Bislimi e njofton ambasadorin norvegjez për pakon e masave emergjente të qeverisë
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka takuar ambasadorin norvegjez në Kosovë Jens Erik Grøndahl, me të cilin ka biseduar për situatën e krijuar nga virusi Covid-19 si dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë.
Bislimi e ka informuar ambasadorin norvegjez për gjendjen nëpër të cilën po kalon Kosova dhe për pakon e masave emergjente që Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur si hap të parë në adresimin e problemeve ekonomike që rezultojnë nga pandemia, ku janë përfshirë veprime dhe intervenime që kanë për synim ndihmesën imediate për qytetarët tanë të krijuar nga koronavirusi.
Ndërsa ambasadori Grøndahl ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të shtetit norvegjez për të ndihmuar shtetin e Kosovës në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid-19.
Me këtë rast, janë diskutuar edhe fushat specifike të cilat për momentin kanë më së shumti nevojë për mbështetje dhe mënyrën se si bashkëpunimi në këtë sferë të rritet.