Bislimi: Kosova rrëshqiti nga një storie suksesi, në shembullin e dështimit
Ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka folur në lidhje me vendimet që i kanë marrë gjatë Qeverisë Kurti.
Ai ka deklaruar që i gjithë progresi i tyre u shkatërrua për më pak se një muaj keqqeverisje koti, dhe se Kosova rrëshqiti nga një storie suksesi në shembullin e dështimit më flagrant të mundshëm të qeverisjes.
“Shifrat shëndetësore kaluan nga njëri ekstrem në tjetrin; pagesat e pakos emergjente fiskale u stopuan për mungesë dije dhe vullneti; ardhja e diasporës u vështirësua dukshëm (deri në pamundësim të plotë) vendimet për ndërprerje të keqqeverisjes nëpër ndërmarrje publike dhe misione diplomatike u anuluan; mbulimi i “kartonit të gjelbër” nuk u përmbush; dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare nuk po mund kalojnë në parlament”, u shpreh Bislimi.
Sipas tij, të vetmit që po ndahen të kënaqur me këto zhvillime janë politikanët e kastës së korruptuar që e kanë sjellë vendin në këtë situatë.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
KU E LAM E KU NA MBETI
Në përfundim të detyrës së tij, gjegjësisht me 2 qershor të këtij viti, ministrI Arben Vitia teksa po prezantonte propozimin e tij për një relaksim të ngadaltë të masave, deklaroi mes tjerash që nevojitet kujdes i shtuar meqë gjendja ende nuk është stabile nëpër disa komuna. Kjo, përkundër faktit që numri i të infektuarve të rinj ishte minimal, që numri të shëruarve ishte shumëfishi i të infektuarve aktiv dhe që Kosova radhitej mes shteteve model në përballje me pandeminë, Që nga 15 marsi e deri më 2 qershor, Kosova kishte shënuar 30 vdekje nga pandemia COVID 19.
Në anën tjetër, qeveria Kurti kishte arritur të pastronte buxhetin e vitit 2020 nga shumë anomali dhe parregullsi, kishte dizajnuar dhe kishte filluar të implementonte pakon emergjente dhe kishte dizajnuar edhe pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
Që nga fillimi i implementimit të pakos emergjente ka qenë e ditur që asnjë euro nga pakoja nuk është e buxhetuar, meqë përbërja e parlamentit të Kosovës kishte refuzuar që të kryej punën e vetë dhe të akomodojë pakon brenda buxhetit ekzistues. Megjithatë, ne arritëm që të procedojmë për pagesë secilën masë që ishte trajtuar në komisionet respektive (pagesa e dyfishtë për tre muaj për diku 100.000 përfitues nga skemat sociale; pagesat shtesë nga 30 euro për 167.000 pensionistë, pagesat prej 170 euro për mbi 120.000 punëmarrës; pagesa prej 130 eurove për mbi 12.000 të punësuar të regjistruar rishtazi; pagesat prej 300 euro për dy muaj për mbi 22.000 staf shëndetësor e të sigurisë e inspektoriateve të ndryshme, pagesa prej 100 eurove për mbi 10.000 punëtorë të marketeve, furrave dhe barnatoreve; pagesat për mijëra pjesëtarë të komuniteteve më të ekspozuara; si dhe pagesat nga masa e 15 për të papunët. Kësaj i shtohen edhe mbi 10 milionë euro për ndërmarrjet publike në vështirësi).
Në të njëjtën kohë kishim përcaktuar edhe burimet për pagesën e dytë të shumave prej 170 euro, si dhe për pagesën e qerasë. Andaj, në qeverisjen tonë, deri më tani do ishin përmbyllë pagesat e pakos emergjente. Konstatimi se nuk ka mjete për vazhdim të pagesave jo vetëm që është paradoksal por edhe shumë domethënës për stilin e punës së qeverisë jolegjitime. Natyrisht se nuk ka mjete, meqë masat nuk janë të inkorporuara në buxhet. Por paga dhe titulli i ministrit mes tjerash bartin me vete edhe përgjegjësi për të gjetur zgjidhje. Është shumë jokreative thirrja e kryeministrit në drejtim të opozitës që t’ia zgjidhe problemet e mosdijes. Për këtë është dashur të mendojë kur e bllokonte punën e qeverisë duke konstatuar se kur të vijë ai në qeveri, jo vetëm do e vazhdojë implementimin e masës por do të fusë në ekonomi edhe 1.2 miliardë shtesë. Për më tepër, sigurimi i mjeteve ka të bëjë edhe më prioritizimin e prioriteteve. Kjo qeveri nuk do mund ta implementojë asnjëherë pakon emergjente për aq kohë sa vazhdon t’i alokojë mjetet buxhetore për pseudozëvendësministra e pseudokëshilltarë (meqë kështu paska qenë marrëveshja – thuajse marrëveshjen ia paska lëshuar dikush në dorë e nuk e ka negociuar ai vetë). Poashtu nuk mund ta implementosh pakon dhe ta ndihmosh ekonominë për deri sa konstaton se nuk do e shkurtosh asnjë projekt kapital, edhe kur e di që ato nuk kanë gjasë as të fillojnë e as të përfundojnë.
Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes Kurti, diku 80 ditë kanë qenë ballafaqim me pandeminë. Gjatë kësaj periudhë rënia e të hyrave doganore dhe tatimore ka qenë në total rreth 120 milionë eurove (edhe pse tek tatimet edhe falë shtyerjes së kryerjes së obligimeve nga ana e tatimpaguesve). Në bazë të kalkulimeve tona që përfshijnë uljen e parashikuar të të hyrave buxhetore, rritjen e paraparë të shpenzimeve në përballje me pandeminë COVID 19 si dhe nënshpenzimi në kategorinë e kapitaleve dhe mallrave dhe shërbimeve; kemi përllogaritur deficitin e përafërt fiskal dhe për të njëjtin kemi identifikuar burimet e financimit të brendshëm dhe të jashtëm.
Në këtë drejtim, kemi negociuar financim të brendshëm përmes plasimit të drejtpërdrejtë të 50 milionë eurove me Trustin Pensional të vendit, dhe pjesën tjetër e kemi negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtarë, Bankën Botërore, Bashkimin Evropian, Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe BERZH-in. Kjo shumë e negociuar mjafton për të financuar si pakon emergjente dhe atë të rimëkëmbjes, ashtu edhe nënperformancën e pritur të të hyrave buxhetore. Pa patur nevojë të prekim bilancin bankar, pa sulmuar mjetet e Agjencionit Kosovar të Privatizimit dhe pa rrezikuar kursimet individuale në trustin pensional. Në pakon e rimëkëmbjes ekonomike kemi identifikuar mekanizmat si për nxitjen e ofertës ashtu edhe kërkesës agregate dhe njëkohësisht edhe për rritjen e formalizimit të ekonomisë, fuqizimin e gruas dhe të rinjve në ekonomi ashtu edhe për rritjen e eksporteve.
Duke e mbajtur pandeminë nën kontroll, jemi përkujdesur që vendet e Bashkimit Evropian të ndihen të sigurtë në hapjen e kufijve për udhëtimet nga Kosova, të bindur se kështu sigurohet një ardhje e mjaftueshme e mërgatës që do të ndihmonte në gjallërimin e ekonomisë dhe minimizimin e dëmeve ekonomike nga pandemia. Në të njëjtën kohë kemi nxjerrë vendimin për heqjen e kostos së mërgatës për “kartonin e gjelbër” në kufi.
Kemi ndihmuar si Luginën ashtu edhe fshatin Dacaj në Mal të Zi duke shënuar rastin e parë pas luftës ku Kosova i ndihmon shqiptarëve në Luginë e Mal të Zi me mjete financiare e jo me hektarë toke.
Kemi larguar bordet e korruptuara të ndërmarrjeve publike dhe zëvendësuar të njëjtat me borde të përkohshme duke ndërprerë kështu keqqeverisjen që kishte sjellë buzë falimentimit këto ndërmarrje dikur fitimprurëse.
Kemi ndërprerë keqpërdorimin e misioneve diplomatike për rehatime politike duke ndërprerë angazhimet përtej mandatit të rregulltë dhe proporcionit të lejuar për komponentën publike.
Kemi filluar kalimin e terminaleve doganore në pronësi publikë me qëllim edhe uljen e kostos së zhdoganimit për mijëra biznese kosovare.
Me një ecuri të tillë pritej që Kosova ta përballoj Pandeminë COVID 19 me koston ekonomike dhe humane më të ulët jo vetëm në nivel rajonal.
Fatkeqësisht i gjithë ky progres u shkatërrua për më pak se një muaj keqqeverisje koti. Shifrat shëndetësore kaluan nga njëri ekstrem në tjetrin; pagesat e pakos emergjente fiskale u stopuan për mungesë dije dhe vullneti; ardhja e diasporës u vështirësua dukshëm (deri në pamundësim të plotë) vendimet për ndërprerje të keqqeverisjes nëpër ndërmarrje publike dhe misione diplomatike u anuluan; mbulimi i “kartonit të gjelbër” nuk u përmbush; dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare nuk po mund kalojnë në parlament. Me aq lehtësi dhe me aq shpejtësi Kosova rrëshqiti nga një storie suksesi në shembullin e dështimit më flagrant të mundshëm të qeverisjes. Të vetmit që duket se po ndahen të kënaqur me këto zhvillime janë politikanët e kastës së korruptuar që e kanë sjellur vendin në këtë situatë, pseudoanalistët politikë si dhe përfaqësuesit e odave ekonomik të cilët nga sulmi frontal kundër qeverisë Kurti (përkundër sukseseve të dëshmuara) kanë kaluar në heshtje frontale përballë qeverisjes Koti (mbase falë dështimeve kolosale të saj).