesit ashtu edhe qytetarët kanë besim maksimal në pakon emergjente dhe rrjedhimisht aplikimi është shumë intenziv, dhe
b. Numri i vendeve të reja të punës të formalizuara është gjashtëfish më i madh se sa numri i punëtorëve të raportuar si të larguar nga vendi i punës, që dëshmon nivel të lartë të përgjegjësisë morale nga vetë komuniteti i biznesit. Ruajtja e kontigjentit të fuqisë punëtore është ndihmesa më e madhe që i bëhet ekonomisë në këtë periudhë të pazakontë.

VAZHDOJMË

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lajmëtari-tupanxhiu ka filluar që në mëngjesin e hershëm në lagjet…