Bislimi: Familja Jashari ndryshoi rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli
Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje i kryesuar nga nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku, shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjfuca dhe deputetë e aktivistë të tjerë kanë bërë homazhe sot në Prekaz tek varrezat e familjes Jashari në nderim të veprës dhe sakrificës së kësaj familje dhe luftës së UÇK-së për liri të Kosovës.
Me këtë rast nënkryetari Besnik Bislimi, ka thënë se familja Jashari na tregoi gjithë botës se si një familje e vetme mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli.
“Në këtë vend 21 vite më parë Adem e Hamzë Jashari, kryeluftëtarët e lirisë ranë heroikisht bashkë me 56 anëtarë tjerë të familjes dhe treguan se e duan Kosovën dhe popullin e saj më shumë se veten. Ata na treguan gjithë neve dhe botës se si një familje e vetme mund ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe fatin e një populli. Me homazhet tona duam të dërgojmë tri mesazhe tek familja Jashari: Që duke sakrifikuar më të çmueshmen e tyre dhe më të dashurit e tyre, ata në fakt nuk i humbën familjarët e tyre, por i bartën ata tek secili prej nesh, nga marsi 1998 e deri në përjetësi. Që ne e kuptojmë drejt mesazhin e kësaj sakrifice dhe që mund t’i shikojmë ende në sy familjen Jashari duke konfirmuar që nuk kemi devijuar nga përpjekja për mbrojtjen dhe avancimin e amaneteve të tyre. Dhe që të gjithë së bashku nuk do lejojmë askënd që të rrezikojë themelet e lirisë dhe sovranitetit tonë. Lavdi e përjetshme veprës së tyre”, ka deklaruar Bislimi.
/Epoka e re/