Bislimi njofton ndihmëssekretarin e OKB-së për avionët luftarakë serbë përreth kufirit me Kosovën
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ndihmëssekretarin e përgjithshëm të OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenca.
Zëvendëskryeministri Bislimi e ka njoftuar atë me situatën në vend e rajon, objektivat e qeverisë dhe të arriturat në tri vitet e fundit.
Ai ka theksuar se Kosova është duke u avancuar dhe zhvilluar me ritëm të shpejtë, pavarësisht barrierave me të cilat përballet.
Sipas të dhënave më të fundit dhe nga ASK-ja, Bislimi ka thënë se tremujori i parë i këtij viti ka shënuar rritje ekonomike në nivelin 5.62 për qind. “Edhe projeksionet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitet e ardhshme, si dhe rankimet ndërkombëtare të Kosovës në shumë fusha, qëndrojnë si dëshmi e progresit të vendit tonë”, citohet të këtë thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se rritja e BPV-së, rritja e punësimit, sundimi i ligjit, integrimi në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, janë synime qenësore për qeverinë.
Në vazhdim është diskutuar edhe mbi procesin e dialogut, ku zëvendëskryeministri Bislimi e ka njoftuar ndihmëssekretarin Miroslav Jenca me zhvillimet e fundit, “duke shprehur konstruktivitetin dhe angazhimin e vazhdueshëm të palës sonë në këtë proces, i cili fatkeqësisht është përballur me destruktivitetin dhe mungesën e vullnetit e gatishmërisë për hapa tutje e zbatim të marrëveshjeve nga ana e palës tjetër”.
“Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se, fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë ‘MIG 29’ përreth kufirit”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.
Ndryshe, ndihmëssekretari Miroslav Jenca është duke zhvilluar një tur ballkanik, ndalesë e radhës e së cilës është vendi ynë, ku do të qëndrojë në një vizitë dyditore.