Bislimi e Petkoviç në selinë e NATO-s, për urën
Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviç, pas përfundimit të takimeve të ndara me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, janë nisur drejtë selisë së NATO-s në Bruksel për të diskutuar ndër të tjera për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
Pas takimeve të ndara, meqë ai trelateral dështoi të dy delegacionet kanë konfirmuar se në selinë e NATO-s do të diskutohet çështja e hapjes së urës.
Për takimin me përfaqësuesit e NATO-s në mënyrë eksplicite, të martën, në një prononcim për media u deklarua, Petkoviç, duke konfirmuar se në selinë e NATO-s do të diskutohet për çështjen e urës.
“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur, sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha Petkoviç në një prononcim për media.
Ai paraprakisht tha se gjatë takimit me Lajçak-un ka insistuar në demarkimin e kufijve kadastral “si parakusht” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
Ai ka njoftuar se ka insistuar në demarkimin e zonës në Suhadoll në Mitrovicë të Veriut.
“Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes, ku insistojmë në demarkimin e zonës së Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, ka thënë Petkoviç, transmeton mediumi serb me seli në Kosovë, “Kossev”.