Bislimi në Greqi: Sfidat që i shfaqen Kosovës drejt rrugës në BE janë më shumë të jashtme sesa brenda vendit
Në ditën e dytë të qëndrimit në Athinë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në një panel diskutimi në Greqi për Ballkanin Perëndimor dhe rrugën e tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian tha se Kosova Kosovës ka shfaqur maturi e përgatitje në këtë proces.
I pyetur në këtë panel se sa është reale mundësia e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, zëvendëskryeministri theksoi se duhet të ketë një proces të standardizuar të vlerësimit për të gjithë rajonin, në lidhje me zbatimin e reformave dhe rrugën përpara drejt BE-së.
Por, Bislimi tha se në rastin e Kosovës, sfidat që shfaqen janë më shumë të jashtme sesa që burojnë nga brenda vendit.
“Vendi ynë vijon të mbetet i përkushtuar në zbatimin e reformave dhe arritjen e standardeve evropiane”.
Duke folur për rëndësinë gjeostrategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe rëndësinë e zgjerimit, Bislimi tha se me procesin e liberalizimit të vizave tashmë të kompletuar e të arritur, Kosova vijon punën në trajektoret e tjera po aq të rëndësishme për vendin dhe veçanërisht rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Republika e Kosovës ka shfaqur maturi e përgatitje në këtë proces, duke analizuar dhe sektorët e fushat përmes së cilave edhe më së shumti dëshmojmë që jemi gati, kemi avancuar e shënuar progres të shpejtë dhe meritojmë hapa konkretë tutje”.
Tema e diskutimit të këtij paneli ishte “Ballkani Perëndimor dhe Zgjerimi i BE-së 2030- Ëndërr apo Realitet?” ku Bislimi ishte bashkë me homologë nga rajoni e po ashtu dhe përfaqësues nga Sllovenia, Sekretari i Shtetit për çështje Evropiane, Marko Stucin dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, Alexandra Papadopolou, siç njofton Zyra e Kryeministrit.
“Kjo ngjarje u organizua nga Eliamep, në bashkëpunim me Forumin Strategjik të Bledit. Pas panelit të diskutimit, u organizua një pritje në margjina të eventit, e ku me ftesë nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Gerapetritis, zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë bashkë dhe me personalitetet e tjera nga ngjarja dhe paneli”, thuhet në fund të njoftimit.