Bislimi e akuzon Serbinë për “diskriminim agresiv” të shqiptarëve në Luginë

03 dhjetor 2024 | 19:24

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Serbinë për “diskriminim agresiv” të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

Përmes një postimi në X, ai kritikoi Serbinë për “thellim të margjinalizimit” të profesionistëve shqiptarë, teksa foli për emërimin e një gjyqtareje serbe në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë.

“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi së fundi ka emëruar Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë. Ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, forcon pabarazinë në institucionet vendimmarrëse”, tha ai.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

“Përkushtimi i Serbisë për të drejtat e minoriteteve është joekzistent. Është urgjente që Bashkimi Evropian të reagojë dhe të ndalë këtë diskriminim agresiv”, tha ai.

Bislimi tha se tre zëvendësprokurorë shqiptarë, që kanë dalë në pension, janë zëvendësuar me prokurorë serbë.

Ai tha se shqiptarët në qarkun e Pçinjës kanë vetëm 12 për qind të posteve në gjyqësor dhe vetëm 2.7 për qind e tyre janë gjykatës, pavarësisht se “përbëjnë 30 për qind të popullatës. Më 2011, Gjykata Themelore e Preshevës po ashtu u shua”.

Bislimi po ashtu tha se situata është e njëjtë edhe në Qendrën Mjekësore në Preshevë, ku ushtruesi i detyrës është një mjek serb, pavarësisht se në këtë zonë, “serbët përbëjnë vetëm 3 për qind të popullatës”.

Shqiptarët që jetojnë në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen me termin Lugina e Preshevës – shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, teksa zyrtarët në Qeverinë e Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre akuzave.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës për vite të tëra ankohen po ashtu për pasivizim të adresave të banimit dhe gjatë këtij viti kanë protestuar disa herë duke kërkuar më shumë të drejta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i PDK-së, afaristi nga diaspora, Shahin Dervishaj,…