Bislimi nxjerr një dokument të Serbisë: Beogradi synon që me Asociacion ta vendosë një ‘kalë të Trojës’ në Kosovë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se për Serbinë kërkesa për një Asociacion të komunave me shumicë serbe nuk është për qëllimin e integrimit të serbëve lokalë në Kosovë.
Në një seri postimesh në “Twitter”, Bislimi ka deklaruar se ky “non-paper” e dëshmon që Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e kishte asnjëherë qëllim integrimin e serbëve në Kosovë nga pala serbe.
“Kosova vazhdimisht ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për arsyen e vërtetë të Serbisë për insistimin e formimit të AKS-së. AKS-ja kurrë nuk ka pasur qëllim t’i integrojë serbët lokalë në Kosovë, por të jetë ‘Kali i Trojës’ i Beogradit për ta bërë shtetin jofunksional, duke përgatitur mënyrën për ndarje. ‘Non-paperi’ i fundit i draftuar nga Akademia e Shkencave dhe e Artit e Serbisë (nga Vasilije Krestiq, anëtare e plotë) ofron dëshminë më të fuqishme deri më tash për qëllimet e vërteta të Serbisë prapa insistimit për AKS-në në Kosovë”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi ka treguar disa pika të atij “non-paperit” ndërsa ka thënë se këtu shihet edhe arsyeja pse Beogradi me këmbëngulje kërkon Asociacion.
“Krijimi i AKS-së nuk është objektiv në vete, por paraqet një hap të rëndësishëm drejt arritjes së synimit për ‘Botën serbe’ që koincidon me territorin e ish-Jugosllavisë. Dizajni fillestar i AKS-së nuk është relevant, pasi kompetencat do të evolojnë dhe do të eksploatohen për shkak të përkrahjes financiare të Beogradit dhe një mungese relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës. Këto kompetenca do të çojnë te një Republika Sërpska e re me synim për ndarje territoriale mes territoreve shqiptare e serbe. Kjo më pas do të shtyjë komunitetin ndërkombëtarë të njohë ekzistimin e dy entiteteve nacionale në Kosovë dhe një autonomi absolute në zonat e AKS-së. Kjo autonomi do të sjellë situatë që serbët nuk do të kenë nevojë për të ndërvepruar me Qeverinë e Kosovë, duke e bërë kështu AKS-në si një ‘vezë qyqeje’ në territorin e Kosovës. Serbia beson se avantazhi kryesor krahasues që ka aktualisht, dhe duhet të shfrytëzojë, është superioriteti ekonomik në rajon. Në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar ‘Bota serbe’ nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike. Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizma fetare me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe. Prandaj, themelimi i AKS-së duhet të jetë imperativ kyç për politikanët serbë, duke ofruar një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të kombit serb”, ka cituar Bislimi pikat e “non-paperit”.
“‘Non-paper’ shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për AKS-në, por duhet të bëjë komunitetin ndërkombëtar të rishqyrtojë këmbënguljen e vetë”.
🇽🇰 has repeatedly warned the int'l community about Serbia's true reasons for insisting on ASMM's formation. ASMM was never intended to integrate local Serbs into Kosova, but as Belgrade's Trojan Horse to make the country dysfunctional, thus preparing the way for partition. 1/10
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) June 8, 2023