Bislimi: Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit evropian
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Në takim u bisedua mbi perspektivën e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit evropian dhe përmbushjes së reformave.
“Rrugëtimi ynë pozitiv i dy viteve të fundit është dëshmuar edhe nga raportet e ndryshme, veçanërisht Raporti për vendin i Komisionit Evropian i vitit të kaluar i cili evidentoi të arriturat e Kosovës”, ka thënë ai.
U theksua se procesi i zgjerimit duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe përmbushjen e kritereve.
Më tej, u diskutuan dhe zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit ku u vra në krye të detyrës Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Bislimi ka pohuar se tashmë ekzistojnë prova e fakte të mjaftueshme që ky sulm është orkestruar e organizuar nga Beogradi zyrtar.
“Nga prezenca e organizimi i sulmit terrorist nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre. Pamjet e publikuara ditën e djeshme dhe armatimi i konfiskuar tregojnë për planifikimin e skenarin e përgatitur nga Serbia. Ky ka qenë një skenar i përgatitur nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Republikës së Kosovës”, citohet të ketë thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin Nissinen për takimin, bisedën e mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Finlandës ndaj Republikës së Kosovës.