Bislimi e quan dështim takimin në Bruksel, flet edhe për Asociacionin: Kosova nuk i ik obligimeve
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur dështim të madh rundin e ri të dialogut, pas takimit që pati me Miroslav Lajçak e Petar Petkoviq.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë rezultat për ecjen përpara në normalizimin e raporteve.
“S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, ka thënë ai pas takimit, raporton Koha.net
I pyetur për Asociacionin, Bislimi ka thënë se duhet të plotësohen disa kushte. Sipas tij, nëse ka dakordim për ta zbatuar marrëveshjen e plotë, Kosova nuk i ik obligimeve të saj.
“Nuk mund të insistohet kur për këtë punë së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave e mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja. Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi, siç e ka treguar gatishmërinë ta nënshkruajë në Ohër”, ka deklaruar Bislimi.
Bislimi ka treguar për temat e diskutuara në takimin e sotëm.
“Jemi dakorduar që të themelojmë një grup punues, t’i harmonizojë 20 veterinarë, që përdoren në kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme te Dheu i Bardhë. U njoftuam nga zoti Lajçak që ka premtime të mëdha në Beograd që deri në fund të muajit të ardhshëm të lëshohen linjat e interkonjeksionit, që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë”, ka thënë tutje ai.
“Kishte kërkesa të arrihej marrëveshja për lejimin e vizitave së kryenegociatorëve por mendojmë se duhet të respektohet marrëveshja si është nënshkruar më herët. Prekëm tema të ndryshme, por fatkeqësisht te tema kryesore që është e rëndësishme, ecja përpara drejt normalizimit nuk ka lëvizje”, ka përsëritur ai.
Zv/kryeministri e quajti dështim takimin.
“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuencimit, ku kemi treguar se me çfarë përmirësimesh ai plan do të jetë i pranueshëm për palën kosovare. Ndërsa Serbia nuk ka hyrë fare në diskutim. Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij raundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”, ka thënë Bislimi.
Ai kërkoi tërheqjen e letrës nga kryeministrja serbe, lidhur me zbatimin e marrëveshjes.
“Nga Serbia dëgjuam se kryeministri Millosh Vuçeviq në një letër dërguar Komisionit sipas tij, është përkushtuar se do të zbatojë obligimet të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja Bazë. Për të qenë e sinqertë kjo, duhet të shoqërohet me tërheqjen e letrës së Bërnabiqit që është veprim më i lehtë për palën serbe. Nëse Serbia zotohet t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, formalizimi është i thjeshtë. Këtë e konfirmoi edhe pala serbe që tha se e vetmja marrëveshje obligative për zbatim është e 2013-s pasi ka nënshkrim dhe është ratifikuar në Kuvend”, ka thënë ai.
Komunikata e qeverisë:
Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut të zhvilluar në Bruksel.
Fillimisht, u mbajt një takim bilateral me Përfaqësuesin Special të BE-së, emisarin Miroslav Lajçak, ndërsa më pas u mbajt dhe një takim trilateral. Në takimin bilateral u trajtuan një mori temash, gjersa në takimin trilateral, temë e diskutimit ishte e paraparë sipas agjendës rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.
Në takimin bilateral me emisarin Lajçak si dhe në atë trilateral, zëvendëskryeministri Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, e atë në tërësi dhe pa vonesa të mëtejme, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.
Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Brnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiq nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës.
Ndërkohë, një nga temat e trajtuara në takimin bilateral me emisarin Lajçak, ka qenë dhe çështja e personave të pagjetur, ku Serbia vijon ta bllokojë zbatimin e deklaratës së përbashkët. Gjithashtu u diskutua edhe për marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjes, energjinë dhe vizitat zyrtare. Emisari Lajçak vlerësoi hapjen e qendrës për inspektime teknike në veri, gjersa përmendi që brenda një muaji do të lëshohen linjat e interkoneksionit duke avancuar me zbatimin e marrëveshjes së energjisë.