Bislimi godet Lumir Abdixhkun: LDK s’mund të drejtohet duke e kopjuar VV-në
Faton Bislimi zyrtarisht ka njoftuar se do t’ia mësyjë garës për të parin e LDK-së. Madje, ai ka pasur kritika ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhku.
Ai ka thënë se LDK-ja s’mund të drejtohet duke kopjuar të tjerët, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje,
“Ne si LDK duhet të kuptojmë qe e kemi një bagazh të rëndësisë së veçantë historik e politik në Kosovë. S’mund të sillemi si parti që jemi themeluar dje. Nuk mund të sillemi me komoditetin e kopjimit të dikujt tjetër, me shpresën që nëse bëhemi si këta fitojmë edhe ne. Ky do të ishte gabimi më fondamental që mund ta bëjmë”, ka thënë Bislimi në Frontal të T7.
Sipas Bislimit, lidershipi aktual i LDK-së dhe Lumir Abdixhiku është duke kopjuar Vetëvendosjen e Kurtit në qasje dhe riorganizim.
“Ky lidership dhe ky kryetar është në një lloj tentative me i kopju ata që kanë fituar para nesh. Ka një qasje që I përngjan shumë, sidomos në riorganizim, asaj të partisë në pushtet dhe lideri të tyre. Në shumë aspekte të paraqitjeve publike besoj se po e kopjon. Përtej asaj sinkronizimi i shumë veprimeve në opozitë, na dëmton. Ne kemi pasur edhe qeverisje me PDK dhe na ka dëmtu”, ka thënë Bislimi.
Kujtojmë se LDK do të mbajë këtë të diele konventën zgjedhore prej ku edhe do të dalë struktura drejtuese e partisë.