Bislimi: Kosova dhe Zvicra ndajnë miqësi e partneritet të ngushtë
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kolly.
Sipas njoftimit të qeverisë, në këtë takim është biseduar për forcimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve, njëherit për potencialin për zhvillim të Kosovës dhe mundësitë që ofrohen për investim.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në një takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly. Kosova dhe Zvicra ndajnë një miqësi e partneritet të ngushtë mes tyre. Në këtë takim, u bisedua mbi forcimin e bashkëpunimit, potencialin për zhvillim të Kosovës dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investim. Ambasadori Kolly nga ana e tij veçoi sektorin e TI dhe suksesin e Kosovës në këtë drejtim. Bisedat miqësore mes zëvendëskryeministrit Bislimi dhe ambasadorit Kolly, kanë qenë të shpeshta e të frytshme. Edhe në këtë takim lamtumirës ata e vlerësuan njëri tjetrin për gatishmërinë për bashkëpunim dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes shteteve tona”, ka njoftuar qeveria.
Sipas këtij njoftimi, Bislimi ka falënderuar ambasadorin për kontributin e tij, teksa ka ritheksuar që Zvicra mbetet partnere e rëndësishme me të cilën ndan vlera të përbashkëta me Kosovën.