Bislimi e Petkoviq të martën takohen në Bruksel
Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit.
Atje, ditën e nesërme, ai do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut – kanë bërë të ditur nga Zyra e Kryeministrit me anë të një njoftimi për media.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar mbajtjen e takimit të ri në kuadër të dialogut në nivel kryenegociatorësh për datën 17 shtator.
Kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia do e fillojnë ditën me takimet e ndara ma emisarin evropian për dialog Miroslav Lajçak.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, u takuan për herë të fundit në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.
Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës këmbëngul se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, duhet të zbatohen.
Marrëveshje të tilla janë me dhjetëra, por shumë pak janë zbatuar.
E, BE-ja thotë se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, por nuk ka marrë përgjigje.
Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në bllok në fillim të vitit 2014, por grupin e fundit të kapitujve e ka hapur në dhjetor të vitit 2021.
Ngecja e Serbisë në proces ka ndodhur kryesisht për shkak të mospërputhjes me politikën e jashtme të BE-së, e sidomos për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.