Bislimi dhe Petkoviqi takohen nesër në mëngjes në Bruksel
Takimi i nesërm në nivel krynegociatorësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të nis që nga ora 10:30, ku fillimisht ndërmjetësi do të takohet ndaras me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe të ashtuquajturin drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Për kohën e takimeve ka raportuar “Tanjug”-u.
Takimi në mes të Bislimit dhe Petkoviqit vjen pas takimit të nivelit të lartë më 2 maj ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku për herë të parë është shpalosur draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ekipi menaxhues tashmë është shpërbërë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa draft-statuti i hartuar nga ky ekip është vlerësuar si antikushtetues.
Bashkimi Evropian e ka kundërshtuar këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se pala kosovare “ka shkelur germën dhe frymën” e marrëveshje të arritura në Bruksel. Sipas tyre, ky ekip “duhet të qëndrojë në vend” deri në miratimin e një statuti përfundimtar të Asociacionit.
Këtë javë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçaku ishte në Prishtinë dhe Beograd për t’i paraprirë takimit të së hënës në Bruksel, ku pritet që bisedimet për statutin e Asociacionit të barten në nivel kryenegociatorësh. Një deklaratë e Lajçakut se draft-statuti i hartuar nga Ekipi Menaxhues do të shërbejë si “pikënisje” dhe se do të provohet të gjendet “mesi” i dy vizioneve për Asociacionin ka shkaktuar indinjatë të madhe te partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.