Bislimi i reagon Osmanit: Mund t’i kërcënoni aleatët tanë, por pastaj s’do të mundeni
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Faton Bislimi i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani pas “kërcënimit” që kjo ia ka bërë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pas deklaratës së tij në lidhje me vizat.
Bislimi ka thënë se politika e mençur e një shteti nuk do të duhej t’i dobësonte apo t’i lëndonte marrëdhëniet me aleatët.
“Politika e mençur e një shteti si Kosova do duhej të sforconte sa me shumë lidhjet dhe marrëdhëniet me aleatët e partnerët ndërkombëtarë, e assesi t’i dobësonte apo lëndonte ato. Koston e qasjes kërcënuese në raport me këta miq e aleatë nga ana e kreut të shtetit tonë, e bartim të gjithë; e bartë Kosova”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Më tutje, Bislimi ka shkruar: “Ju sot edhe mund t’i shpërfillni ata e bile edhe t’i kërcënoni, por pastaj s’do mundeni!”.
Në fund, ai ka deklaruar se rruga që ka sjell vendin deri te liria e pavarësia ishte partneriteti i sinqertë me aleatët ndërkombëtarë, e jo ndasia me ta.
“Rruga që na solli deri tek liria e pavarësia është rruga e partneritetit të sinqertë me ta, e jo ajo e ndasisë. Dhe, është pikërisht kjo rrugë e asnjë tjetër, që do na e sigurojë vendin meritor në familjen e madhe të kombeve demokratike si NATO e BE!”, ka shkruar Bislimi.