Bislimi: I kemi dërguar BE-së raport 48-faqesh për Banjskën, le ta publikojë prokuroria
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë me dije se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian (BE) dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqeve për agresionin në Banjskë.
Por, sipas Bislimit, raportin duhet ta publikojë prokurori dhe jo qeveria, teksa ka kërkuar ndihmë anëtarëve të Komisionit për Integrim nga radhët e opozitës që të bëjnë presion publik mbi prokurorinë që ta bëjë publik raportin.
Më tutje, ai ka thënë se sa herë sillet Milan Radoiçiqi i lirë rreth veriut dhe sa herë Serbia nëpër kampet e saj përgatitë dhe trajton të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent.
“Ne i kemi dërguar raport 48 faqesh për Banjskën, BE-së edhe secilit shtet anëtar, edhe secilës ambasadë në Bruksel. 48 faqe. Por, raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestin për Radojçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut. Sa herë që ai sillet i lirë dhe Serbia dhe kampet ushtarake të saj, përgatit dhe trajnon të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent, prandaj ndihmona që edhe prokuroria të veprojë”, ka thënë Bislimi. /EO