Bislimi: Kontigjenti i parë i barnave nga MSh-ja arriti dje në Deçan
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se qeveria dhe institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë disa veprime në lidhje me situatën e krijuar pas dyshimeve për helmim të më shumë se 1000 personave në Deçan.
“Agjencia e menaxhimit të emergjencave i është ofruar me shërbime të furnizimit me ujë të pijshëm Komunës së Deçanit dhe çdo gjë tjetër të nevojshme në fushën që mbulon agjencia dhe vazhdon të jetë në dispozicion nëse kjo kërkohet nga Komuna e Deçanit”.
“Më 11 korrik, të dielën, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar raportin nga IKShPK-ja për një numër të banorëve nga disa fshatra të Komunës së Deçanit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në Deçan me ankesa shëndetësore që pas trajtimit janë udhëzuar për trajtim shtëpiak. Të gjitha hapat e nevojshëm në hulumtimin e burimit të helmimit janë ndërmarrë menjëherë të dielën në mëngjes. Gjatë fundjavës janë mobilizuar të gjitha ekipet që po vazhdojnë punën në mënyrë aktive bashkë me ekipet e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës. IKShPK-ja vazhdon hulumtimin në terren dhe grumbullimin e anketave epidemiologjike nga të prekurit dhe familjarët e tyre, dhe raporton në vazhdimësi”, ka thënë Bislimi.
Bislimi, në mbledhjen e qeverisë të cilën është duke e drejtuar në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se nga barnatorja qendrore e ShSKUK-së janë siguruar barna në ndihmë të të prekurve në Deçan.
“Kontigjenti i parë i barnave ka arritur dje në mbrëmje dhe materiale të tjera shpenzuese të domosdoshme për tejkalimin e situatës. MSh-ja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore atje për çdo nevojë shtesë”, ka thënë Bislimi.